BallinaKryesoreUdhëzimi 13 “vulos” emërimin politik të mësuesve gjatë fushatës elektorale

Udhëzimi 13 “vulos” emërimin politik të mësuesve gjatë fushatës elektorale

spot_img
spot_img

Mirela Karabina

Në prag të mbylljes së vitit shkollor Ministria e Arsimit ka nxjerrë një udhëzim të detajuar, në lidhje me rekrutimin e mësuesve dhe trasferimet paralele në sistemin arsimor. Kështu, është ministria ajo që përcakton kriteret e pranimit për një vend pune nëpërmjet dosjes personale të mësuesit dhe  një testi të informatizuar që do t’i nënshtrohet konkurenti. Pasi dorëzohen dosjet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (krijuar rishtazi), dhe testimi që menaxhohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore të dhënat për kandidatët mësues shkojnë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, i cili administrohet nga ministria.

Udhëzimi, dukshëm, vulos centralizmin e këtij procesi  nga hierarkia më e lartë e institucioneve arsimore, Ministria e Arsimit. Kështu, duke anashkaluar në vendimarrje shkollën, drejtoritë rajonale dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar ministria ka ndërtuar një proces të centralizuar.

Dhe, këtë e bën pikërisht në një situatë të tensionuar politike, përgjatë një fushate elektorale duke trysnuar mësuesit nën ethet e emërimit apo ruajtjen e vendit të punës.

Po, ku qëndron problematika e udhëzimit?

Që në zanafillë, që në konceptim, sipas modelit të centralizuar nga maja e piramidës.

Së pari, problemi fillon me qendrën që do të administrojë procesin e pranimit të mësuesve, Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH). E ngritur në kuadrin e një projekti Italian, disa vite më parë, kjo Qendër Ndëruniversitare  duhej të përdorej për të ofruar shërbime software dhe për të  menaxhuar procese akademike në universitete dhe institute kërkimore.

Por, objekti i saj u ndryshua, funksioni i saj u tjetërsua, dhe ajo është një mekanizëm i ministrisë së arsimit që kontrollon jo vetëm  pranimin në universitete por, tashmë, dhe rektrutimin e mësuesve, edhe pse ligji i arsimit të lartë dhe ligji i arsimit parauniveristar nuk e parashikon.

Kështu, administrimi i portalit “Mësues për Shqipërinë’ nga RASH si përgjegjës i softit elektronik dhe regjistrimit online të kandidatëve që do të marrin pjesë në konkurim, dhe do të prodhojë aktin e pranimit në vendin e  punës në bazë të rezultateve, kompromenton procesin dhe e bën dyshues.

Pra, mekanizmi RASH siguron trurin elektronik të procesit të pranimit të mësuesve në duart e ministrisë.

Por, ajo që bën përshtypje është kontrata e punës së mësuesit do nënshkruhet ndërmjet mësuesit dhe drejtuesit të institucionit arsimor, edhe pse drejtuesi nuk ka qenë pjesë e procesit  të përzgjedhjes apo vendimarrjes së kandidatëve konkurues.

Pra, e gjitha e përqëndruar në një dorë.

Së dyti, problem paraqet injorimi i përvojës dhe shpërfilljes së profesionalizmit në kriteret e vendosura për pranim të kandidatit mësues, duke vendosur një shenjë barazie mes mësuesve të rinj dhe atyre me vjetërsi në profesion.

Po në cilin vend të botës së zhvilluar mund të injorohet përvoja? Veçse në sistemet jo të zhvilluara, në shoqëritë mekanike ku individi është “i padukshëm” dhe ku pushteti ka në dorë fatin e tyre.

Në kushtet tona kur trajnimet e mësuesve kanë qenë sporadike e të pakta, kur nuk kanë ekzistuar institucione mirëfilli trajnuese apo edhe kur janë ofruar janë bërë formalisht, të shpërfillësh kriterin experiencë, që është një pikë e fortë e konkurentit, qëllimshëm e bën për ta dobësuar atë.

Dhe kjo, duke vendosur në një garë të pabarabartë mësuesit, në funksion të një situate të nxehtë politike ku punësimi do shërbejë si shpërblim. Pra, në interes të pakicës dhe në dëm të shumicës.

Së treti, një tjetër problem në udhëzim është ndryshimi i rregullave të lojës dhe ndërhyrja në kërkesat e tregut në mënyrë arbitrare nga Ministria përgjegjëse për Arsimin. Kështu, në garë me mësuesit do jenë edhe mësuesit me profil të përafërt me të tyrin apo dhe ata që kanë formim të përafërt me kurrikulën shkollore si ekonomistë, inxhinierë, informaticienë (profili i përafërt përcaktuar në udhëzim ministri Nr.30, 2018 për normat mësimore). Gjithashtu në garë për mësues ndihmës do të jenë jo vetëm ata me profil “Arsim special” por të gjithë mësuesit e profileve të tjera.

Pra, tregu i punësimit të mësuesisë ‘hapet” për të gjithë me profil e jashtë profilit, me “Arsim special” dhe pa të.

Dhe, kjo ndodh në një sistem arsimor të çoroditur si i yni, ku vuan sepse tregu dhe oferta janë dy drejtëza paralele që nuk puqen me njëra-tjetrën, ku prodhohen pa kriter mësues, ekonomistë e inxhinierë.

Paradoksi është se me ardhjen në pushtet më 2013-ën, “kali i betejës” së kësaj ministrie ishin mësuesit me arsim jashtë profilit  duke i etiketuar si “e keqja” e sistemit arsimor. Por sot, po përdor këta mësues jo më për të fituar pushtetin, por për ta ruajtur atë.

Dhe kjo është e pamoralshme!

Të menaxhosh burimet njerëzore për përmirësim dhe zhvillim të sistemit arsimor duhet të jetë prioritet i politikave të çdo qeverie. Por, t’i përdorësh keq ato për një fushatë zgjedhore, nuk i shërben shoqërisë, nuk i shërben Shqipërsië, por  i shërben partisë.

Dhe kjo po ndodh, shkruar e zezë mbi të bardhë, me vulën e Ministrisë përgjegjëse për Arsimin në Udhëzimin 13.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular