BallinaKryesorePërvjetori i PS, si kremtim i një vatre infeksioni që ka marrë...

Përvjetori i PS, si kremtim i një vatre infeksioni që ka marrë peng demokracinë

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

12 qershori s’është ditëlindja e socialistëve. Spekulimi lidhur me ditëlindjen e PS-së, si dita kur në përfundim të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës, u vendos ndërrimi i emrit në Partia Socialiste, një emër që fitoi me vota mbi propozimin alternativ “Partia e Punës e Rindërtuar”, me kalimin e viteve erdhi e mori përmasat e mashtrimit publik, kur sa herë flitej për historinë politike të së majtës, ajo fillonte me 12 qershor të 1991 e asnjë ditë më herët.

Ky mashtrim publik ka sjellë një sërë sëmundjesh në politikën shqiptare.

Viruset e 70 viteve komunizëm në histori, sociologji, media e lirinë e shprehjes, u mbajtën në inkubator në partinë e re dhe kohë pas kohe ato po i shkaktojnë Shqipërisë kriza virulente, që tashmë s’mund të klasifikohen më si sëmundje foshnjore. Një parti e madhe si Partia Socialiste është shndërruar në një bartëse të viruseve më të këqija të diktaturës, dhe mutacionet që provon kohë pas kohe demokracia shqiptare kanë të bëjnë pikërisht me ambiciet pushtetore që ka një formacion politik që rrjedh në linjë direkte nga 8 nëntori i 1941-it.

Për 28 vjet me radhë, drejtuesit e Partisë Socialiste janë sjellë si ata njerëzit e varur nga ndonjë ves, që nuk e pranonin sëmundjen e tyre e rrjedhimisht edhe refuzonin t’i nënshtroheshin çfarëdolloj kure. Sado me respekt të sillej ndaj PS-së pala kundërshtare politike, prej saj do të vinin veç sjellje parapolitike me sfond segregacioni, dhune e bile edhe terrorizmi. Prej kësaj partie me ambicie pushteti kemi dëgjuar alternativa të tilla si “Shqipëria nuk është e gatshme për të pranuar vlerat e Këshillit të Evropës”, kemi parë se si është shndërruar në platformë politike alternativa tregishtore e Beogradit, kemi parë se si u rrënuan të parat tentativa për të ngritur institucione të pavarura kushtetuese me largimin me forcë të titullarëve nga zyrat dhe dërgimin atje të anëtarëve të politbyrosë së partisë. Më tej, pamë se si grabiteshin në Tiranë votat me tanket e ushtrisë, pamë se si u bllokua për 8 vitet e para të qeverisjes së tyre procesi i integrimit të vendit në Evropë.

Me daljen në opozitë pamë kreativitetin e një formacioni politik që është e molepsur nga koka tek këmbët me parapolitikën e gomave të djegura dhe bashkëpunimit me botën e krimit të organizuar, pamë se si u ringjallën protestat kundër NATO-s e se si u bllokua procesi i integrimit për sebepin e kryetarit të Qarkut të Fierit.

Për historikun më të ri të shndërrimit të Partisë Socialiste në një avanpost të interesave të krimitë të organizuar, opozita dhe opinion publik ka folur mjaftueshëm, por sot është rasti për të thënë se këto sëmundje ciklike të demokracisë tonë janë të destinuara të përsëriten, sa kohë e majta shqiptare do të vijojë të gjallojë mbi spekulimin se është themeluar me 12 qershor të 1991-it. Në atë datë, edhe pse emri u ndërrua, anëtarësia u trashëgua en-block nga Partia e Punës, ndërsa vite më vonë nënkryetari i kësaj partie Servet Pëllumbi këmbënguli dhe ia arriti të shpallte bash marksizmin, atë të vërtetin, atë që ngrihej mbi terrorizmin, si një nga burimet filozofike ku mbruhej alternativa e partisë së tij.

Është plotësisht e denjë të lexojmë sot Taulant Ballën që uron përvjetorin e 28-të të Partisë Socialiste dhe të njoftojë se Edi Kristaq Rama, Gramoz Ruçi (e si të ftuar Skënder Gjinushi e të tjerë të këtij kallëpi) do të festojnë në mbrëmje përvjetorin. Publikut po i bëhet më e thjeshtë për ta kuptuar. Fotografia e këtij përvjetori rrëfen për një vatër infeksioni që kohë pas kohe do ta molepsë demokracinë shqiptare. Zgjidhjet nuk jepen me recetë. Margjinalizimi me votë i kësaj filozofie qeverisëse kuazi-terroriste hëpërhë s’është i mundur për shkak të kapjes peng të procesit zgjedhor, prandaj kufizimi i dëmeve, largimi i këtyre bartësve nga zyrat do të ishte zgjidhja më racionale. Për këtë synim afatshkurtër duhet të mendojmë këtë 12 qershor, bile edhe duke qëmtuar aleatë, ku janë e ku s’janë, në arealin socialdemokrat të shoqërisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular