Arrestohet ish-Kryetari i Komunës Shalë të Shkodrës, 48 vjeçari Dedë Tonaj. Ai ishte i dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg, nën akuzën e abuzimit me pronat. Tonaj, banues ne fshatin Vuksanaj, ishte i shpallur në kërkim prej kohesh.
Po kështu behet e ditur se policia ka arrestuar një 36 vjecar në Shkodër, me inicialet Z.M.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Vijon zbatimi i planit të masave për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim Kapen dhe ndalohen dy persona të shpallur në kërkim. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim D. T. 48 vjeç, banues në fshatin Vuksanaj, Shkodër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me vendim nr.1094, datë 19.12.2017, e ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg, për veprën penale “Shperdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhe kohe prej 5 vitesh në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal. Gjithashtu nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Z. M., 36 vjeç, banues në Lagjen Skenderbeg, Shkodër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë, nr. 124 datë 07.02.2019, e ka denuar me 1 vit burg për veprën penale “Dhunë në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.
Kush ishte Dede Tonaj
Mësohet se i dënuari për “shpërdorim detyre” është Dedë Tonaj, 48 vjeç, ish-kryetar i komunës Shalë në Shkodër. Prokuroria e Shkodrës kishte përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës Shalë, të akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Zyrtarët akuzohen se, në kundërshtim me ligjin kanë shpërndarë rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit. Ish-kryetari i komunës Shalë, Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi ka falsifikuar dokumenta zyrtare, në bazë të të cilave persona të ndryshëm janë bërë pronarë të tokave në zonën turistike, pa pasur asnjë të drejtë ligjore për përfitim të pronësisë.
Ish-kryetari i Komunës Dedë Tonaj, në bashkëpunim me shtetasin Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, ndër të tjera, ka lëshuar AMTP në kundërshtim me kriteret e përfitimit te tokës edhe në favor të fëmijëve të tij. Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se, në bazë të këtyre akteve joligjore, janë regjistruar në Hipotekën e Shkodrës pronat në një sipërfaqe totale prej rreth 41.500 m2 në zonën e Thethit, ndërsa pjesa tjetër e pronave janë në proces regjistrimi. Për këtë arsye, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre.
Ndërsa për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria e Shkodrës njofton Avokaturën e Shtetit, për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-komunën Shalë (Theth). Nga një hetim i mëparshëm i organit lokal të akuzës lidhur me veprimtarinë e ish-drejtuesve të Hipotekës së qytetit kishin dalë në dritë të dhëna të tjera mbi veprimtari të paligjshme të kryera nga ana e ish-zyrtarëve të komunës Shalë.