Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 50 protestues. Në vendimin e gjykatës u mor masa e “arrestit me burg” për 20 protestues. Ndërkaq, për 11 protestues u dha masa “arrest shtëpie” dhe për 19 të tjerë masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Protesta e 11 majit, zhvilluar nga opozita e bashkuar u kritiikua edhe nga ambasadat në vendin tonë. Ndërkombëtarët deklaruan se në atë protestë është përdorur dhunë.
Edhe dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan i janë drejtuar me një letër të hapur qytetarëve shqiptarë, ku u kërkojnë atyre se është koha e duhur për t’i treguar botës se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë për t’i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore dhe demokratike. Duke iu referuar protestës së 11 majit dy eurodeputetët thanë se “Pamjet japin përshtypjen e gabuar se vendi juaj nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti”. Fleckenstein dhe Kukan thonë se dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, zgjedhjet e lira janë rruga e vetme përmes së cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhë sfidat serioze që përjeton.
Reagimi i PD permes Edmond Spahos
Partia Demokratike e ka quajtur si vendim politik, dënimet e sotme që vendosi Gjykatë së Tiranës, për 50 protestuesit e arrestuar nga tubimi i 11 majit.
Gjykata vendosi sot që të lërë me arrest me burg 20 protestues, për 11 të tjetër u vendos masa arrest shtëpie, ndërkohë që 19 të tjerë u vendos masa detyrim paraqitje.
Por për nënkryetarin e PD-së, Edmond Spaho ky vendim i gjykatës ishte i ndikuar politikisht nga Edi Rama.
“Damian Gjiknuri, hajduti i zgjedhjeve dhe që çoi për rrush e kumbulla 40 milion euro të buxhetit publik, ngarkohet të kryej reformën zgjedhore, kurse këta që protestojnë për të drejtat e liritë, futen në burg.
Po e ndjekim me vëmendje dhe po i mbajmë shënim të gjitha rastet që po shkelin ligjin dhe do japin llogari në pushtetin e ardhshëm të PD-së”, tha Spaho.
Nënkryetari i PD ka premtuar se të gjithë protestuesit e opozitës që janë dënuar me burg, me ardhjen e demokratëve në pushtet do dëmshpërblehen financiarisht si të dënuar politik.
“Këta që janë burgosur sot, do konsiderohen si të burgosur politik dhe në pushtetin e PD-ë do të dëmshpërblehen”, tha Spaho.