Deputetja Rudina Hajdari, kërkoi sot një minutë heshtje për ngjarjen e ndodhur më 6 maj në kampin Adazi të Letonisë.
Por duket se deputetja Hajdari nuk ka qenë e mirëinformuar për ngjarjen e rëndë, ndërsa u shpreh se më datën 6 maj humbën jetën tre ushtarakë shqiptarë. Fjalimi u ndërpre nga deputetë të maxhorancës, të cilët u munduan të korigjojnë deputeten Hajdari, e cila insistoi në fjalimin e saj, duke kërkuar të thotë edhe emrat e ushtarakëve, por në fund u ‘bind të pranojë’ se dy prej tyre ishin të plagosur. E painformuar apo një lapsus gjatë fjalimit duket të ketë qenë edhe emri i ushtarakes së ndjerë, që humbi jetën në kampin Adazi në Rigë të Letonisë.
Deputetja Rudina Hajdari është bërë kohët e fundit protagoniste në politike, pas refuzimit për të djegur mandatin si dhe kërkesave të saj për të ndryshuar sistemin zgjedhor në vend.
Por duket se gafat, ndjekin nga pas deputeten e re, që kërkon të marrë mbi supe më shumë se sa përballon.
Këtë të mërkurë, gjatë seancës plenare ajo ka kërkuar një minutë heshtje në Kuvend për ngjarjen e ndodhur në 6 maj në Letoni, ku humbi jetën Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy oficerë.
Por Rudina Hajdari në fjalën e saj tha se në këtë ngjarje të rëndë kishin humbur jetën tre ushtarakët.
Rudina Hajdari: Ditën e hënë, në datën 6 maj, humbën jetën 3 ushtarakë shqiptarë në Letoni, gjatë misionit të NATO-s. Do kërkoja…
Ndërhyjnë deputetët socialistë, duke i thënë për 1 të vdekur…
Rudina Hajdari: Tre, mund t’ja u them emrat…
Sërish ndërhyrje nga salla…
Rudina Hajdari: Dy të tjerë janë plagosur. Dakord…
Gramoz Ruçi: Vazhdoni zonja Hajdari…
Rudina Hajdari: Do i kërkoja Kuvendit të Shqipërisë, një minutë heshtje për zonjën Zarife Hasanaj që ishte 32 vjeç, e lindur në Bajram Curr, Tropojë.