Shqipëria është një vend ku lindshmëria ende favorizon djemtë, por popullsia aktuale anon më shumë nga gratë se nga burrat.
Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2019 është 2.862.427 persona, me rënie prej 0,28% në vitin 2018. Gjatë këtij viti, numri i grave në Shqipëri ka vijuar të rritet, me një normë pozitive rritjeje prej 0,08%, ndërsa popullsia e burrave ka rënë me normë 0,6%.
Numri i lindjeve gjatë vitit 2018 është rreth 28.9 mijë lindje. Raporti gjinor në lindje është 1,08 që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 108 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105.
Por në vitin 2018, gratë përbëjnë 50,1% të popullsisë gjithsej. Shtesa natyrore gjatë këtij viti ka qenë më e ulët për burrat sesa për gratë, përkatësisht 3.358 dhe 3.772.
Migracioni neto i grave në vitin 2018 është negativ dhe shënon -2.655 gra, nga 4.628 në 2017, ndërsa migracioni neto i burrave shënoi rënie të konsiderueshme me – 12.375 burra të migruar, nga -19.530 në 2017. Migracioni neto negativ i burrave dhe i grave ka ndikuar në rënien e përgjithshme të popullsisë.
Raporti gjinor sipas grup-moshave tregon se ka një mbizotërim të gjinisë mashkullore deri në grup-moshën, 35-39 vjeç. Mosha mediane për burrat në vitin 2018, është 35,0, vjeç ndërsa për gratë është 37,2 vjeç. Mosha mediane më e lartë te gratë shpjegohet me jetëgjatësinë më të lartë të tyre.
Në vitin 2018, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 77,4 vite për burrat dhe 80,5 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë rreth 3 vite më shumë se burrat.
Lindjet, hendeku i zëvendësimit të grave 30%
Numri i lindjeve gjatë vitit 2018 është rreth 28.9 mijë lindje. Në vlerë absolute, rënia e numrit të lindjeve, krahasuar me vitin 2017, është 2,799 lindje. Indeksi Sintetik i Fekondimit (ISF), tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, duke shënuar 1,37 fëmijë për vitin 2018. Kjo do të thotë se në 100 femra, pritet të lindin 137 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grup-moshave janë ato të vitit referues, 2018.
Ky indeks është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 dhe 25-29, ndërsa për grup-moshat më të vjetra ka shënuar rritje të lehtë. Në vitin 2018, mosha mesatare në lindje ishte 28,6 vjeç.
Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për vitin 2018, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të pasurit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht 5 vite më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave, i kanë më të larta se gratë. Koeficienti Bruto i Riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten gjatë viteve të jetës riprodhuese. Mënyra e llogaritjes së KBR-së është e njëjtë me atë të ISF-së, por në këtë rast merren parasysh vetëm lindjet femra. Në vitin 2018, KBR është 0,66: do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 30% larg zëvendësimit të vetvetes.