BallinaKryesoreOpozita do t’i ndihmojë negociatat, duke mos e lënë protestën e sotme...

Opozita do t’i ndihmojë negociatat, duke mos e lënë protestën e sotme për nesër

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

Raporti i progresit të Komisionit Evropian është provuar edhe në vitet e shkuara se nuk ia ka dalë të fitojë zemrat e lidershipit të BE-së, në Këshillin e Ministrave. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se Brukseli ka edhe një filtër tjetër, prej nga i kullon vendimet, para se të ftojë në derën e shtëpisë (për të nisur negociatat) fqinj të rinj nga hapësira jashtë unionit. Vjet u zhurmua ky filtër, duke na thënë se na i hapën negociatat, por për vitin tjetër, ndërkohë që sivjet, pasi i dogji qulli, Edi Rama po i fryn kosit me pamjen modeste të atij që s’do të marrë meritat, se puna e negociatave s’ka mbaruar e nëse mbaron keq, fajin e ka si gjithmonë opozita, se mungesa e hapjes së negociatave nuk e prek atë dhe qeverinë e tij, por Shqipërisë i bën dëm.

Njësoj si ai fëmija trazovaç, të cilit i kanë zbuluar në shtëpi dëmin që ka bërë dhe rri urtë me shpresë se prindërit do ta ngrenë gishtin e akuzës tek ndonjëri nga vëllezërit a motrat, edhe Rama po aplikon “a posteriori” të njëjtën sjellje, por shumë më hileqar sesa fëmija i shembullit, ai po investohet edhe për alibinë. Në sy të ambasadorit të BE, ai i bëri thirrje opozitës të ndërpresë protestat e të mbyllë gojën për hir të integrimit të vendit në BE. Paralelisht, ministrja e Mbrojtjes në parlament Olta Xhaçka u bëri thirrje sot shqiptarëve të bashkohen rreth kryeministrit, të rreshtohen pas tij, për t’i treguar botës se shqiptarët janë me Ramën se vetëm ai e do integrimin e Shqipërisë në BE, sepse pala tjetër “është në rrugë dhe rrugëhumbur”.

Apeli për 3 javë heshtje bëhet fiks për 3 javët kur Edi Rama po vë në këmbë operacionin e farsës zgjedhore, hapit më të madh drejt çimentimit të strategjisë “gjithë pushtetin sovjetëve”. Kërkesa për ndërprerjen e protestave nuk shoqërohet me kurrfarë hapi prapa nga ana e qeverisë, jo vetëm për 30 qershorin, por edhe për qendrimin e tij në krye të qeverisë, kur vendi është në zgrip të përplasjes civile. Apeli për përgjegjshmëri Rama e drejton pabesisht vetëm drejt opozitës dhe shfrytëzon si dekor ambasadorin e BE-së, i cili gjendet në ngushticë për t’u shprehur.

3 javë reshtje e aksionit opozitar i ngjan dialogut të ujkut me delen, me të cilën mund të negociojë kohën se kur do ta hajë, jo edhe faktin nëse do ta hajë apo jo. Negociatat në fakt s’kanë hiç lidhje me protestat e opozitës, veç në qofshin ndonjë ndihmë e tërthortë për ta ndihmuar Brukselin të mos përdoret edhe njëherë nga Edi Rama si kobure e fshehur poshtë mëngës, në aksionin për likuidimin formal të opozitës së vërtetë dhe krijimin e një opozite formale.

Edi Rama është në të drejtën dhe marren e vet të vendosë edhe njëherë ta bëjë kurban procesin e integrimit, njësoj siç bëri më 2012 për Qarkun e Fierit, por opozita fatmirësisht s’ka ndërmend të kompleksohet nga antimitingjet apo ftesat për dialog me sfond ambasadorësh. Ajo do t’i ndihmojë negociatat duke mos e lënë protestën e sotme për nesër, pasi vetëm kështu mund të shihet mirë 3 javëshi i ardhshëm, i cili në agjendën e Ramës s’është hiç 3 javëshi i negociatave, por 3 javëshi i uzurpimit 100 % të pushtetit qendror e vendor.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular