Nga Kastriot Dervishi
Dy raporte të tjera nga masakra mbi shqiptarët e Libohovës. D.m.th. “nacionalçlirimtarët” që drejtoheshin nga Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha sulmojnë shqiptarët e fshatit Libohovë, të cilët mbrojnë shtëpitë e tyre nga një gjëmë që as pushtuesi nuk ia bëri. “Rezistenca armike” janë banorët e Libohovës.
***
31 gusht 1943, letër e Hito Çakos (“Çobanit) drejtuar komandës së batalionit “Asim Zeneli” për luftimet e çetës “Hajredin Tremishti” në Libohovë (ekstrakt)
Ndeshja me pararojën armiku filloi në orën 9.30 në afërsitë e Libohovës. Çeta “Hajredin Tremishti” ka bërë sulmin e parë kundra rezistencës armike. Me urdhrat e dhëna nga komisari i batalionit “Tërmeti” (Shefqet Peçi), njësitë e çetës sonë hynë nëpër rrugët e qytetit dhe i janë afruar pozitës së armikut në vendin që ishin mbrojtur në kala…
Shoku “Automatik” (Balil Peçi) me shokun “Stralli” (Ismet Baçi), kanë vrarë një ballist që i qëllonte nga shtëpia e vet. Afër mbarimit të luftës, njësia e çetës sonë dogji 9 shtëpi të tradhtarëve me urdhër që u dha nga shtabi…
***
2 shtator 1943, raport i komandës së çetës “HajredinTremishti” (komisari Abdyl Hakiu dhe komandanti Shaban Idrizi -“Kamioni”) për batalionin “Asim Zeneli” mbi të metat e vërejtura në sulmin e Libohovës (ekstrakt)
Rrethimi i Libohovës është bërë në formën më të mirë dhe përparimi është bërë në rregull, me gjithë që lufta plasi në befasi, por komanda e shtabit, duke ditur se në Libohovë ekziston një fortesë (kala), duhej të kish sjellë një armë të rëndë, murtajë ose top…
Vrasja e 4 shokëve nuk ka bërë përshtypje të keqe, pasi kanë çmuar rëndësinë e luftës nacionalçlirimtare, vetëm u ka bërë përshtypje të keqe mbetja e trupave në vend.
Djegia e Libohovës ka bërë përshtypje shumë të mirë, vetëm se duhej dhënë urdhër më parë që të ishin djegur edhe lagjet e tjera…
Sulmi i bërë i dedikohet më shumë Shefqet Peçit, “Automatikut”, “Kamionit” që ishin në vijat e para dhe mandej gjithë organikës së çetës.
Kanë treguar trimëri në luftim dhe Karafil Bisha e Pano Xhixho.
Gjatë aksionit, nga ana e partizanëve në shtëpitë e djegura janë marrë 2 palë këpucë, 7 vargje duhan (10) kallë sapun, 2 këmishë, 1 mbulesë jastëku prej 3 metro pëlhurë dhe ua shpërndamë luftëtarëve më të nevojshëm.
Në fund të korrikut fillim gushti 1943, forcat komuniste të disa batalioneve e çetave sulmuan fshatin Libohovë. Nuk bëhej fjalë për kurrfarë pushtuesi, por veprim i pastër antishqiptar. Libohovitët mbronin shtëpitë e tyre. Veprimet e komunistëve që ia kalonin atyre të pushtuesve u shoqëruan me vrasje, djegie shtëpish dhe vjedhje pasurie. Raporti i një komandanti çete flet për ngjarjen, e cila nuk ka fashistë, por civilë që mbrohen dhe komunistë që sulmojnë. Shefqet Peçi kishte inati të vjetra me Libohovën, qysh nga vitit 1924 kur shërbente si roje e bejlerëve.
***
Raporti i datës 2 gusht 1943 i komandantit të çetës “Toto Bolena” Iljaz Kofina për komandën e batalionit “Asim Zeneli” për luftimet ndaj civilëve në Libohovë (ekstrakt)
Më datën 2 gusht 1943 u mblodh çeta “Toto Bolena” dhe në kritikën që bëri u shënuam këto pika:
1-Plani i dhënë për rrethimin e Libohovës ishte i mirë, por nuk u plotësua rrethimi prej batalionit të Zagorisë në kohën e caktuar.
2-Sa për rrethimin e dytë (të kalasë) nuk pati plan sulmimi fare, as pikë të caktuar se ku ishte kalaja, udhëheqësit vendas u fshehën qysh në fillim.
3-Deri në kapjen e qytetit, skuadërkomandantët dhe komandantët e çetës “Toto Bolena” kanë qëndruar shumë mirë, pastaj kush më parë e kush më pas, nuk patën lidhje të rregullt.
4-Tërheqja ka krejt e çrregullt, boria nuk është dëgjuar në shenjën e tërheqjes në të gjithë shokët, mbasi ka rënë fare rehat.
5-Tërheqja ka qenë e nevojshme, vrasja e shokëve nuk ka (bërë) përshtypje të mirë, mbasi ka munguar plani i rregullt për sulmin e kalasë. Sulmi i kalasë është bërë vetëm prej pak shokëve pa mos ditur drejtimin dhe pikën e caktuar për sulm.
6-Djegia e shtëpive ka qenë shumë e pëlqyer, mundësisht të ishin djegur gjithë shtëpitë e tradhtarëve.
7-Shokët e çetës “Toto Bolena” të gjithë kanë luftuar mirë në afërsitë e kalasë nga pjesa verilindore. Më të shquar kanë qenë këta shokë: nënkomandant Sulo Vehipi, ekonomi Ymer Ago, nënkomisar Sheme Beqiri, Dervish Leli, Et’hem Haxhi. Në krye të këtyre luftëtarëve ndodhej komisari politik i batalionit “Asim Zeneli” shoku Shefqet Peçi dhe zv/komandanti Fuat Iljazi e Ferhat Seferi. Gjatë luftës mbeti i vrarë Kabo Kabi nga Borshi, i datëlindjes 1920, marrë pjesë në çetën “Toto Bolena” më 7 korrik 1943…Të plagosur Et’hem Haxhi nga Kuçi dhe Male Ceka nga Borshi.
Autokritikë:
1-Organika e çetës. Mosmbajtja e rregullt e ndërlidhjes me çetat e tjera ndërmjet skuadrave të çetës në sulmin e brendshëm (në kala)
2-Çeta për mostërheqjen e rregullt.
3-Çeta për lënien e shokëve të vrarë në fushën e luftës dhe dokumentet e të vrarëve.
Autokritikë personale:
-Abdyl Haki. Për mbetjen prapa në tërheqjen pa patur lidhje me çetën.
-Ymer Ago e Sheme Beqiri. Për moskujdesje në ngritjen e shokut të vrarë.
-Dervishi Leli me shokë. Për nisje dhe mosmarrje të të vrarit.
Kritikë…
-Çetës “Çerçiz Topulli”. Që nuk është parë brenda qytetit dhe në rrethimin e kalasë dhe për mospërdorimin e mortajës.
-Çetës “Avni Rustemi”.Për mospërdorimin e mortajës që ishte caktuar, qëlloi kalanë dhe për marrje sendesh në shtëpi private, si duhan, etj.
-Çetës “Hajredin Tremishti”. U janë parë këpucë e sende të marrë në shtëpira .