Një ligj i ri ka shpallur tani „geto“ lagjet, ku banojnë kryesisht banorë me prejardhje jo perëndimore. Partitë ashpërsojnë ligjet për integrimin e migrantëve dhe bëjnë fushatë me këtë temë.
Tema e migracionit është çështja më e madhe e luftës elektorale në Danimarkë, ku më 5 qershor zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Jo vetëm populistët e djathtë, por edhe socialdemokratët po ndjekin një kurs të ashpër ndaj migrantëve. Një ligj i ri ka shpallur tani „geto” lagjet, ku banojnë kryesisht banorë me prejardhje jo perëndimore.
Në Nyhavn të Kopenhagës ndodhet Bashkia e qytetit dhe parku i lojrave, Tivoli. Miliona turistë vizitojnë çdo vit Danimarkën. Atyre u pëlqen ky vend i vogël me „Dannebro”, ku shumë gjëra janë „hygge”
Kështu është edhe tek Morten Karsgaard. Në imbisin e tij ai kërkon të ruajë atë që ai e quan, Danimarka klasike. Smörrebröd dhe Pölser – dhe jo me kebap, pica dhe falafel. “Ne duam të ruajmë atë që është kombëtare, e jona, atë prej të cilës vijmë. Kjo është shumë e rëndëndishme. Shumë vetë nuk e dinë më çfarë është një Pölserwurst e vërtetë, ose një Smörrebröd. Nuk ka shumë pika ku mund të gjesh gjëra të tilla. Kjo është e trishtueshme.
Danimarka e tij ndodhet në rrezik, e rrezikuar nga lagje si Mjølnerparken, që ndodhet në veri të Kopenhagës. Njëra nga 29 lagjet e banuara nga familje migrantësh, që në danishten zyrtare të qeverisë quhet geto.
Papunësia dhe kriminaliteti është këtu më i lartë se mesatarja daneze, dhe të ardhurat e arsimi janë më të ulta. Më shumë se gjysma e banorëve të Mjølnerparken është me origjinë nga vende jo perëndimore. Në këtë mënyrë kjo zonë e Danimarkës, është kthyer në geto, e cila duhet të shpërbëhet pas një periudhe kohe. Mohammed Aslam jeton këtu prej 30 vjetësh dhe ndihet e i margjinalizuar nga ligji i ri. “Sipas ligjit të ri për getot, vetëm sepse unë nuk kam lindur në një vend perëndimor, dhe vetëm sepse unë i kam kaluar shtatë vitet e para të jetës sime në Pakistan, kjo shihet si kriter negativ për fëmijët e mi. Kjo është shumë diskriminuese kur ia thua dikujt që është rritur këtu, dhe ndihet si në shtëpi të vet dhe e vlerëson gjithçka shumë mirë.”
Youssuf Abdulkhalek është student. Edhe ai jeton në Mjølnerparken, dhe studion në universitet. Natyrisht që në lagje ka kriminalitet. Por, Youssuf mbrohet nga paragjykimet përgjithësuese. “Kur dikush bëhet kriminel, ai na dëmton të gjithëve, edhe mua dhe shokët e mi që shkojmë të gjithë në universitet. Por askush nuk flet për ne. Ata flasin vetëm për ata që bëjnë krime.”
Me ata ai ka parasysh populistët e djathtë siç është Rasmus Paludan. Ai ndez atmosferën kundër njerëzve nga Mjølnerparken. Kryetari i partisë „Stram Kurs”, është forca e re islamofobe në Danimarkë. Ai shkon i mbrojtur nga policia në lagje të qytetit ku jetojnë shumë myslimanë, kërkon atje të provokojë dhe lëshon video në internet. Ata parakalojnë me parrulla, që i adresohen migrantëve: “ikni, zhdukuni nga vendi ynë”
Ai i quan këto „mitingje”, i referohet së drejtës për shprehjen e mendimit të lirë dhe nuk druhet, por djeg madje në publik kuranin.
Por njëkohësisht është organizuar edhe rrezistenca me parrullat „Jo rracistë në qytetin tonë”.
Në Nørrebro ata kanë dalë në mbrojtje të Danimarkës liberale, të hapur ndaj botës. Helmi i urrejtjes ndaj të huajve nuk duhet të përhapet më shumë. Uzma Ahmed, aktiviste për të drejtat e grave:
“Unë dëgjoj shumë histori të fëmijëve që tregojnë se luajnë në oborrin e shkollës duke i thënë njëri-tjetrit: „Cili është ai që do të dëbohet tani? Ti. Sepse ti je mysliman”. Kjo i shkatërron fëmijët. Ata ndihen si danezë.”
Catharina Sørensen është studiuese e shkencave politike në Institutin „Think Tank Europa” në Kopenhagen. Ajo i ndjek me shqetësim zhvillimet politike në vend. “Tema e migracionit është tema më e rëndësishme e fushatës elektorale të të gjitha partive në Danimarkë. Dhe të gjitha kanë pak a shumë të njëjtin mesazh, si në kampin e djathtë ashtu dhe në atë të majtë.”
Mohammed-it i dhemb shumë që madje edhe socialdemokratët ndjekin kurs të ashpër në politikën ndaj të huajve. E gjithë klima politike ka ndryshuar. Mohammed Aslam shoqata e banorëve Mjölnerparken: Në fushatën elektorale të dy viteve të fundit partitë kanë qenë në garë kush del më ashpër dhe në mënyrë më armiqësore se të tjerët kundër të huajve dhe pakicave etnike. Në këtë mënyrë politikanë të caktuar hapin dyert për nxitjen e pikëpamjeve rraciste nga parlamenti në popull.”
„Diçka nuk shkon në shtetin e Danimarkës”. Kjo fjali e famshme e Hamletit është 400 vjeçare. Por shumë vetë këtu mendojnë se ajo është bërë shumë aktuale.