DEKLARATA e Procesit të Brdo-Brijunit, Tiranë: Ne udhëheqësit i bëjmë thirrje Bashkimit Europian …

0
204

Ne, udhëheqësit e Procesit të Brdo-Brijuni, u takuam në Tiranë më 9 maj 2019 në prani të miqve tanë, Presidentit të Republikës së Polonisë Andrzej Duda dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si dhe dhe Nënkryetaren e Komisionit Europian, Federica Mogherini.

Kemi njohur dhe pranuar se përparimi i shënuar deri më tani, ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të paqes, sigurisë, stabilitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Ne e mirëpritëm Marrëveshjen e fundit të Prespës dhe arritëm në përfundimin se një shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve europiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pranuam se ky moment pozitiv ka ngjallur optimizëm të ri sinergjik në rajon, duke mbajtur parasysh perspektivat e tij europiane dhe euroatlantike, si objektiva kyçe strategjike.

Të vetëdijshëm për debatet e brendshme intensive që po zhvillohen në gjirin e Bashkimit Europian, në kontekstin e BREX-it dhe të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare europiane, ne mirëpresim përkushtimin e BE-së përkundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe përmes proceseve të Berlinit dhe Brdo-Brijunit, si dhe përmes takimit të fundit të mbajtur në Berlin me nismën e Kancelares gjermane, Angela Merkel si dhe të Presidentit francez, Emmanuel Macron me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Kroacisë dhe të Sllovenisë.

E përgëzuam Poloninë që do të mikpresë Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, duke konfirmuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet përparësor në krye të axhendës së Bashkimit Europian.

Gjithashtu ne përgëzuam mbështetjen aktive të Kroacisë dhe Sllovenisë dhënë ndaj perspektivës europiane të pjesëmarrësve të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin e tyre për t’i dhënë përparësi rajonit gjatë Presidencave të tyre të ardhshme të radhës në krye të Këshillit të Bashkimit Europian, gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 dhe në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Përsëritëm rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për të zbatuar reformat kyçe, të lidhura edhe me përparimin e mëtejshëm të pjesëmarrësve nga rajoni, në proceset e tyre përkatëse të integrimit, me një qasje të bazuar në meritat e vendeve përkatëse.

Ne mbështesim qëndrimin e Bashkimit Europian se një nga kushtet për anëtarësimin e një vendi aspirues është zgjidhja e çështjeve ende të hapura dypalëshe me fqinjët e vet. Do të përpiqemi në mënyrë aktive që të vazhdojmë dialogun dhe rritjen e besimit brenda rajonit që ne përfaqësojmë. Të gjitha çështjet e hapura do të zgjidhen në mënyrë paqësore, nën frymën e respektit dhe të bashkëpunimit reciprok.

Ne theksojmë rëndësinë pozitive të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor për forcimin e demokracisë, të sundimit të ligjit dhe respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut në rajon si dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.

I bëjmë thirrje Bashkimit Europian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike, duke pasur parasysh se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin europian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm europian.

Kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë.

Ne rikthesuam se shkëmbimi i ndërlidhjes brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me instrumete në rritje në transport, energji dhe në infrastrukturën dixhitale, paraqet një interes strategjik për të gjithë si dhe një parakusht për rritjen ekonomike, konkurrencën dhe integrimin e plotë ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Europian gjithashtu.

Ramë dakord mbi nevojën për të forcuar edhe më tej proceset e dialogut dhe pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin si dhe aderimin në të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, si dhe duke mbajtur parasysh ruajtjen e paqes, sigurisë dhe begatisë së brezave të tanishëm e të ardhshëm.

Ne biem dakord që Sllovenia do të jetë mikpritësja e ardhshme e Takimit të Jashtëzakonshëm të Udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni, në fund të këtij viti.