Grupi legjendar i rrokut “Megadeth” ka anuluar koncertet e këtij viti, pasi themeluesi dhe vokalisti i grupit, ikona e muzikës Dave Mustaine është diagnostikuar me kancer në fyt.
Mustaine e ka rrëfyer lajmin për fansat dhe publikun në website-n e grupit dhe në Instagramin e tij mbrëmjen e djeshme. Në postimin në rrjetin social ai shkruan: “Jam diagnostikuar me kancer në fyt. Është qartësisht diçka që duhet respektuar dhe duhet përballuar me kokën lart, por unë kam kaluar shumë pengesa dhe në të shkuarën. Po punoj me doktorët e mi dhe kemi hartuar një plan trajtimi, i cili besohet se ka shanse të jetë 90% i suksesshëm. Trajtimin e kam filluar tashmë.”
Më pas ai lajmëroi anullimin e datave të koncerteve, për tu rikthyer sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk harroi të falenderonte familjen e tij, doktorët, pjestarët e tjerë të bandës, për të cilët tha që janë në studio që tani për të punuar për projekte të reja dhe sigurisht të gjithë fansat për mbështetjen.
Kujtojmë që Dave Mustaine në fillimet e karrierës së tij ka qenë pjesë e një tjetër grupi legjendar, “Metallica”, por pasi u largua në 1983 dhe themeloi “Megadeth”. Vlerësimi i fundit për të ka qenë fitorja e një çmimi Grammy në 2017, për “Performancën më të mirë rrok”.