BallinaAktualitetMbi 5500 euro për një pishë: Kontrata e Bashkisë së Tiranës nën...

Mbi 5500 euro për një pishë: Kontrata e Bashkisë së Tiranës nën hetim nga Prokuroria

spot_img
spot_img

Planet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës pritet të rrafshojnë pas palmave, edhe pishat e kushtueshme në skarpatet e saj, të cilat u mbollën përmes një kontrate me negocim mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “Fusha” sh.p.k; kontratë e cila po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për “shkelje të barazisë në tendera”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku paralajmëroi së fundmi planet e afërta të qeverisë “Rama” për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës; një projekt i debatueshëm ky që synon sipas saj zgjerimin e rrugës dhe vendosjen e një tarife për përdoruesit e saj.

“Ne po punojmë, në vjeshtë projekti do të shpallet për garë dhe më pas do të kemi një garë transparente për të qenë fituesi i radhës. Më pas do të fillojnë punimet…,” tha Balluku në mesin e majit për gazetarët.

Projekti i qeverisë për arterien kryesore të vendit është ende i paqartë, por ajo që dihet me siguri është fakti se zgjerimi i autostradës do të rrafshojë për herë të dytë brenda pesë vitesh pemët e kushtueshme në skarpatet e saj, për të cilat qytetarët e Tiranës e kanë paguar tashmë faturën e kripur prej 332 milionë lekësh [2.6 milionë euro].

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një korrespondence të gjatë me një seri institucionesh tregojnë se pavarësisht dijenisë për projektin e zgjerimit të autostradës, Bashkia e Tiranës shtyu përpara planet për të zëvendësuar palmat e thara me pisha të buta në hyrje të kryeqytetit në nëntor 2017.

Dy muaj më pas, përmes një drejtorie në varësi të saj, Bashkia e Tiranës paracaktoi si fitues kompaninë “Fusha” sh.p.k; ndërsa lidhi me të një kontratë me negocim dhe pa shpallje paraprake duke u bazuar te një përjashtim i ligjit për “Prokurimin Publik” që përdoret në raste të nevojës ekstreme apo për ngjarje të paparashikuara.

Kontrata me vlerë 332 milionë lekë për mbjelljen e pishave të buta nga mbikalimi i Kamzës deri në atë të Kasharit iu bashkangjit faturës prej 90 milionë lekësh që Ministria e Mjedisit shpenzoi në vitin 2014 për të gjelbëruar të njëjtin segment me drurë palme.

Kontrata e Bashkisë me kompaninë “Fusha” sh.p.k u denoncua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët e akuzuan kryebashkiakun Veliaj se po paguante 5 milionë lekë [të vjetra] për një pishë si dhe u kallëzua prej tyre në Prokurori.

Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se prej shtatorit 2018 kishte regjistruar një procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës dhe “shkeljes së barazisë së pjesmarrjes në tendera” mbi kontratën e lidhur me kompaninë “Fusha” sh.p.k.

“Çështja është ende në hetim dhe nuk ka persona të ndaluar apo të pezulluar nga detyra,” tha përmes një përgjigje të shkruar Prokuroria e Tiranës.

E pyetur nga BIRN për kontratën me Bashkinë dhe hetimin e Prokurorisë, kompania Fusha sh.p.k nuk dha përgjigje deri në botimin e shkrimit. Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj gjithashtu kërkesave të përsëritura për koment të BIRN, ndonëse iu la në dispozicion kohë e mjaftueshme.

Mbi 5500 mijë euro për një pishë  

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 30 qershorit e ka kthyer mbjelljen e pemëve në një prej pikave të forta të qeverisjes së tij, ndërsa ka publikuar qindra foto me lopatë e kazëm në dorë në zona të ndryshme të Tiranës pranë fidanësh të njomë dhe gropash të hapura.

Por ndryshe nga publiciteti i kthyer në rutinë, mbjellja e pishave të buta në autostratën Tiranë-Durrës në fillim të vitit 2018 u kalua në heshtje prej tij.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se fondet për zëvendësimin e palmave të thara me pisha të buta u miratuan në një ndryshim buxheti afatmesëm në Këshillin Bashkiak të Tiranës në fund të vitit 2017.

“E pranojmë që palmat nuk ishin një zgjedhje për t’i mbijetuar këtyre temperaturave. Nëse do t’i përfundonim përpara vitit të ri [mbjelljen e pishave] kjo do të ishte një situatë ideale,” tha kryebashkiaku Veliaj në Këshillin Bashkiak më 23 nëntor 2017.

Kontrata që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për “shkelje të barazisë në tendera” iu dha nga Drejtoria Numër 1 e Punëtorëve të Qytetit me negocim dhe pa garë në fillim të vitit 2018 kompanisë “Fusha” sh.p.k. Ajo kishte për objekt gjelbërimin e dy anëve të autostradës, në segmentin “Mbikalimi i Kamzës – Mbikalimi i Kasharit”.

“Fusha” sh.p.k. është ndër fituesit më të mëdhenj të kontratave me Bashkinë e Tiranës, përfshi ndërtimin e Sheshit Skënderbej, ndërsa emri i saj në mënyrë të paprecedentë u bë pjesë e një ligji special të miratuar në Kuvend për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, një projekt i kontestuar prej muajsh në protesta.

Fondi i vënë në dispozicion të kompanisë Fusha ishte rreth 332 milionë euro, i ndarë për t’u disbursuar përgjatë viteve 2017-2019. Pas një ndryshimi të dytë të vendimit në Këshillin Bashkiak, kontrata u ekzekutua plotësisht gjatë muajve janar dhe maj 2018.

Nga prilli deri në shtator 2018, BIRN i drejtoi tre kërkesa për të drejtë informimi Bashkisë së Tiranës dhe mori mbrapsht tre shkresa, por jo përgjigje për pyetjet mbi kontratën me kompaninë “Fusha” si dhe numrin e pemëve të mbjella nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit.

Në një korrespondencë të katërt në tetor 2018 me palë edhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve deklaruan se “informacioni i kërkuar ishte sekuestruar me vendim të Prokurorisë më 24 shtator 2018 dhe për këtë arsye nuk është më i aksesueshëm”.

Në mungesë të përgjigjes nga Bashkia, BIRN numëroi pishat e mbjella nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit. Në të dyja anët e rrugës në një gjatësi prej afro 7 kilometrash u evidentuan rreth 405 pisha të matrikulluara me mbishkrimin “FUS”.

Të dhënat u ballafaquan edhe me statistikat e publikuara në faqen opendata.tirana.al, në databazën e së cilës raportohet se shpenzimet për gjelbërimin rrugor të Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Qytetit për muajt Janar dhe Maj 2018 janë më të larta se zakonisht, pasi përfshijnë edhe vendosjen e drurëve dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar.

Numri i drurëve të raportuar në muajt Janar dhe Maj 2018 është 485 copë gjithsej.

BIRN iu drejtua tre kompanive që tregtojnë dru dekorativë; njëra në Kavajë dhe dy të tjerat në Tiranë dhe mësoi se çmimi i shitjes për një pishë të ngjashme në treg varion nga 700 deri në 1000 euro.

Por Bashkia e Tiranës i ka paguar kompanisë “Fusha” sh.p.k çmime disa herë më të larta se ato të tregut, të cilat variojnë nga 5500 euro/pisha për numrin e drurëve të raportuar në portalin e Bashkisë në 6500 euro/pisha për numrin e drurëve të matrikulluar që BIRN konstatoi nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit.

Investimi që shkon “dëm”

Pisha te matrikulluara me mbishkrimin “FUS” qe BIRN numeroi nga mbikalimi i Kamzes deri ne ate te Kasharit. Foto: Geri Emiri.

Plani për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës nuk është i ri dhe është paraprirë nga një projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar për zgjerimin e saj nga dy në tre korsi, i prezantuar publikisht në shtator 2016. Projekti i ARRSH-së është i ndarë në tre lote; ku segmenti nga mbikalimi i Kamzës deri në Vorë përbën lotin e parë të saj.

Gjithashtu, nuk është i ri as shqetësimi për mbivendosje projektesh në autostradë në dëm të buxhetit të shtetit, i cili duket se ka rënë në vesh të shurdhër.

Në fillim të vitit 2016, projekti i Ministrisë së Mjedisit për mbjelljen e palmave në autostradë u bë pjesë e një kallëzimi që Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri në adresë të drejtuesve të atëhershëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shqetësimi i KLSH-së lidhej me gropën e parave të shpenzuara në autostradën Tiranë-Durrës, ndërkohë që po përgatitej projekti për zgjerimin e saj me tenderat për rehabilitimin e rrethrrotullimit të Doganës, përmirësimin e sinjalistikës rrugore dhe gjelbërimin me palma të aksit nga mbikalimi i Kamzës deri në Kashar. Të tria projektet kishin kushtuar rreth 593 milionë lekë pa TVSH ose 4.7 milionë euro.

“Në dijeni të plotë të këtyre investimeve, ARRSH nëpërmjet prokurimit të këtij studimi ka projektuar që në fillim shkatërrimin e investimeve të filluara me një vlerë totale prej 593 milionë lekësh pa tvsh, çka automatikisht i kthen këto investime në vlera të konsiderueshme monetare në investime tejet afatshkurtra, të cilat rëndojnë në mënyrë të papërgjegjshme buxhetin e shtetit,” thuhet në raportin e KLSH.

Kontrata e Bashkisë së Tiranës në rrugën e administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka fryrë më tej kostot e investimeve që pritet të dalin jashtë funksionit me zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.

E pyetur nga BIRN nëse e kishte informuar Bashkinë për planet e zgjerimit të rrugës, Autoriteti Rrugor Shqiptar e shkarkoi përgjegjësinë nga vetja, duke pohuar se Bashkia e Tiranës ishte në dijeni.

“Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës është një projekt i hartuar në periudhën kohore 2014-2016. Sipas legjislacionit në fuqi, konsultimi me publikun është kryer dhe në takimin e organizuar janë ftuar të gjithë aktorët si Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë, Bashkia Kamëz, grupet e interesit etj,” tha ARRSH.

“Bashkia Tiranë ka marrë pjesë në takimin e konsultimit me publikun,” përfundoi ajo.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular