Kryetari i opozitës Lulzim Basha do të zhvillojë një takim me krerët e partive aleate në orën 10:30 në selinë e PD-së. Objekt i takimit do të jetë vijimësia e aksionit opozitar.
Takimi midis tyre vjen një ditë pas Letrës së Hapur që Kryeministri Edi Rama i drejtoi Bashës për t’i kërkuar Dialog për zgjidhjen e krizës politike, por që mori përgjigje të prerë Basha dje në rrjetet sociale: “Fjalën vendimtare për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të plagëve që shkaktojnë këtë krizë, do ta kenë shqiptarët! – shkroi Basha në Fb. – Nuk do të ketë pakte kulisash, do të ketë një dialog kombëtar dhe në fund një vendimarrje me referendum nga populli. Asnjë hap pas!”
Në Letrën e Ramës thuhej ndër të tjera:” Zoti Kryetar, Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!”