Analisti Andi Bushati ka komentuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion” fushatën e saponisur të maxhorancës dhe protestën e opozitës.
Duke iu referuar të parës, Bushati tha se fushata e kryeministrit Edi Rama është paradoksale duke e bazuar këtë në dy fakte. Sipas tij nuk ka bilanc dhe merret ende me opozitën, duke i dhënë vëmendje, pavarësisht se nuk është në zgjedhje.
Janë paradoksale jo vetëm se Rama merr pjesë në një fushatë ku do konkurrojë vetëm. Ajo çka e bën më paradoksale është fakti se meqë ka vendosur të bëjë fushatë, njeriu që priret ta dëgjojë do të shikojë bilancin, ç’kemi bërë 4 vjet. Unë kam ndjekur 3 mitingje nga fillimi deri në fund dhe bëhet fushatë duke sharë dikë që nuk merr pjesë në zgjedhje. Është fushatë për zgjedhje apo vazhdim i betejës parlamentare. Gjithë propaganda që i parapriu zgjedhjeve të 30 qershorit ka qenë kjo që një parti e madhe që nuk merr pjesë në zgjedhje po iu fsheh garave elektorale do shkojë drejt fshehjes. Në vend që ta injoronte po i jep vëmendje maksimale, duke u marrë totalisht me ta. Quhet kjo fushatë apo është ping-pong replikash me opozitës. Për mua është absurde”, deklaroi Bushati.
Ai tha se Rama dhe të vetët e dinë që janë futur në një qerthull absurd. “Sepse as para 30 vjetësh nuk mendohej një fushatë e tillë. Kur tha Ramiz Alia ne qeshnim, Rama ishte një nga ata që qeshnin nuk mund ta pranojë këtë pas 30 vitesh.
Po të shikosh vijësjelljen politike të Ramës këto 6 vjet ai nuk funksionon dot pa një armik. Pra nuk bën dot politik pa thënë që fajin e ka Saliu, e ka ai apo ai.
Ndaj në këtë fushatë i duhet të shpikë një armik”, tha Bushati.
Sa i përket paralajmërimeve të opozitës se tashmë koha e fjalëve ka mbaruar dhe do vendosë sovrani, Bushati tha se opozita nuk e mund dot Rilindjen për dhunën.
“Nuk mendoj që opozita është e aftë të mundë në sfidën e dhunës Rilindjen. Mendoj që koha e fjalëve do vazhdojë dhe do jemi prapë në qerthullin e fjalëve”, tha ai.
Sipas Bushatit, veprimet e opozitës dhe protestat, janë një kundërpërgjigje ndaj dhunës. “Problemi është a duhet të bëjë dhunë një forcë politike. Unë them prapë dhe tek opozita që kemi me gjithë mëkatet që ka, ajo që opozita që po bën sot është një kundërpërgjigje ndaj dhunës sistematike të pushtetit. Nuk më shqetëson më shumë një fishekzjarrë e hedhur para parlamentit apo kryeministrisë se sa mos dënimi i grabitësve të zgjedhjeve. Nuk më shqetëson një molotov në Bulevard sa ajo që jepet një tender një njeriu për 17 km 396 mln euro”, deklaroi Bushati.