Nga Jorida Tabaku
Në një seancë më së paku qesharake, kryeministri Rama gjeti kohën dhe shansin për të hedhur baltë mbi opozitën në lidhje me proçesin e integrimit. Akuzat e tij se është opozita fajtore që vendet anëtare të BE-së po refuzojnë dhe po veçojnë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në lidhje me hapjen e negociatave, janë thjesht propaganda e radhës.
Së pari, mbasi taboret e qeverisë për javë me rradhë na thanë se morën OK nga Hollanda e Gjermania për hapjen e negociatave, dje Dhoma e Ulët e Parlamentit hollandez votoi rezolutë për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut si dhe për t’i prerë rrugën Shqipërisë. Kjo ëahtë fatale për te ardhmen Europiane dhe fatale për Shqipërinë. Ka vetëm një përgjegjës, qeveria me Edi Ramën në krye për faktin që kthyen krimin i organizuar në barrë të rëndë për vendet e BE-së.
Sikundër është qeveria përgjegjëse që krimi i organizuar është kthyer në sponsorizin kryesor të kryeministrit Rama dhe sejmenëve rreth tij. Jo më larg se katër muaj më parë ministrat e Holandës kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë paraqitur përpara autoriteteve shtetërore shqiptare gjëndjen e rënduar që shërbimet e tyre sekrete raportojnë për krimin e organizuar dhe bekimin e mbështëtjen e qeverisë shqiptare.Së dyti, është qeveria përgjegjëse për mijëra emigratë dhe azilkërkues që trokasin në dyert e Evropës pasi nuk gjejnë një ambient të jetueshëm në Shqipëri. Një nga pikat e rëndësishme për hapjen e negociatave është qeverisja e mirë, ndërkohë që shqiptarët largohen nga vendi jonë për shkak të qeverisjes së gabuar. Siguria e pronës është në nivelet më të ulëta në 30 vite demokraci tranzitore, pronarët trajtohen si leckë ndërsa qeveria gjithnjë e më shumë thyen konventat ndërkombëtare dhe kushtetutën duke monopolizuar dhe grabitur çdo pronë.
Së treti, është qeveria përgjegjëse që elementë kriminalë jo vetëm që vjedhin zgjedhjet duke i blerë votat në emër të qeverisë, por këto të fundit janë emërojnë, caktojnë dhe lista deputetesh. Duket e pabesueshme të fajësosh opozitën se Avdylajt e dinë kur është kryeministri Rama në Gjermani dhe se çfarë mendon shoqëruesi i tij Dako për çështjen e listave.
Veç këto tre argumente mundet të shpjegojnë pa asnjë farë mundimi çmendurinë e alibisë së kryeministrit se “është opozita fajtore për mos hapjen e negociatave”. Kjo tentantivë për t’i ikur përgjegjësisë mbase reflekton pazotësinë e një njeriu të kapur në flagrancë duke bashkëjetuar dhe bashkëndarë pushtetin me grupet kriminale. Por kjo nuk është aspak problem i opozitës. Kush ka jetuar dhe bashkëpunuar me krimin e organizuar duhet të mbajë përgjegjësi përpara votuesve të tij, shqiptarëve dhe mbi të gjitha të ardhmes sonë europiane.
Po, në ka diçka ku opozita është e lidhur me faktin që nuk ka hequr dot Edi Ramën. Por përgjegjësia jonë dhe ndjesa ime personale i drejtohet çdo shqiptari për barrën e rëndë që po vuajnë për këtë dështim! Por alenca me krimin, korripsioni galopant, uzurpimi i drejtesisë i kanë zgjatur jetën këtij regjimi. Por tashmë ka nisur fundi pa kthim i qeverisjes më te keqe, më të korruptuar që kanë njohur Shqiptarët gjatë tranzicionit të mundimshëm post-totalitar!
Askush nuk mund të kërcënojë, shantazhojë apo ndërtojë alibi për opozitën për t’i ikur gjykimit të shqiptarëve. Askush nuk mund të justifikojë krimet e tij elektorale duke u fshehur pas gishtit të akuzës. Prandaj sado që të thërrasë nga salla e kuvendit duke akuzuar opozitën, e cila e ka lënë në mëshirë të çmendurisë së tij, kryeministri duhet të mabjë përgjegjësi elektorale dhe jo vetëm për krimet e tij.
E gjeti vendin me viza të liberalizuara. I gjeti shqiptarët të lirë për të udhëtuar në Evropë pa viza. Sot i ka rikthyer në njerëz të përjashtuar nga Europa pasi do të bashkëjetojë përjetësisht me krimin e organizuar. Ne dhe shqiptarët e kemi zgjedhur rrugën e Europës së Bashkuar ndërsa ai dhe eskorta e tij politiko-kriminale kanë zgjedhur rrugën e krimit të organizuar dhe burgut për shqiptarët. Për këtë të fundit do të jenë shqiptarët që do ta gjykojnë shumë shpejt me zgjedhje të lira dhe të ndershme