BallinaAktualitetVIDEO-Krizat politika në Shqipëri/60 marrëveshje politike, 20 të shkruara në 30 vjet

VIDEO-Krizat politika në Shqipëri/60 marrëveshje politike, 20 të shkruara në 30 vjet

spot_img
spot_img

 

Në Shqipëri, prej tre dekash politikanët nuk ia kanë dalë të ndërtojnë një shtrat të sigurtë reformash zgjedhore dhe shtetformuese. Analistët mendojnë, se kjo ka sjellë pasoja në jetën politike dhe sociale të vendit, në disa raste, me mjaft kosto. Kriza aktuale politike është një prej tyre. Opozita dogji mandatet dhe po proteston me kërkesën për zgjedhje të parakohshme politike dhe qeveri tranzitore pa Kryeministrin Edi Rama. Edhe socialistët me herët, kur ishin në opozitë kanë nxitur ngjarje, që kanë prodhuar marrëveshje politike. Analistët argumentojnë, se asnjë parti politike në qeveri nuk i ka ofruar opozitës atë që ka kërkuar vetë kur ka qenë në opozitë, gjë që tregon se interesat politke, kanë mbizotëruar mbi zgjidhjet reale.

Kriza politike aktuale në Shqipëri pas djegies së mandateve të opozitës dhe protestave të njëpasnjëshme të saj, që synojnë largimin e kryeministrit Edi Rama qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakoshme të përgjithshme është një histori e përsëritur prej afro 3 dekadash. Në Shqipëri janë arritur mbi 60 marrëveshje politike që prej vitit 1991.Afërsisht 20 janë të shkruara. Mes tyre ka marrëveshje, që kanë prekur kushtetutën dhe kodin zgjedhor, dhe kanë qenë funksionale për kohën. Ka dhe marrëveshje që kanë tejkaluar elementët e mosbesimit për momentin me sa më pak kosto.

“Pjesa tjetër kanë qenë marrëveshje të imponuara. Marrëveshje për mosmarrëveshje. Kanë qenë marrëveshje ku palët janë përpjekur të përfitojnë nga dobësia e palës tjetër, apo nga momenti politik. Dhe pjesa më e madhe e tyre kanë prodhuar kontenstim zgjedhor, incidente zgjedhore. Kanë prodhuar një situate, që nuk ka qenë as ligjore as kushtetuese”- shpjegon Afrim Krasniqi, politolog.

Një prej marrëveshjeve të rëndësishme ishte ajo e vitit 1992 për zgjedhjet e parakohshme, lidhej me përbërjen e KQZ, me mënyrën e kandidimit dhe administrimit të votës.

Më pas vjen marrëveshja e marsit 1997 për zgjedhjet e parakohshme edhe kjo, si dhe për disa elemente që lidheshin me gjendjen e rëndë në vend pas trazirave që pasuan rënien e skemave piramidale.

“Së bashku të shpallim atë për të cilën Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë, Platformën e Pajtimit Kombëtar” – u shpreh Sali Berisha në Mars të vitit 1997, në cilësinë e presidentit të vendit, në një takim me kryetarët e partive politike në vend.

Një prej marrvëshjeve që vlerësohet pozitive nga analistët, është ajo e vitit 2002. Palët ranë dakort për zgjedhjen e presidentit me konsensus edhe pse shumica e majtë i kishte votat në kuvend për zgjedhjen e tij nga rradhët e saj.

“Të integrojmë në procesin konsensual për forcimin e instituvioneve demokratike, Zotin Alfred Moisu, kandidat për president”- u shpreh Fatos Nano, kryeatar i PS në qeveri, në 23 Qershor 2002 në përfundim të konsultimeve me opozitën për zgjedhjen e presidentit konsensual.

“Padiskutim ky moment pasqyron vetëkorigjimin për atë ato qe nuk i kemi bërë si duhet në të shkuarën, dhe t’i bëjmë shumë më mirë sot e në të ardhmen”- u shpreh Sali Berisha, kryetari i PD në opozitë në krah të Z. Nano.

Kjo marrëveshje futi në një shtrat të ri dhe reformën zgjedhore, pasi opozita demokrate kish kontenstuar më herët dy reforma ato të vitit 2000 dhe 2001, duke i cilësuar tërësisht të njëanshme. Pas vitit 2003 reformat zgjedhore ishin me consensus. Kanë sjellë përmirësime në aspektin teknik por nuk i kanë shpëtuar interest politik thonë ekspertët.

“Një ndër problemet që kanë marrëveshjet, cilado qofshin ato është fakti që për momentin duket sikur sjellin një zgjidhje afatshkurtër, por në një perspektivë afatgjatë, ato kryesisht prodhojnë rregulla të reja që bien në kontradiktë me rregullat e vjetra”- thotë Blendi Çeka, analist.

“Partitë politike kanë dështuar bashkërisht të ndërtojnë institucione të tilla që të udhëheqin proçesin”- shprehet Ilirjan Celibashi Kryetar i KQZ 2001-2006.

Dhe pjesë e ngrehinës së pandërtuar zgjedhore ishte dhe marrëveshja e vitit 2007, që i dha garanci opozitës përmes vendosjes së rregullave për votimin me çertificatë.

“E bërë në momentet e fundit. Shpëtoi zgjedhjet, shtyu datën e zgjedhjeve, kufizoi ndjeshëm hapësirën e kandidatëve të tjerë dhe bëri pa vlerë vetë proçesin e zgjedhjeve”- shprehet politologu Afrim Krasniqi, mbi marrëveshjen e vitit 2007.

