Sipas ndasisë gjinore 39.1 % ishin meshkuj dhe 43 për qind ishin gra. Arsimi i mesëm në Shqipëri nuk është i detyrueshëm. Një pjesë e madhe e të rinjve pasi mbarojnë këtë nivel përfshihen në tregun e punës apo i drejtohen emigracionit.
Mungesa e formimit ndër të rinjtë shqiptar është një lajm i keq për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, në një kohë që epoka ku po jetojmë kërkon aftësi të thelluara dhe mësim gjatë gjithë jetës për t’u përshtatur me përparimin e teknologjisë.
Sakaq pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit.
Ka një raport më të lartë të djemve, krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 59,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza.
Gjatë vitit akademik 2017/18 në arsimin e detyruar u diplomuan 37 mijë nxënës nga të cilët 51,1 % ishin djem dhe 48,9 % vajza.
Në këtë vit akademik, ka një ulje të vogël të numrit të nxënësve që marrin diplomë të arsimit të mesëm, krahasuar me vitin paraardhës. Nxënësit e diplomuar në arsimin e mesëm sipas gjinisë ishin 48,6 % djem dhe 51,4 % vajza.
Mangësia në formim e të rinjve ka krijuar hendek ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës pasi kërkesa për punë nuk i përgjigjet ofertës së bizneseve në Shqipëri.
Të dhënat administrative që burojnë nga zyrat e punësimit tregojnë se, punëkërkuesit e papunë me arsim deri në 9-vjeçar, përbëjnë 52% të totalit të të papunëve që janë regjistruar në kërkim të një pune, ndërkohë që 45% e ofertave të punës janë për specialistë të lartë dhe teknikë të mesëm dhe 37% janë për zanatçinjtë.
Nëse në kategoritë profesionale të zanatçinjve, teknikëve të mesëm dhe specialistëve me arsim të lartë, oferta mbulon 55 – 100% të kërkesave për punësim të punëkërkuesve të papunë, për profesionet elementare kemi vetëm 17.6% të totalit të kërkesave për punësim nga kjo kategori.