BallinaBotaMarrëdhëniet Bosnje-Kosovë: Shansi i humbur i Hashim Thaçit

Marrëdhëniet Bosnje-Kosovë: Shansi i humbur i Hashim Thaçit

spot_img
spot_img

Analistët në Sarajevë thonë se raportet mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës janë komplikuar për shkak të vendimeve të nxituara të politikanëve. Viktimë janë banorët e këtyre dy vendeve.

residenti i Kosovës Hashim Thaçi ka refuzuar së fundi pjesëmarrjen në konferencën vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Sarajevë, për shkak të masave “rigoroze” të cilat B-H po aplikon ndaj Kosovës. Në shpjegimin e presidentit Thaçi thuhet se raportet mes këtyre dy vendeve janë në nivelin më të ulët të mundshëm, se B-H nuk e njeh Kosovën si shtet dhe po i “diskriminon” kosovarët për shkak të vizave që aplikohen. Më tej thuhet se “B-H po sillet në mënyrë antievropiane dhe është më e vrazhdtë madje edhe se vetë Serbia në raport me Kosovën”. Kritikët thonë se raportet e pazgjidhura mes këtyre dy vendeve kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave. Më të prekurit janë shqiptarët dhe boshnjakët, të cilët kanë edhe lidhje familjare mes tyre. Shoqata e Shqiptarëve në B-H pohon se në këtë vend jetojnë aktualisht rreth 22.000 shqiptarë, kryesisht me origjinë nga Kosova.

Presidenti i Shoqatës Muharem Zejnullahu thotë se B-H e ka futur regjimin e vizave ndaj shtetasve të Kosovës në vitin 2004. Deri në vitin 2008 janë pranuar dokumentat e UNMIK-ut, por pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, gjërat kanë ndryshuar.”B-H ka nisur të aplikojë regjimin më të tmerrshëm dhe më të ashpër të mundshëm ndaj Kosovës. Ajo nuk njeh asnjë dokument që lëshohet në Republikën e Kosovës. Ka njerëz, të cilët kanë ikur gjatë luftës nga Bosnja në Kosovë dhe tani nuk mund ta vizitojnë familjen, sepse kanë dokumentat kosovare”, shpjegon Zejnullahu.

Vuajtje për njerëzit e zakonshëm

„Ndodh që njerëzit nga B-H të vdesin në Kosovë dhe trupi i pajetë nuk mund të kthehet në vendlindje, sepse policia boshnjake nuk i njeh dokumentet e Kosovës. Kemi edhe raste, kur dikush do të martohet, por nuk mund ta bëjë këtë sepse B-H nuk i njeh dokumentet e shtetit të Kosovës. Kjo është shkelje e të drejtave elementare të njeriut, të mos flas për problemet në nivelin e punës”, pohon Zejnullahu.

Masa të këtilla ndaj Kosovës nuk aplikon as Serbia. “Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë rregulluar me marrëveshjen mes këtyre dy vendeve, që lejon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Në Serbi njihen dokumentat e Kosovës. Kosovarët mund të lëvizin me makina në Serbi, ndërsa në B-H jo. E më pas ankohen pse Kosova ka futur taksa kundër B-H… po si po sillet B-H? E kuptoj që B-H nuk e njeh Kosovën për shkak të problemeve me Republikën Srpska, por pse nuk njihen çertifikatat e lindjes dhe dokumentet e tjera”, pyet Zejnullahu.

Banorët e Kosovës dhe B-H janë viktimë e politikës së papërgjegjshme, pavarësisht vendimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që të mos marrë pjesë në takimin e fundit të BERZH-it. Vendimi i Thaçit cilësohet në Sarajevë si “i arsyeshëm por populist ballkanik”, thotë për Deutsche Welle, gazetari  i Dnevni Avaz, Sead Numanoviq. Ai mendon se përgjegjësinë për raportet aktuale mes B-H dhe Kosovës e mbajnë politikanët në Republikën Srpska, të cilët evitojnë normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Sarajevës.

Masat absurde të politikës së keqe”

„Serbët e Bosnjes sillen në këtë rast më ashpër se ata të Serbisë. Sebia është shumë më e butë sesa Bosnja ndaj Kosovës. Raportet mes B-H dhe Kosovës janë të ashpra, retrograde dhe thellësisht të gabuara. Ato nuk e ndihmojnë askend – as B-H, as Serbinë dhe as Kosovën”, pohon Numanoviq. Masat e Kosovës për taksa ai i quan “absurde”, me shpjegimin se ato kanë dëshmuar tërë “absurditetin e raporteve mes Kosovës dhe B-H”. Kritikët thonë se presidenti Hashim Thaçi e ka humbur një rast shumë të mirë që në takimin vjetor të BERZH-it të afirmojë Kosovën si shtet të pavarur dhe i ka bërë një shërbim nacionalistëve në të dy anët e Drinit – Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodikut. Ndërkohë që ka dobësuar politikanët në Sarajevë që janë për përmirësimin e raporteve.

Çfarë fitoi Thaçi me bojkotimin e takimit?

Gazetarja e Radios BH1, Amira Suzhnja thotë se mos ardhja e Hashim Thaçit dëshmon “mungesën e pjekurisë politike”. Në veçanti kur dihet, se Kosova po përpiqet të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare, ku takimet e tilla kanë një vlerë të madhe. Presionet e tilla ndaj B-H nuk kanë kurrfarë kuptimi dhe janë në kundërshtim me interesat e të dy vendeve. B-H nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës për shkak të presioneve të RS, e cila ka qëndrim më të ngurtë se Serbia karshi Kosovës dhe në këtë mënyrë dëmton edhe interesat e B-H. Por Thaçi me bojkotimin e tij ka dëmtuar edhe interesat e Kosovës dhe përpjekjet për forcimin e statusit ndërkombëtar të Kosovës, sepse në Sarajevë ka mundur të prezantohet si president i një shteti sovran”, thotë Suzhanj për Deutsche Wellen.

Muharem Zejnullahu nënvizon se askush nuk po i bën B-H presion për të njohur Kosovën, por ai pret që ky vend t’i respektojë vendimet e mëparshme. „Ndër to është edhe vendimi i Presidencës së B-H që të pranojë marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk bëjmë presion që B-H të njohë Kosovën por ajo duhet të mundësojë komunikimin normal mes banorëve të këtyre vendeve dhe të njohë dokumentat, si të gjitha vendet e tjera të BE, të cilat e njohin Kosovën”, thotë Zejnullahu.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular