OSBE ka publikuar sot raportin paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit, duke marrë në analizë një periudhë kohore nga 24 maji deri në 11 qershor 2019. Në raport përshkruhet situata politike, duke theksuar se zgjedhjet janë në kushtet e një ndarjeje të thellë politike dhe se disa parti opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje OSBE thotë se në 31 bashki, PS garon pa kundërshtarë politikë.
Po kështu thuhet se Presidenti Meta ka ofruar në mënyrë të përsëritur të lehtësojë dialogun mes palëve dhe në fund të muajit maj shprehu vullnetin për shtyrjen e zgjedhjeve. “Më 10 qershor, duke iu referuar përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin dhe shqetësimeve për sigurinë publike, ai dekretoi shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit për shfuqizimin e dekretit të vendosjes së datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit”, thuhet në raport.
Po kështu evidentohet se “Disa dispozita të Kodit Zgjedhor mbeten të hapura ndaj interpretimeve të ndryshme dhe kanë qenë objekt ankesash në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës (Kolegji Zgjedhor), si për shembull sa i përket çështjes së legjitimitetit për të apeluar vendimet e KQZ-së dhe procedurat për tërheqjen e kandidatëve. Nuk ekzistojnë dispozita specifike për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtarë”.
Sipas OSBE, 36 parti politike, 2 koalicione dhe 6 kandidatë të mbështetur nga zgjedhësit janë regjistruar si subjekte zgjedhore. 26 Si rrjedhojë, nga KZAZ-të dhe KQZ-ja janë regjistruar 97 kandidatë për kryetarë bashkie, duke përfshirë 11 kandidate gra, si dhe 544 lista kandidatësh të 2 koalicioneve dhe 14 partive individuale me 9,842 kandidatë gjithsej.
PËRMBLEDHJA E RAPORTIT
Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe Partisë Demokratike (PD) në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), ku këto të fundit janë tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt.
Partitë opozitare të udhëhequra nga PD-ja kanë organizuar protesta të vazhdueshme, në shumë prej të cilave u vu re prania e dhunës, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. PD-ja dhe LSI-ja, ashtu si edhe disa parti më të vogla opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje.
Në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet.
Kryetarët e bashkive zgjidhen përmes sistemit mazhoritar, kurse anëtarët e këshillave përmes një sistemi proporcional listash të mbyllura në një kuadër ligjor që në masën më të madhe mbetet i pandryshuar që prej zgjedhjeve vendore të 2015-ës. Opozita u tërhoq nga procesi i reformës zgjedhore që filloi pak kohë pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës dhe që nuk çoi në asnjë ndryshim ligjor.
Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë.
Sipas ligjit, qeveria dhe partitë parlamentare opozitare kanë të drejtë të jenë të pranishme në të tre nivelet e administratës zgjedhore. PD-ja dhe LSI-ja nuk pranuan fillimisht të emëronin anëtarë në komisione, duke e lënë KQZ-në dhe 90 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) pa anëtarë të emëruar nga opozita. Më pas, KQZ-ja doli me vendimin se partitë që nuk garojnë në zgjedhje nuk kanë të drejtë të emërojnë komisionerë.
Ankesa e ngritur më pas kundër këtij vendimi u rrëzua nga gjykata në shkallë të fundit. Regjistrimi i zgjedhësve është një proces pasiv, ku listat e zgjedhësve nxirren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Ministria e Brendshme ka bërë përpjekje për ta përmirësuar këtë regjistër, ku përfshihet edhe caktimi i një kodi të saktë adrese çdo zgjedhësi. Disa nga palët bashkëbiseduese të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, duke përfshirë edhe një auditues të KQZ-së për regjistrimin e zgjedhësve, kanë ngritur shqetësime në lidhje me cilësinë e këtij procesi.
Numri përfundimtar i zgjedhësve të regjistruar të shpallur më 25 maj ishte 3,536,016. Nga KZAZ-të dhe KQZ-ja janë regjistruar gjithsej 97 kandidatë për kryetarë bashkie, duke përfshirë 11 kandidate gra, si dhe 544 lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë. Ligji parashikon një kuotë gjinore përfaqësimi prej 50 për qind për secilën gjini në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore.
Disa kandidatë dhe disa lista kandidatësh nuk janë pranuar për shkak të mosrespektimit të afatit për paraqitjen e dokumentacionit dhe/ose për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për vendbanimin ose kuotën gjinore.
Fushata zyrtare filloi më 31 maj. Përveç kandidatëve për kryetarë bashkie, dy koalicione, njëri i udhëhequr nga PS-ja dhe tjetri nga Partia Aleanca Kuq e Zi, si dhe 14 parti që garojnë më vete, kanë paraqitur kandidatë për këshillat bashkiakë. Ndonëse fushata mbetet përgjithësisht me vizibilitet të ulët, gjuha e përdorur dominohet nga polemikat dhe debatet nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. PS-ja nuk e ka pranuar publikisht dekretin e Presidentit, i cili synon shfuqizimin e dekretit për vendosjen e datës së zgjedhjeve dhe vazhdon të mbajë mitingje në kryeqytet dhe në qytetet kryesore.
Mjedisi mediatik është i larmishëm, por mediat kryesore perceptohen si të pozicionuara politikisht. Përdorimi i përmbajtjes së prodhuar nga partitë politike në edicionet informative mbetet shqetësim për shumë nga bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it. Roli i mediave audiovizive në fushatë është tejet i rregulluar, ku Kodi Zgjedhor specifikon masën e mbulimit mediatik dhe të minutazhit falas për partitë parlamentare bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Emërimi i vonuar i Bordit të Monitorimit të Medias e ka kufizuar mundësinë e këtij bordi për të mbikqyrur përmbushjen e kërkesave ligjore për mbulim proporcional nga mediat audiovizive.
Sipas ligjit, vetëm partitë politike dhe kandidatët e pavarur, të cilëve u preken të drejtat, kanë të drejtë të paraqesin ankesa ndaj organeve të administrimit të zgjedhjeve. KQZ-ja shqyrton ankesat ndaj vendimeve të KZAZ-ve. Ndaj vendimeve të KQZ-së mund të bëhet ankesë në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Deri më 6 qershor, KQZ-ja ka marrë 14 ankesa ndaj vendimeve të KZAZ-ve, të cilat lidhen kryesisht me regjistrimin e kandidatëve, por shumica e vendimeve të Kolegjit për këto ankesa nuk janë bërë ende publike. Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar 11 kërkesa ankimore ndaj vendimeve të KQZ-së, përfshirë vendime për regjistrim kandidatësh dhe për të drejtën e emërimit të komisionerëve zgjedhorë dhe ka lënë në fuqi 8 prej tyre. Shumica e vendimeve të gjykatës nuk janë publikuar të plota.