Kryeminstri Rama, në krah të ambasadorit të BE në Tiranë, deklaroi pak çaste më parë se nuk ka ndërmend të negociojë datën e zgjedhjeve lokale. I pyetur mbi një propozim të para disa ditëve të presidentit Meta, se ky i fundit do të ishte i gatshëm të shtynte 30 qershorin nëse palët arrinin një marrëveshje, Rama tha se e vlerësonte gatishmërinë e Presidentit, por ai dhe Partia Socialiste nuk kanë asnjë datë për të negociuar. “Me datë 1 qershor nis fushata për zgjedhjet lokale”, tha Rama
Duke e lidhur një dështim të mundshëm në hapjen e negociatave me krizën politike në vend, Edi Rama ia faturoi opozitës ngecjen e përsëritur në raport me integrimin. Duke e cilësuar si “opozita rrugore”, Rama e akuzoi atë se po i jep argumentave kundërshtarëve të zgjerimit në BE, për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.
Në gjithë konferencën për shtyp, kryeministri Rama nuk mori asnjë përgjegjësi mbi qeverinë e tij, për faktin se edhe pas 6 vjetësh, ndërkohë që e premtoi që në vitin 2013, nuk ka arritur të marrë një datë për të nisur bisedimet me Brukselin.