Apnea e gjumit është një çrregullim potencial serioz i gjumit, në të cilin frymëmarrja ndalon vazhdimisht dhe fillon. Nëse do të flasim për faktorët e rrezikut apo shkaktarët që çojnë në këtë gjendje, peshë të konsiderueshme ka edhe duhanpirja. “Individët që pinë duhan kanë apne të gjumit tri herë më shumë se ata joduhanpirës”, thotë mjeku pneumolog, Jul Bushati. Por sipas doktorit, apnea është e lidhur edhe me disa faktorë të tjerë, siç janë gjinia, mosha mbi 65 vjeç, si edhe çrregullimet e zemrës.
Neglizhimi i apnesë së gjumit mund të sjellë pasoja, ndaj edhe mjekimi i hershëm është i rëndësishëm për të mos lejuar përkeqësimin e situatës. “Për shkak të pasojave kardiovaskulare, si: hipertensioni arterial, hipertensioni pulmonar ose aritmisë, të lidhura me çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit, ka rritje të vdekshmërisë. Kështu, sipas një studimi, shkalla e mbijetesës 8-vjeçare në pacientët me më shumë se 20 apne në orë, është me vetëm 50 deri në 60 për qind. Aplikimi konsekuent i mjekimit me CPAP redukton në mënyrë të konsiderueshme morbiditetin dhe letalitetin”, vë në dukje doktori.
Normalisht, gjatë gjumit ka rënie të nivelit në gjak të oksigjenit dhe rritje e gazit karbonik sepse ulet reagimi ventilator ndaj nivelit të këtyre gazrave në gjak, krahasuar me reagimin gjatë gjendjes zgjuar. Përveç kësaj, bie tonusi i muskujve zgjerues të rrugëve të sipërme ajrore, duke favorizuar zhvillimin e bllokimit ose ngushtimit të rrugëve të sipërme ajrore në individë të ndjeshëm.
Çfarë është “apnea” dhe “hipopnea”
Apne (ndërprerja e hyrjes së ajrit në mushkëri) është ndërprerja e plotë ose ndërprerja e fluksit të ajrit gjer në <20% e fluksit bazë për të paktën 10 sekonda. Hipopne (pakësim i hyrjes së ajrit në mushkëri): është rënie 30% në fluksin e ajrit për të paktën 10 sekonda të shoqëruar të paktën me një rënie 4% në ngopjen me oksigjen të gjakut. Indeksi apne-hipopne (AHI) është numri i apneve plus hipopneve në një orë gjumë.
Ky indeks përcakton apne të gjumit të gravitetit të lehtë (5-15), moderuar (16-30) dhe të rëndë (> 30).
Si klasifikohen apnetë (ndërprerja e marrjes frymë)
– Sindroma obstruktive e apnesë së gjumit (OSAS) karakterizohet me episode të përsëritura të kolapsit të plotë ose të pjesshëm të rrugëve ajrore gjatë gjumit. Është i pranishëm akti i frymëmarrjes. – Sindroma centrale e apnesë së gjumit (CSAS) karakterizohet me episode të përsëritura të ndërprerjes ose reduktimit të frymëmarrjes gjatë gjumit, si pasojë e mungesës së impulsit nervor në muskujt e frymëmarrjes.
Pra, mungon akti i frymëmarrjes. – Sindroma mikste karakterizohet me një ngjarje qendrore, që pasohet nga një obstruktive. – Sindroma obstruktive e apnesë së gjumit (OSAS) Të dhëna historike Simptomat e apnesë së gjumit janë përshkruar shumë vite më parë se të përcaktohej si sëmundje. Sindroma e apnesë së gjumit u përshkrua fillimisht në vitet 360 BC (Aelianus, 1666) dhe u përcaktua si ‘Sindroma Pickwickian’ (Dickens, 1836, Osier, 1901). Raportimet e para në literaturën mjekësore për atë që sot quhet apnea obstruktive e gjumit janë që nga viti 1965, kur u përshkrua në mënyrë të pavarur nga ekzaminues francezë dhe gjermanë.
Termi “Sindroma Pickwickian”, që disa herë përdoret për këtë sindromë, lidhet me mjekun e njohur të shekullit të 20-të, William Osler, i cili duhet të ketë qenë lexues i Charles Dickens. Përshkrimi i Joe, “djaloshi obez” në romanin e Dickens, The Pickwick Papers, është përshkrim i saktë klinik i një të rrituri me sindromën e apnesë obstruktive të gjumit. Dr. William Osier vuri në dukje se “një fenomen evident që shoqërohet me obezitetin e tepruar në të rinjtë është tendenca e pakontrollueshme për të fjetur – si djali obez në Pickwick”. Lidhja me Dickens-in, e cila nuk u vu në dukje ose u injorua nga Auchincloss, i cili fillimisht përshkroi një rast tipik, u soll nga Burwell në vitin 1956, kur ata etiketuan sindromën Pickwick.
