Vlora është një qark me plot burime natyrore, me turizëm të zhvilluar, bujqësi me ullishte dhe agrume, mirëpo ekonomia e saj nuk po shkon aspak mirë. INSTAT zbuloi se në vitin 2017, ekonomia e Qarkut të Vlorës shënoi rënien më të madhe me 3.3%.
Kjo ishte rënia më e fortë që nga viti 2012. Gjatë dekadës ekonomia e Vlorës ka mbetur në vendnumëro, duke u rritur me vetëm 0.1%. Edhe pse me mundësi për prosperitet, Vlora nuk ka parë ditë të bardha, edhe pse është ndër qarqet që ka prurje të mëdha nga Ekonomia e zezë, çka nuk duket se i ka sjellë më shumë të ardhura ekonomisë vlonjate, por vetëm ka shtuar kriminalitetin dhe vrasjet në qytetin bregdetar. Ekonomia e Vlorës dha një kontribut negativ në ekonominë kombëtare me 0.19% në 2017.
Të ardhurat për frymë në rajonin e Vlorës ranë me 2% në 2017-n, pas një rritjeje të fortë që kishin shënuar në 2016-n, duke treguar që përmirësimi i të ardhurave nuk ishte i qëndrueshëm.
Studimet vendase dhe ndërkombëtare për krimin e organizuar e rendisin Vlorën si qendrën kryesore të zhvillimit të trafiqeve dhe eksportit të lëndëve narkotike me jashtë. Pozicioni gjeografik, Porti dhe afërsia me Italinë e kanë bërë Vlorën atraktive për trafikantët. Shumë familje e kanë të lidhur jetesën me ekonominë e zezë, teksa numri i vrasjeve mafioze është më i lartë në këtë qark.
Një Studim i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në lidhje me Krimin e Organizuar tregon se qytetet kryesore nga të cilat transportohet droga e fortë nga Shqipëria në Itali, janë Vlora dhe Durrësi. Porti i Vlorës është pika transballkanike për transportin e drogave të forta nga Lindja në Perëndim. Gjithashtu gjatë vitit 2016, qyteti mbolli dhe trafikoi sasi të mëdha të hashashit.
Edhe pse Vlora është një nga qendrat më të mëdha të eksportit të drogës kjo nuk e ka ndihmuar ekonominë e saj të rritet përkundrazi. Të ardhurat ekonomisë zezë të përqendruara në pak të duar, duket se janë shpenzuar më së shumti jashtë qarkut, duke mos e ndihmuar qarkullimin në ekonominë e Vlorës.
Nga ana tjetër, qyteti i Vlorës duket se ka rënë në depresion për shkak të kësaj situate, pasi sipas të dhënave të INSTAT, është qarku me rënien më të madhe të lindshmërisë. Studime të tjera kanë gjetur se Vlora ka potencialin më të lartë të emigracionit në vend.
Ekonomia e Vlorës dominohet nga bujqësia, tregtia dhe turizmi. Bujqësia zuri 28.1% të ekonomisë së qarkut më 2017, ndërsa tregtia dhe turizmi 18.9%. Industria dhe ndërtimi zunë 10 dhe 11% secila në tërësinë ekonomisë së qarkut. Pesha e bujqësisë nga viti 2012 u rrit (ishte 24% në 2012), kurse pesha e turizmit në ekonominë e qarkut u ul (ishte gati 20% në 2012). Monitor