Studentët do të rikthehen sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protesta do të nisë në orën 12:00 dhe pjesëmarrës pritet të jenë jo vetëm studentët e Universitetit të Tiranës, por edhe studentë nga Universitetet e tjera të Shqipërisë. Në emisionin ‘Tempora’ në Ora News, disa prej studentëve deklaruan se protesta rikthehet për shkak të dështimit të ‘Paktit me Universitetin’.
“Kjo protestë është mbarëkombëtare dhe zhvillohet për mosplotësimin e atyre pikave që ne kërkuam në dhjetor dhe në janar. I themi drejtuesve të shtetit që ne nuk do të tërhiqemi. Pakti përveçse ka dështuar, po shitet si propagandë për t’i hedhur sy studentëve”, tha një student. Një tjetër student njoftoi se të rinjtë nga të gjitha fakultetet e Tiranës do të marrin pjesë nesër në protestë. Ai shtoi se përveç Tiranës, për të protestuar janë organizuar edhe studentët në Universitetet e Korçës, Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit. Ne deklaratën e përfaqësuesve të studentëve në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku pasqyrohen arsyet e rikthimit të protestave. Në këtë deklaratë theksohet se ‘Pakti për Universitetin” nuk është përmbushur ashtu siç është premtuar. Protestat e studentëve nisën masivisht në dhjetor të 2018-ës, fillimisht kundër një tarife të re për riprovimet, për të vijuar më pas me kërkesa të tjera për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe konvikteve.