Ato përshkruan përgjumësinë, mavijosjen e lëkurës, rritjen e numrit të eritrociteve në gjak, pakësimin e ajrosjes alveolare dhe vuajtjen e ventrikulit të djathtë të zemrës, tipare që karakterizojnë sindromën tek obezët. Dickens e paraqet personazhin Joe si vazhdimisht të uritur, shumë të kuq në fytyrë dhe gjithmonë bie në gjumë në mes të punës. (“Gjumë”, tha zotëria i vjetër, “ai është gjithmonë në gjumë. I kryen punët i përgjumur, dhe gërhet ndërsa pret në tryezë”.
Në vitin 1956, një biznesmen që luante poker, zhvilloi simptoma të ngjashme me të Joe-it. Personat që studiuan gjendjen e tij e quajtën “Sindroma Pickwickian” për shkak se në përshkrimin e Joe, Dickens kishte përshkruar në mënyrë të përkryer simptomat kryesore të kësaj situate). Shpeshtësia e kësaj sindrome në popullatë Çrregullimet respiratore gjatë gjumit janë një dukuri e zakonshme në popullatë: Të paktën 4% e meshkujve dhe 2% e grave >40 vjeç janë të prekur (1-6% në adultë) dhe 2% në fëmijë. Faktorët e rrezikut për zhvillimin e apnesë obstruktive të gjumit (OSA) Më shpesh haset në gjininë mashkull dhe gratë në menopauzë, në moshë të vjetër dhe tek obezët. Rritja e perimetrit të qafës (41-44 cm) shoqërohet me frekuencë më të rritur. Faktorë favorizues janë gjithashtu hipotiroidizmi, akromegalia, çrregullime neuromuskulare, hipoplazia e mandibulës (nofulla e poshtme e vogël).
Faktorë rreziku janë reduktimi i diametrit antero-posterior të bazës së kokës, spostimi poshtë i kockës hioide, zgjatimi i palatum molle, zmadhim i lartësisë së kraniumit, pozicioni mbrapa i nofullës së poshtme, çrregullim i okluzionit të dhëmbëve, zmadhimi i tonsileve dhe adenoide, sinusiti, deviacion i paretit ndarës të hundës. Alkooli dhe medikamentet qetësuese, gjithashtu mund të nxisin apnenë e gjumit duke relaksuar muskujt e fytit. Individët që pinë duhan kanë apne të gjumit tri herë më shumë se ata joduhanpirës. Apnea centrale e gjumit është më e lidhur me ndonjë nga faktorët e rrezikut: meshkuj, moshë mbi 65 vjeç, çrregullime të zemrës të tilla si: fibrilacioni atrial ose defekte septale atriale, goditje në tru.
Shenjat dhe simptomat
Simptomat kryesore të kësaj sindrome janë gërhitja dhe përgjumësia gjatë ditës. Në mënyrë tipike manifestohet me gërhitje ciklike me intensitet të lartë dhe të parregullt me pauza të shumta në frymëmarrje, të cilat, megjithatë, zakonisht evidentohen nga partneri. Gërhitja është më e theksuar gjatë fjetjes në pozicion në shpinë. Partnerja/i shqetësohet nga ndalesa e frymëmarrjes në gjumë të partnerit/es, aq sa thonë se “e tundim që ta zgjojnë”.
Apnea përfundon me frymëmarrje të fortë të zhurmshme. Ndikimi i apnesë gjatë gjumit është i rëndësishëm si pasojë e rënies së ngopjes së oksigjenit dhe rritjes së gazit karbonik në gjak dhe me pasojë mikrozgjime, të cilët nuk kuptohen nga individi. Kështu ndodh prishja e strukturës së gjumit (fragmentim i gjumit), gjë që manifestohet me lodhje gjatë ditës, me reduktimin e aftësive fizike dhe çrregullime të përqendrimit. Pacientët ankohen në mëngjes për ndjenjë drobitjeje, dhimbje koke dhe kanë tendencë të përgjumësisë gjatë ditës. Simptoma të tjera janë ndjenja e mbytjes në gjumë, zgjime gjatë natës, djersitje natën, kollë gjatë natës, vështirësi në gëlltitje, shenja refluksit gastroezofageal.
Gjithashtu, mund të konstatohen reaksione simpatikotonike me hipertension arterial reaktiv edhe aritmi kardiake, palpitacione dhe/ose dhimbje torakale atipike, hipertension pulmonar mund të zhvillohet përmes vazokonstruksionit pulmonar gjatë hipoksisë (refleksi Euler Lilljestrand). Vërehet çrregullim i personalitetit, çrregullim i gjendjes intelektuale, axhitim, gjendje depresive si dhe çrregullime të potencës. Pacientët me sindromën e apnesë-hipopnesë së gjumit, si rrjedhojë e përgjumësisë, pësojnë më shpesh aksidente gjatë nisjes së makinës.
Apnea centrale gjatë gjumit
Në apnenë centrale të gjumit, shkak mund të jetë insuficienca e theksuar e zemrës së majtë, te të cilët në rreth 50% të individëve të prekur ndodh respiracion Cheyne-Stokes (ndryshim periodik i frymëmarrjes natën me faza apneje dhe hiperventilacioni me model rritje-zbritje). Patofiziologjia nuk është plotësisht e qartë, mendohet për reduktim të reagimit të kimoreceptorëve në qendrën respiratore për shkak të ndryshimit të qarkullimit të gjakut. Në kontrast me apnenë obstruktive të gjumit, nuk ka aktivitet të muskujve respiratorë torakalë dhe abdominalë gjatë apnesë.
Gjithashtu, mund të shkaktojnë çrregullime të rregullimit qendror të frymëmarrjes, sëmundjet neurodegjenerative, hemorragjinë, si dhe proceset inflamatore ose ishemike, që përfshijnë qendrën e frymëmarrjes në tru. Diagnostika Diagnoza bazohet në vlerësimin e simptomave, faktorëve favorizues dhe observimin (përgjumësia gjatë ditës dhe ndjenja e lodhjes), por standardi i artë është ekzaminimi polisomnografik (regjistrimi gjatë natës i fluksit të ajrit, oksigjenimit, zhurmave, lëvizjeve torakale dhe abdominale, pozicionit të trupit gjatë gjumit, frekuencës kardiake, elekroemcefalogramës, lëvizjes së syve). Anamneza lidhet me simptomat e mësipërme të çrregullimit kronik të gjumit. Përveç kësaj, janë të rëndësishme të dhënat në lidhje me zakonet e gjumit, gërhitjen, pauzat e apnesë etj..
Hapi tjetër për diagnozën është monitorimi i gjumit me regjistrimin e saturimit të oksigjenit, fluksin oronazal të ajrit, si dhe ekskursionet respiratore torakale dhe abdominale me regjistrimin e njëkohshëm afatgjatë të EKC. Zhurmat gërhitëse regjistrohen me një mikrofon. Nëse rezultatet nga ky ekzaminim japin të dhëna dyshuese për apne të gjumit, bëhet vlerësimi i mëtejshëm: përveç polisomnografisë kryhet EEG shtesë dhe elektrookulogram për të përcaktuar fazat e gjumit. Kjo lejon të diferencohet apnea obstruktive nga ajo centrale. Gjithashtu, pjesë e diagnozës është dhe ekzaminimi ORL, me qëllim të zbulimit ose të eliminimit të një pengese mekanike të rrugëve të sipërme ajrore.
Mjekimi
Duhet të shmangen apo të kufizohen faktorë të tillë shpërthyes si mbipesha, konsumi i alkoolit dhe nikotinës ose somniferët. Duhet të ekzaminohet për pengesa respiratore në zonën ORL, si polipe nazale ose hipertofia e tonsileve dhe, nëse është e nevojshme, të eliminohen. Ka rëndësi higjiena e mirë e gjumit: pacientët duhet mundësisht të flenë në një pozicion anash, në një dhomë të qetë, të errët, t’i kushtojnë vëmendje orarit të rregullt të gjumit dhe të jenë fizikisht aktivë gjatë ditës. Alkooli si një “ndihmës për gjumë” është kundërproduktiv!
Nëse këto masa nuk mjaftojnë, aplikohet ventilim me presione pozitive gjatë natës: kjo terapi me CPAP (ventilim me presione të vazhdueshme pozitive) është mjeti i përzgjedhur në pacientët me apne obstruktive. Aplikohet nëpërmjet maskës nazale presion pozitiv në hapësirën nazo-fariningeale vazhdimisht gjatë gjithë kohëzgjatjes së gjumit, në mënyrë që paretet të mos kolabohen (e ashtuquajtura imobilizim pneumatik). Terapia CPAP ka një shkallë të lartë suksesi ( > 90 % ), megjithatë nuk tolerohet nga të gjithë pacientët. Alternative është aplikimi i ventilimit BiPAP). Terapia kirurgjike ( kirurgjia Uvulo – palato – faringoplastika) është rrallë e këshillueshme, kur trajtimi me ventilim me maskë absolutisht nuk tolerohet.
Aplikohen pajisjet gojore: repozicionues mandibular dhe mbajtës të gjuhës. Neurostimulimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Trajtimi i CSAS është shmangia e medikamenteve depresante të respiracionit, korrigjimi i kushteve bazë të tilla si insuficienca e zemrës, presion pozitiv në rrugët e frymëmarrjes, neurostimulimi i diafragmës.
Ecuria dhe prognoza
Për shkak të pasojave kardiovaskulare si hipertensioni arterial, hipertensioni pulmonar ose aritmisë të lidhura me çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit ka rritje të vdekshmërisë: kështu, sipas një studimi, shkalla e mbijetesës 8-vjeçare në pacientët me më shumë se 20 apne në orë, është me vetëm 50- 60 %. Aplikimi konsekuent i mjekimit me CPAP redukton në mënyrë të konsiderueshme morbiditetin dhe letalitetin. PANORAMA
… [Trackback]
[…] Find More to that Topic: startnews.news/2019/05/22/flet-mjeku-pneumolog-crregullimet-e-frymemarrjes-gjate-gjumit-kush-jane-shkaktaret-dhe-si-te-kuroheni/ […]
Comments are closed.