Partia Socialiste do të zhvillojë sot në Kuvend, një mocion për debat kundër dekretit të kreut të shtetit Ilir Meta për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në fund të këtij votimi, PS do të kërkojë votimin në emër të Kuvendit, të një Rezolute në të ciën nuk përmendet askush kërkesa për shkarkimin e Presidentit, por vetëm i bëhet thirrje që të reflektojë mbi vendimin e marrë për shtyrjen e zgjedhjeve vendore.
Vetë Rama ka kërkuar vëmendje ndaj debatit të sotëm dhe ka njoftuar në Twitter se do të marrë fjalën në foltore në orën 12:00.
Duke mbështetur fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi, si kriter kyç për të ardhmen europiane të vendit si dhe për sundimin e së drejtës dhe forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, reformë që vlerësohet me nota shumë pozitive në progres raportin e Komisionit Europian dhe ku Shqipëria veçohet si shembull për t’u ndjekur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor;
Duke vlerësuar ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, hapat e ndërmarra për plotësimin e shpejtë të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, për ngritjen e prokurorisë dhe gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe duke inkurajuar intensifikimin e zbatimit të reformës në drejtësi në këtë drejtim;
Duke vlerësuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar lirisht dhe në formë paqësore, dënon çdo formë dhune kundër jetës, pronës, rendit institucional dhe organeve të shtetit, të cilat në të njëjtën kohë ndikojnë negativisht në imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian;
Duke vlerësuar dialogun politik dhe institucional midis aktorëve politikë, parlamentar dhe jo parlamentar, si rrugën e vetme që njeh demokracia funksionale për bashkëjetesën politike dhe shoqërore, ashtu si dhe rekomandon Komisioni Europian në raportin e Majit 2019, se partitë e opozitës jashtëparlamentare duhet të ripërfshihen në mënyrë konstruktive në institucione demokratike e të ndalin veprime që bien ndesh me parimet demokratike;
Duke mbajtur përgjegjësinë që i ngarkon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqipëria është Republikë Parlamentare;
Duke respektuar parashikimin kushtetues se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike;
Duke mbajtur në konsideratë rolin e Presidentit në një republikë parlamentare si një organ neutral, i paanshëm dhe i pavarur, si një organ që qëndron në të gjitha pushtetet dhe që nuk bën pjesë në to, si një institucion që nuk mund të jetë aktiv në proceset vendimmarrëse politike me qëllim shmangien e qëndrimeve politiko – partiake në ushtrimin e funksioneve të tij shtetërore;
Kuvendi i Shqipërisë, duke u njohur me aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe duke konsideruar se ky është një akt i paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, konstaton se:
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk i njohin Presidentit të drejtën për të anulluar zgjedhjet;
Akti i Presidentit, në mënyrë të kundërligjshme, ka për qëllim ndërhyrjen në një proces zgjedhor tashmë të shpallur dhe të administruar sipas kritereve, kushteve dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, ashtu si është procesi i nisur për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të datë 30 qershor 2019;
Ky akt tenton të ndërhyjë drejtpërdrejt në një proces që tashmë është në kompetencë të organit administrues të tij dhe si i tillë duhet shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet e administrimit zgjedhor të parashikuara në Kodin Zgjedhor;
Është detyrim i administratës zgjedhore, jo vetëm të garantojë ushtrimin e së drejtës së zgjedhjes sipas standarteve kushtetuese dhe ligjore nga shtetasit shqiptarë, por edhe ta mbrojë ushtrimin e kësaj të drejte nga çdo ndërhyrje e paligjshme, e kryer ose që tentohet të kryhet, nga çdo person fizik apo juridik, duke mos lejuar cënimin e mbarëvajtjes së këtij procesi;
Bazuar në parimin e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë si dhe diskrecionit të organeve administrative, sipas të cilëve asnjë organ nuk ka detyrimin dhe nuk mban përgjegjësi ligjore nëse nuk zbaton një urdhër, akt, apo çfarëdo vendimi absolutisht të pavlefshëm dhe që bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin;
Ndërhyrjen e Presidentit të Republikës në këtë fazë të procesit zgjedhor si një mjet që ka cënuar rëndë barazinë e konkurimit politik duke shkelur kështu paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës;
Mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar parashikuar nga neni 90, paragrafi 2 i Kushtetutës;
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacenueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019, nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit si të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.