Në 13 janar 2007, Edi Rama kryetar i PS në opozitë dhe Bamir Topi, kryetar i grupit parlamentar të PD në qeveri pas nënshkrimit të marrëveshjes u shprehën:

“Ps nuk e ka në traditën e saj kontenstimin e zgjedhjeve”-tha Edi Rama.

“Mazhoranca ka demonstruar publikisht që është më e interesuara që më së fundi në Shqipëri të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”- u shpreh Bamir Topi.

“Pas marrëveshjes që u arrit dhe ndryshimeve në kodin zgjedhur në duhet të organizonim infrastrukturën dhe bazën materiale nga e para, në tre javë e gjysmë në mes të dimrit”- kujton Çlirim Gjata, Kryetar i KQZ 2006-2009.

“Marrëveshja kryesore që pati ndikim në jetën politikë është ajo e 2008, e ndryshimeve kushteuese. Vazhdon të jetë në fuqi. Ndryshoi jo vetëm sistemin zgjedhor por edhe elementë të tjerë. Hoqi KQZ nga kushtetuta, miratoi pastaj mandatin e qeverisjes vendore dhe elementës të tjerë që indirekt apo direkt ndikojnë në proçesin elektoral në Shqipëri”- shprehet politologu Afrim Krasniqi.

“Ne kemi marrëveshje për ndryshime të rregullave të lojës siç është në 2008. Dy partitë kryesore përfitojnë, pra janë të dyja arkitekte të ndryshimit. Është rasti tipik ku aktorët që duhet të preken nga rregullat i prodhojnë vetë rregullat”- shprehet Blendi Çeka, analist.

Kjo marrëveshje pati vetëm firmën e dy partive të mëdha, të PD në qeveri dhe të PS në opozitë dhe nisi zbatimin me ndryshimin e kushtetutës më 21 prill 2008.

“Me këtë veprim që po bëni sot, po tregoni që po bëheni viktima të një afere shumë të madhe dhe shumë të fëlliqur dhe shumë antishqiptare, midis Sali Berishës dhe Edi Ramës”– tha Ilir Meta në seancën e ndryshimeve kushtetuese më 21 Prill 2008.

“Nuk punoj unë për Edi Ramën, as Edi Rama për Sali Berishën, hiqeni nga mendja. Dhe të jeni të sigurt që kryetari i PS nuk punon për Sali Berishën. Përkundrazi punon për t’i marrë pushtetin Sali Berishës, sikundër Sali Berisha punon me çdo kusht të fitojë zgjedhjet”– iu përgjigj akuzave kryemininstri Sali Berisha në seancën e ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit 2008.

“Reforma e vitit 2008, është çështje kushtetuese, nuk është çështje e Kodit Zgjedhor dhe e cilësisë së zgjedhjeve. Është çështje e cilësisë që do vinte në parlament. Është çështje që ju dha mundësi atyre drejtuesve që të fusin krimin në parliament. Këtu bëhet ndarja, kush e futi krimi në parliament dhe kush jo. Të dyja palaët e kishin mundësinë. Njëra e futi krimin në parliament”- argumenton Çlirim Gjata kryetar i KQZ në vitet 2006-2009.

Deputetët e partive të vogla në nëntor të 2008, hynë në grevë urie në sallën e kuvendit dhe kodi zgjedhor që ishte rrjedhojë e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillt të këtij viti, u miratua në prani të tyre.

Një prej marrëveshjeve të viteve të fundit është ajo e Majit të 2017 që i dha fund protestës 4 mujore të opozitës demokrate nën çadër e cila kërkonte dekriminalizimin e parlamentit dhe zgjedhje të lira.

“Marrëveshja e 2017, vërtet ishte marrëveshje politike në aspektin e kontrollit të proçesit zgjedhor. Nuk ishte një marrëveshje që prodhoi një reformë zgjedhore. U vunë dispozia drastike në kodin penal për çështje të shitblerjes së votës. Pati një ndryshim në KQZ që të kishte një barazpeshë. U vendosën dhe ministrat teknikë, që do bënin kontrollin e administrates, që të mos ndërhynte në proçesin zgjedhor”- argumenton Çlirim Gjata kryetar i KQZ në vitet 2006-2009.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që mazhorancat t’i kenë ofruar opozitës atë që kanë kërkuar vetë kur kanë qenë në opozitë”- shprehet Afrim Krasniqi politolog.

“Në fakt kjo është dhe një përgjegjësi, sepse kur ke patur pushtetin duhej të kishe menduar për t’i ndërtuar këto institucione, me qëllim që, ditën që do jesh në opozitë, të mos kërkosh ato garanci që je duke kërkuar sot”- pohon Ilirjan Celibashi kryetar i KQZ në vitet 2001-2006.

“Problemet teknike nga të cilat kemi vuajtur shumë deri më sot, dhe që janë përkthyer në probleme politike sot kanë dalë në plan të dytë. I gjithë problem bazë sot është marrëdhënia më krimin e organizuar në proçesin zgjedhor” – shprehet Çlirim Gjata, kryetar i KQZ 2006-2009.

E megjithatë analisti Blendi Ceka është optimist kur thotë:

“Unë besoj që pas 29 vitesh ne e kemi eksperiencën e mjaftueshme për të ndaluar dhe për të patur një reflektim të thellë, për mënyrën se si ne i ndërtojmë institucionet dhe gjithë kuadrin politik, se si i interpretojmë dhe zbatojmë ato”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular