Vendimi i qeverisë i pak ditëve më parë iu është komunikuar bashkive nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik duke iu kërkuar atyre që të mos shpallin asnjë procedurë prokurimi nga 1 deri në 30 qershor 2019. Kjo duket se lidhet ngushtë me zgjedhjet e 30 qershorit dhe është parë si një mekanizëm për të ndalur tenderët potencialë me të cilët edhe mund të abuzohet. Njësive të vetëqeverisjes vendore iu është lënë mundësia që të prokurojnë vetëm ato procedura që kanë në objekt produktet ushqimore.
“Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) sjell në vëmendje të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të autoriteteve kontraktore në varësi të tyre se, nё mbështetje neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr. 284 datë 10.05.2019 ”Për pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për periudhën 1 deri 30 qershor 2019”.
Me anë të këtij akti nënligjor është vendosur pezullimi i përkohshëm i fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë të vetëqeverisjes vendore dhe të autoriteteve kontraktore në varësi të tyre, për periudhën nga 1 deri në 30 qershor 2019.
Sjellim në vëmendje së, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, nuk do të shpallin procedura prokurimi për periudhën nga 1 deri në 30 qershor 2019, me përjashtim të procedurave të prokurimit me vlerë të vogël, si dhe atyre që kanë si objekt produktet ushqimore. Procedurat e prokurimit të shpallura përpara datës 1 qershor 2019 lejohet të vijonë në përputhje me legjislacionin në fuqi” njoftoi APP.