Nga ROMEO GURAKUQI
Shqipëria është Republikë Parlamentare me spikatje të Parlamentit dhe jo një Republikë Parlamentare e sunduar individualisht nga Kryeministri. Sistemi zgjedhor proporcional krahinor imponon spikatjen dhe supremacinë parlamentare dhe përcakton se vendimmarrja politike realizohet ne sallën parlamentare dhe jo në zyrën e Kryeministrit, aq më pak në selinë PSSH.
Prej shtatorit të vitit 2017, Kryeministri i vendit, i cili nuk zhvillon rregullisht mbledhje të protokolluara të kabinetit, kusht ky i domosdoshëm për legalitetin e veprimtarisë ekzekutive, i ka imponuar Parlamentit si institucion suprem dhe sovran, një axhendë pjesore personale të tij, një dhunë të përditshme ndaj fjalës së deputetëve të opozitës demokratike, gjë që ka çuar në largimin permanent të saj nga institucioni përfaqësues dhe hapjen e rrugës për rivendosje të sovranitetit përmes zgjedhjeve të reja.
Por, Kryeministri imponues nuk e ka lexuar kështu krizën parlamentare të mandateve. Ai ka operuar me shpejtësi, duke shkelur afatet e detyrueshme kohore, procedurat e përcaktuara nga rregulloret parlamentare dhe precedentët e regjistruar në Këshillin e Mandateve, përcaktimet e detyruara nga Kodi Zgjedhor i RSH, duke kryer kështu grushtin e parë të shtetit: Transformimin e sovranitetit legjitim parlamentar të numrave të popullit opozitar, në të mirë të shumicës parlamentare socialiste.
Aktualisht, Parlamenti i Shqipërisë ka vetëm 82 deputetë të ligjshëm, që mandatin e kanë marrë normalisht, në kushtet kur funksionimi i institucionit ishte me numrin e plotë prej 140 deputetësh. Përpjekjet e Kryeministrit të vendit për të mbushur vakuumin në institucionin përfaqësues me deputetë të rinj të paautorizuar politikisht nga forca e mandatuar, në konditat e tërheqjes së deputetëve të dy partive kryesore opozitare dhe nulifikimit të listave të tyre zgjedhore, konsiderohen veprime antikushtetuese.
Në kushtet kur shumica parlamentare nuk u ndal të reflektonte mbi binarët e legjitimitetit për zgjidhjen e krizës me negociatë të çliruar nga shkaktarët e saj, por operoi me vendosmëri për rimodelimin e hapësirës institucionale, sipas përzgjedhjes së saj militante; në rrethanat kur opozita refuzoi vendosmërisht fasadën parlamentare dhe elektorale të PSSH dhe vendi po shkonte pa u ndalur drejt përplasjes civile, institucioni garantues i unitetit të kombit, Presidenti i Republikës, ka nxjerrë dekretin për ndaljen e procesit vendor elektoral, dekret i cili indirekt krijon hapësirën kohore për reflektim të palëve në konfliktin politik.
Mirëpo, Kryeministri i pamëshirshëm i njerëzve të varfër të vendit të tij, duke mos besuar në Zot dhe në Atdhe, duke përçmuar publikun, duke dashuruar vetëm vetveten, pushtetin e tij dhe manekinëve politikë rreth e qark, i patundur në arritjen e objektivave fitimprurëse të programuara jashtë zyrës kryeministrore, ka vendosur sot të ndjekë referimin ligjor në institucione jokompetente të drejtësisë dhe në institucionin e cunguar të KQZ-së.
Në fakt, i vetmi institucion kompetent që ka target për të gjykuar mbi legjitimitetin e Parlamentit të pasdatës 25 shkurt 2019 mbi dekretet e Presidentit, mbi veprimet dhe mosveprimet e Kryeministrit, është Gjykata Kushtetuese, e cila është jashtë funksionit, për shkak të një “gabimi” metodik të zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe mungesës së përgjigjeve ndaj kërkesave sistematike të deputetëve të PD-së, për plotësimin me përparësi të vendeve vakante në këtë gjykatë, nga ana e shumicës socialiste.
Kemi prekur fundin e Luftës së Ftohtë Politike dhe këtu duhet të ndalemi, para se të jetë vonë.
Ekziston mundësia e një zgjidhjeje politike të paanshme për të rivendosur legjitimitetin e institucioneve kushtetuese. Dhe pengesa e vetme në këtë drejtim është dorëheqja e një njeriu të vetëm: Kryeministrit të vendosur për hakmarrje. Dorëheqja e tij mban peng vendin, të ardhmen europiane, paqen sociale, zgjedhjet krahinore, reformat kushtetuese.
Zgjidhja e konflikualitetit politik mund të arrihet duke vendosur në plan të parë arsyen kushtetuese dhe paanësinë si bazë vlerësimi të rrethanave, në të mirë të interesave publike. Dorëheqja për të hapur rrugën e zgjidhjes reformative dhe të paanshme të krizës, nuk është baras me pushtet në tavolinë, por është paqe sociale dhe politike, që shqiptarët e vuajtur e meritojnë për t’u çliruar nga kthetrat e mafies pengmarrëse.