Nga Romeo Gurakuqi
Europa e vërtetë zgjodhi dhe klasa e saj politike reflektoi menjëherë! Nga Londra në Athinë, forca e lirisë zgjedhore të qytetarëve të mbrojtun nga shteti “përmbysi” brenda natës, pa nevojën e asnjë demonstrimi, rehatinë e disa qeverive, duke hapur mundësinë e rikonfigurimit nacional të udhëheqësisë. Struktura institucionale e demokracive funksionale pamundëson çdo abuzim me “legjitimitetet” e tejkalueme nga rrjedhat politike të përditshme. Ndërkohë, Shqipnija e paeuropianizueme, e varfën dhe e deformueme në hierarkinë e vlerave dhe parimeve kushtetuese, gjendet nën agoninë e dhunës së gangsterëve, që mbrojnë nji rreth njerëzish të kapun pas të shkuemes dhe pasunive të vendosuna me padrejtësi. Këtu, prej kohësh, shpresa e ndryshimit përmes votës nuk ekziston. Aq poshtë ka ra ky vend, sa sytë e shqiptarëve të mbetun në kurthin e nji shteti të pashpresë, këto ditë janë drejtue nga ndërmjetësimi i nji biznesmeni të oligarkisë, mbasi Kryeministri i tyre nuk lëviz nga bunkeri i rrethuar me ushtarë të verbër. (i vërtetë apo i rreme ky lajm, askush nuk mund ta mohojë, se fati i zgjidhjeve politike ngelet ende i varun ndër përzgjedhjet, humorin, interesat e “klasës së re të të pasunve mospërfillës”, që jetojnë ndër orgjinat financiare, allishverishet e paligjshme, të thuruna netëve, ndër rezervatet e Kunorës së Tiranës).
Por papritmas, si për t’u ngjallun pak shpresë bashkëqytetareve nën rrethim, nji vajzë shqiptare prej atyre familjeve që i kanë shërbye përherë më përkushtim dhe dashuni vendit amë, zgjidhet eurodeputete në Stokholm. Nji andërr, që në atdheun e saj të kapun nga vulgu i ngritun në majë, nuk do të mund ta realizonte kurrë. Asht mundësia që të jep nji vend i lirë, ku forca e sovranit përcakton gjithçka, rikonfiguron me detyrim çdo orientim politik, ndryshon rrjedhat dhe qëndrimet, përmbys çdo orvatje për të ecë mbi shabllonet e nji kohe të kapërcyeme.
Me gjithë pamjen dhe perspektivën e zymtë për vendin, po ta shohim me kujdes, sot asht nji ditë e re dhe ka nji dritë shpresë që buron përtej nesh. Nuk asht tanimë vetëm Beogradi, Podgorica, Shkupi dhe Prishtina, që kontrastojnë me rregulla dhe logjikë konstitucionale, Tiranën zyrtare të socialistëve të palëkundun. Nga Roma, Athina, Berlini dhe Brukseli, si përherë, kambana e shembullit të kërkimit të legjitimitetit demokratik për të qeverisun ka mbërritë sot në mëngjes në qiellin e Shqipnisë së zymtueme nga qorrat dhe shurdhat qeverisës.
Gjasat dhe logjika na prijnë të mendojmë se sot janë orët e fundit të njeriut të mbyllun në bunker. As batutat e sarkazmat e huazueme nga e kaluemja bulevardeske, as përqeshjet prej kulimi të kundërshtarëve, as krekosjet alla musoliniane nuk do të mund t’ia fshehin dot ma shkërmoqjen që i bani shtetit, akti final i të cilit u mbyll në Rinas më 9 prill 2019, si fasadë e grabitjeve të mirëorganizueme dikund tjetër në kupolën ilegale komanduese.
Mirëpo, përvoja politike e rezistencës së tij të palogjikshme na ban me arsyetue, se ai do të vijojë i patundun rrugën e shurdhët dhe të krenarisë absurde.
Opozitës i takon të ruhet në këto orë nga lëvizjet e tij të befta, për të cilat ai ka disa javë që e ka përgatitun rrethin e tij të ngushtë të udhëhëqësisë socialiste: kalim në zgjedhje të parakohshme në muajin shtator, të organizueme nga qeveria e tij dhe Parlamenti i sajuem me paratë informale të klientelës.
Por Shqipnia nuk është nji vend normal si gjithë të tjerat vende rreth e qark nesh, në pikëpamje të strukturës demokratike zgjedhore, institucionale dhe ndamjes administrative. Si kanë ardhun punët, këtu nuk mund të shkohet në zgjedhje pa nji periudhë të nevojshme tranzitore të ristabilizimit demokratik. Opozita Demokratike, Shoqëria Civile, Elita Intelektuale kanë sot për detyrë t’i heqin tubat e mbijetesës dhe të rikthimit të të sëmurit, që rrënoi familjen shtetërore shqiptare. Dhe këtu qëndron problemi: Të prihet populli për t’i këputë kryet së keqes: Serioziteti i nismës reformative dhe saktësia e ndryshimit mbetet sfida kryesore e kujtdo, që e ka njimendësisht përmbysjen e regjimit rilindës, për arsye të interesave publike afatgjata. Kjo do të thotë që regjimi i shformimit shtetëror që themeloi Edi Rama, jo vetëm duhet të përmbyset, por ristabilizimi pasues shtetërore asht i nevojshëm të kryhet tanimë pa asnji gabim dhe asnji improvizim. Detyra asht shumë komplekse për shkak të ndërlikimit të situatës legale për zgjidhje themeltare.
Sfida themelore asht ndërtimi paraprakisht, me studim profesionistësh, i të gjithë modelit ristabilizues. Nji numër shumë i madh qytetarësh të paanshëm i janë bashkangjitun opozitës në muajt e fundit, por sfida kryesore mbetet te tërheqja e njerëzve, që dinë të lexojnë dhe analizojnë realitetin, asnjanësit, që kanë nevojë për injektim të fuqishëm sigurie e besimi, se e nesërmja do të jetë nji shtet i europianizuem, pastërtisht laik dhe në ekuilibër kulturore dhe regjional. Bahet fjalë për ristrukturim burimesh njerëzore të drejtimit politik të shtetit të shkërmoqun nga baronët e kanabisit dhe kokainës. Duhet nji rivendosje e rendit të kapaciteteve, respektim i konventave kushtetuese të themelimit, nji rikualifikim i pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit të drejtimit, për shkak se Rilindja shkërmoqi hierarkinë e vlerave dhe balancat krahinore. Pa realizue këtë rishtresëzim të hierarkisë profesionale, pa i shpërnda drejt e ndershëm komponentët e udhëheqësisë politike e shtetnore, pa heqë vulgun nga urdhnimi i njerëzve të lexuem, asht e vështirë këputja e fillit të rrethit, që rrotullon marrëzinë e politikës. Saktësia e drejtimit asht nji çështje kulturore e mbartësve të udhëheqësisë, asht problem dijesh dhe përvoje, asht çështje programore, asht saktësi metode, asht pastërti dhe cilësi e burimeve njerëzore mbështetëse, asht dijeni për shtresëzim nivelesh për pjesëmarrjen në qeverisje dhe administratë.
Tanima, improvizimet, diletantizmi, mungesa e përgjegjësisë do të jetë e pafalshme dhe saktësia e implementimit të modelit teorik të veprimit, për rastin e Shqipnisë së vitit 2019 mbetet nji detyrim ndaj historisë dhe trashëgimisë së themelvënësve. Nuk ka ma “njeni thumbit e tjetri patkonit”. Bindja se në këtë vend nuk mund të bahet ma kurrë nji punë për së mbari, që të zgjasë në kohë, duhet të demontohet kësaj radhe me themel. “Ushujzat, që ia kanë thithë gjithmonë gjakun Shqipnisë, pa ia pa kurrkush hajrin”, nuk duhet të lejohen të na shfaqen si shpëtimtarë dhe neutralizatorë të përplasjes. Opozita demokratike ka për detyrë të japë shpresën e vetë. Disfatizmi i shqiptarëve të sodit ndaj politikës duhet të bjerë, pa i futë të gjithë në “thesin e pleshtave”, që u pinë gjakun njerëzve të kësaj shoqnie. “Rilindësit” erdhën dhe shkatërruen fund e maje gjithçka pozitive i kishte mbetë shtetit andërrues të shqiptarëve, të dalun prej diktaturës në vitin 1991. Ndaj, ne sot duhet të kemi ndërgjegjen e pastër dhe mendjen e kthjellët me krye detyrën dhe me korrigjue me themel shtetin, njëherë e mirë.
Sëmundja duhet sherue me rranjë dhe ekipi që do të kryejë operimin kirurgjikal të shtetit dhe do rikthejë barazinë zgjedhore të subjekteve, duhet të jetë ma i miri. Këtë ma të mirin nuk e zgjidhë populizimi, as përllogaritjet e përkohshme. Unë e kam të qartë, se në nji kohë si e jona dhe në një vend si i yni, “ku qejt janë çu peshë duke u shty njeni me tjetrin, kush hardalliset e kapardiset ma shumë”, ku në administratë, karrocierët trafikantë me parti, zaptuesit e pronës së qytetarëve, prej kohësh drejtojnë inxhinierët dhe ekonomistët, asht e vështirë me vendos rendin normal të gjanave, pa krijue pakënaqësi dhe diferencim. Por nuk ka rrugë tjetër për me ringjallë shpresën e saktësisë së aksionit të përmbysjes së “regjimit të gangsterëve”. Duhet guxim për me veprue pa diletantizëm, mbasi lipset me u ba detyra ndaj Shqipnisë sot. Në qoftë se kjo nuk ndodh kështu, nesër në këtë vend kanë me mbete veç llumi i një shoqnie, ajo pjesë qi mendon se pasunimi i shpejtë me çdo mënyrë e mjet justifikon gjithçka.
Ne nuk duhet të lamë ma shqiptarë të tjerë pa atdhe.