BallinaOP EDNëse ke fat ta bësh mik një kosovar, atij mund t’ia besosh...

Nëse ke fat ta bësh mik një kosovar, atij mund t’ia besosh edhe jetën!

spot_img
spot_img

Nga Nga Noel Malcolm

Vendi i vogël i Ballkanit padrejtësisht nënvlerësohet. Ai ka natyrë grandioze, njerëz mikpritës dhe kulturë mahnitëse. [Ky shkrim u botua në numrin më të ri të revistës zvicerane «Weltwoche»].

Së fundi, në një ndejë, ia nisa muhabetit me një të panjohur. Kur i tregova se kam qenë për pushime në Kosovë, ai më këqyri me habi. «Ah, po», tha ai më sarkazëm, «e ku i kaloni gjetiu pushimet? Afganistan? Libi». Tani më erdhi radha mua të reagoj me habi. Me mirësjellje shpjegova se lufta në Kosovë ka përfunduar qëmoti, së shpejti, më 11 qershor do të shënohet 20-vjetori i përfundimit të luftës. Theksova po ashtu se Kosova nuk gjendet në Azi apo Afrikë, por në Europë. Shumë turistë vizitojnë vende të tjera të rajonit, për shembull Malin e Zi, Kroacinë apo Bullgarinë. Gjithnjë e më shumë vizitojnë Shqipërinë. Përse të trajtohet ndryshe Kosova? E kam të qartë se nuk jam turist i rëndomtë. Që nga vitet ’80 e vizitoj rregullisht rajonin dhe para 21 vitesh kam publikuar një histori gjithëpërfshirëse të Kosovës. Ndoshta e shoh veten si avokat të këtij vendi të vogël – dhe këtë e bëj për shkak se ekzistojnë arsye të mira: Kosova ka qenë dhe është objekt i paragjykimeve të padrejta. Natyrisht kjo ka të bëjë me sfondin politik. Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 2008, ishte hapi përfundimtar, qëmoti i domosdoshëm në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë së vjetër.

Kushtetuta jugosllave e trajtonte Kosovën në mënyrë kundërthënëse dhe ambivalente – në njërën anë si pjesë të Serbisë, në anën tjetër si krahinë autonome të Jugosllavisë federative. Në të vërtetë Kosova kishte të gjitha institucionet kyçe të një njësie federale, dhe kur u shpërbë Jugosllavia, ajo kishte të drejtën e njëjtë për pavarësi si Kroacia, Sllovenia dhe pjesët tjera. Pavarësia e kompensoi një padrejtësi eklatante. Kosova u okupua nga serbët në vitin 1912, kundër vullnetit të pjesës më të madhe të popullsisë. Pasoi një politikë që zyrtarisht u quajt «kolonizim». Nën Titon shtypja u zbut hap pas hapi, nën Millosheviqin, i cili faktikisht instaloi një regjim aparteidi, kjo politikë u ashpërsua sërish. Dhe para luftës së vitit 1999 u dogjën shtëpi të shqiptarëve të Kosovës, qindra-mijëra u arratisën nga vendlindja e tyre.

Tërheqja e ushtrisë së Millosheviqit në qershor 1999 ishte një hap i madh për rivendosjen e drejtësisë. Megjithatë, qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës në rastin më të mirë është i vakët, në rastin më të keq armiqësor. Pesë shtete të BE-së refuzojnë të njohin këtë shtet, duke këmbëngulur që edhe më tutje ai t’i takojë Serbisë. Arsyet duhet të kërkohen në situatën e brendshme politike në vendet përkatëse (Spanja e ka mendjen te Katalonia etj.), por në fund është Kosova ajo që po pëson. Pastaj lobistë të zhurmshëm serbë vazhdimisht asin për krim të organizuar në Kosovë, thua se bandat maoze nuk qenkan aktive në shtete të tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, e cila nën Millosheviqin qe shndërruar në një lloj shteti gangsterësh. Natyrisht është e drejtë dhe e nevojshme që sa i përket kriminalitetit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut të jemi syçelë. Por kjo nuk duhet të na pengojë të pranojmë se një popull, i cili është shtypur sistematikisht, tani ka shansin ta qeverisë veten.

Një shtet që ka lindur si rezultat i luftës dhe nuk ka tradita demokratike, në shumë pikëpamje ka një llim të zorshëm. Por pozitive është që ka marrë këtë rruge. Të gjitha këto mendime, në të vërtetë, do të duhej t’i kuptonin ata europianë perëndimorë që janë të arsyeshëm dhe joparagjykues. Por këto janë shoshitje abstrakte, të cilat sillen rreth politikës dhe drejtësisë, andaj ata nuk e kuptojnë kënaqësinë dhe përtimin që ofron vizita në vendin më të ri europian. Përvoja konkrete njerëzore vështirë mund të përthekohet me një fjalë, dhe një vend assesi nuk mund ta karakterizosh në atë mënyrë siç do ta karakterizoje një person që e njeh. Megjithatë, unë do të përpiqem që këtu të ofroj disa përshtypje të miat.

