Është shpresëdhënës fakti se shqiptarët janë arsimdashës, në atë masë se gjysma e atyre që kursejnë, e bëjnë për shkollën.
Banka e Shqipërisë, në një vrojtim të posaçëm për kulturën financiare të shqiptarëve, cilësoi se vendosja e objektivave afatgjatë financiarë, si dhe vijimësia dhe qëndrueshmëria e përpjekjeve aktive për t’i përmbushur ato, janë një tjetër përbërës i rëndësishëm i sjelljes financiare.
Për të kuptuar këtë çështje në mënyrë sa më shteruese janë përdorur pyetjet: Cili është aktualisht objektivi juaj më i rëndësishëm financiar?” dhe “Çfarë po bëni për ta përmbushur këtë objektiv?”
Të dhënat tregojnë se vetëm 44% e të intervistuarve kanë objektiva financiarë afatgjatë. Nga këta, pjesa që kanë objektiv kursimin, 49% e bëjnë për shkollën. Rreth 29.8% kanë objektiva afatgjata kursimi për shkollimin e fëmijëve dhe 18.6% për vetëshkollim.
Më tej 11,9% kursejnë për të përmirësuar standardet e jetesës, 9,9% për të blerë një makinë dhe e 6.6% për të ndihmuar financiarisht fëmijët e tyre.
Rregullimi i shtëpisë stimulon 5.7% të kursimtarëve dhe po kaq blerja e një shtëpie të re.
Gjithashtu, në përmasa më të vogla, shqiptarët priren për të kursyer për dasmën e tyre apo të fëmijëve, për të zgjeruar biznesin, për shlyerjen e kredisë, apo për të udhëtuar.
Mënyrat se si kursejmë
Të pyetur se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë për përmbushjen e objektivave të tyre financiarë 22% e tyre janë përgjigjur se kanë ulur shpenzimet, 13% kanë kursyer ose investuar dhe 7% kanë përgatitur një plan veprimi.
Një e dhënë e rëndësishme është fakti që vetëm 4% e të intervistuarve që kanë objektiva financiarë, kanë gjetur një mënyrë për të marrë kredi, dhe 1% kanë rritur shumën e ripagimit të kartës së kreditit apo të kredisë, duke e bërë kreditimin një mjet të përdorur rrallë për përmbushjen e objektivave në fjalë./Monitor