Ish-Kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer në një mesazh në FB, prapaskenat e çeljes së fushatës elektorale të PS-së nga kryetari i saj Edi Rama, duke filluar nga ndryshimi 4 herë i vendit të mbajtjes së saj prej frikës së protestuesve deri tek kontrolli i pjesëmarrësve me qen policie për zbulimin e eksplozivëve! E gjitha kjo, 24 orë para protestës së madhe kombëtare që do të mbahet sot në Tiranë.
“Edvin Kristaq Krimi, pasi e shtyu nga frika një herë dhe ndërroi po nga frika, katër herë vendin, çeli duke përfunduar në vrimën e miut, antifushatën e farsës së tij elektorale, me të cilën ky bastard i etërve mizorë, beson se mund të varrosë pluralizmin në Shqipëri, – shkruan Berisha në Fb.
Kështu, përveç ndryshimit nga frika dhe paniku i datës së hapjes së antifushatës, monstra e pluralizmit, Edvin Kristaq Xhelati pasi shpalli se antifushatën do ta hapte në Pallatin e Kongreseve, por frika e një rrethimi të mundshëm nga kryengritësit e revoltuar, ndryshoi vendin, duke konsideruar Pallatin “Asllan Rusi”. Por ai hoqi dorë nga ky projekt, pasi mësoi se heronjtë e Unazës së Re vendosën të bllokonin rrugën, madje të mos kursenin të gjitha mjetet e mosbindjes civile, personalisht kundër tij dhe Lal Plehut.
Së fundi, ai hapi llafin se antifushatën do ta çelte në amfiteatrin tek Liqeni, në të vërtetë, gjysëm klandestin ai e spostoi antifushatën në një palestër në të cilën, ato pak qindra zyrtarë që morën pjesë u kontrolluan në të gjitha llojet e kontrollit fizik, radiologjik dhe gjer te qentë e specializuar për eksplozivë. Ndaj dhe kjo mund të thuhet se ishte antifushata e vrimës së miut.
Sot, Cunami Gjigand do t’i japë mësimin e merituar Edvin Kristaq Xhelatit, monstrës së pluralizmit politik të Shqipërisë! “Rama ik!” Fitore! – përfundon shënimin e tij, ish-kryeministri Sali Berisha.