Së pari: Kosova e ka energjinë dhe iniciativën e një vendi të ri. Dy të tretat e popullsisë janë nën moshën 30-vjeçare. (Familjet me shumë fëmijë janë ngaherë diçka e rëndomtë, por kjo praktikë po zhduket dalëngadalë). Gjatë mbrëmjeve të verës, baret dhe kafeteritë në Prishtinë janë të mbushura përplot, të rinjtë qëndrojnë grupe-grupe në rrugë dhe bëjnë muhabet, mbretëron një atmosferë e lirë dhe e gjallë.

Së dyti: Në Kosovë ende vlejnë ato traditat e lashta, të cilat ne i çmojmë: mikpritja, jo vetëm ndaj mysarëve të ftuar, por edhe ndaj të huajve, lojaliteti i madh mes miqsh dhe vlerat e theksuara familjare – pleqtë nderohen, nënat trajtohen me respekt, fëmijët me kujdes. Në krahasim me mirëseardhjen me të cilën pritesh kur hyn në një shtëpi kosovare, mikpritja europianoperëndimore është e zbrazët. Dhe nëse ke fat ta bësh mik një kosovar, atëherë duhet ta dish se atij mund t’ia besosh edhe jetën.

Këto tradita mund të jenë më të fuqishme në fshatra, por ato janë themeli i tërë shoqërisë, madje edhe në qytetet e mëdha. Në një mënyrë jeta urbane është më moderne dhe më shekulare, gjë që nuk është edhe befasi e madhe pas një gjysmë shekulli sundim komunist. Për shumicën e njerëzve dhe gati për të gjithë të rinjtë islami është pjesë e kulturës së tyre, por nuk ndiqet me fanatizëm. Dhe islami tradicional i Kosovës, i karakterizuar nga suzmi tolerant, bashkëjeton qëmoti dhe jashtëzakonisht mirë me kishën katolike, e cila që nga mesjeta është e pranishme pandërprerë në historinë e Kosovës.

Së treti: Kosova është një vend me plot bukuri natyrore. Vargmalet në jug dhe perëndim janë spektakulare. Me shumë qejf e kujtoj një ecje të gjatë nëpër kodra ne jug, nga Maqedonia në Kosovë, që e ndërmora në vitin 1989: malet e errëta, druvarët me sëpatat e tyre dhe mushkat, barinjtë me kopetë e tyre në stanet e larta, dhe edhe më lart, nën majat e mbuluara me borë, livadhet e blerta, ku lodronin kuajt.

Dhe së katërti: për çdokënd që është i interesuar për histori, Kosova është jashtëzakonisht fascinuese. Qyteti më i bukur, Prizreni, me xhamitë, kishat, urat dhe shatërvanët ofron një përshtypje autentike të Perandorisë së dikurshme Osmane në Europë. Ka manastire të mrekullueshme ortodokse, siç janë Deçani dhe Graçanica, të cilat u ndërtuan në Mesjetë nga sundimtarët serbë. Dhe ekziston Gazimestani, ku më 1389 u zhvillua beteja e famshme e Kosovës, ndërsa në tyrben e afërt otomane ruhet zemra e Sulltan Muratit. Manastiret ortodokse janë pjesë integrale e trashëgimisë kulturore kosovare, ashtu siç janë qytetarë të barabartë të vendit edhe serbët që jetojnë në Kosovë.

Propaganda politike nga Beogradi ka radikalizuar shumë serbë, të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Por së paku gjysma e serbëve jeton në jug, andaj krejt pallavrat për ndarjen e Kosovës si «zgjidhje» e problemit të pakicës serbe janë qasje e gabueshme. Ardhmëria më e mirë për të gjithë serbët e Kosovës është të jenë qytetarë normalë të një vendi normal. Këtë zhvillim ne kemi më shumë gjasa ta stimulojmë nëse Kosovën e trajtojmë sa më normale që të jetë e mundshme. Jo të reagojmë me armiqësi të stërvitur tashmë sa herë që i përmendet emri, por duke e respektuar Kosovën si shtet të pavarur – dhe ndoshta madje edhe duke e futur në listën e destinacioneve ku do kalojmë pushimet.

*Noel Malcolm, hulumtues në Universitetin e Oxfordit, është autor i librit: «Kosova: një histori e shkurtër». Ai konsiderohet si njëri prej njohësve më të mirë të këtij vendi. Përktheu nga gjermanishtja: Enver Robelli/Dialogplus

*Titulli origjinal: Kosova e mrekullueshme

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular