Analisti dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 analizoi zhvillimet e fundit në vend, ku nuk kanë munguar as përplasjet mes Policisë dhe mbështetësve të opozitës së bashkuar në disa KZAZ.
Ai tha se kjo shton edhe më tej frikën se përplasjet mund të vijnë në rritje e sipër. I pyetur për letrën që Kreu i Shtetit, Ilir Meta i dërgoi sot prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Mustafaj tha se ky mision diplomatik nuk ka asnjë kompetencë për të gjykuar ligjshmërinë e dekretit të Presidenti të Republikës.
Kjo nuk ka filluar sot, por kjo ka disa ditë që vjen në ngjitje. Ka pasur problematika sot në disa qytete. Unë kam frikë se këto janë paralajmërime se mund të këtë përplasje para dhe pas datës së 30 qershorit. OSBE nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë e dekretit të presidenti të republikës”-tha ai.
Analisti foli edhe për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëroi se kush përfshihet në krim elektoral nuk lejohet të dalë nga vendi. Sipas Mustafajt, kjo deklaratë e shefit të qeverisë është tërësisht e paligjshme.
“Kjo deklaratë është e paligjshme . Dalja jashtë shtetit lidhet me rrezikshmërinë qe mund të kesh ti. Gjykata është ajo që merr vendimin. Lëvizja e lirë është e drejtë universale. Është një shantazh. Nuk ka asnjë mundësi që të realizohet kjo. E çon në Gjykatën e Strasburgut dhe ajo e shpartallon një vendim të tillë. Unë po të isha, e kisha lënë të fitonte në 61 bashki, por çfarë do të thoshte me 1 korrik. Kjo do të këtë kosto për të dyja palët”- tha ai.
Mustafaj u ndal edhe tek përgjimet e gazetës gjermane “Bild”, ndera shtoi se ky është një turp për prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku dhe për Donika Prelën, të cilat siç tha ai nuk hetuan asnjë pjesë të dosjeve “339 apo 184”. Në fund Musfataj komentoi edhe kërkesën që Meta i dërgoi pak çaste më parë kreut të Drejtorisë së Burgjeve për t’u informuar në lidhje me sigurinë e këtij institucioni.
“Ne kemi një situatë dëshpërues, sepse reagimi i kryeministrit ka qenë mohues dhe përçmues dhe me akuza. Nëse do të ishte burrë shteti do të nxiste drejtësinë që t’i hetonte. Nëse do të ishte hetuar me seriozitet dosja e Dibrës, nuk do të kishte ndodhur masakra e 2017. Tani prokuroja e përkohshme dhe ajo e Tiranës në vend që të ndihen të turpëruara ndaj publikut, sepse nuk ka kryer detyrimet kushtetues, kërkojnë tani kush i ka nxjerrë. Problemi nuk është se kush i ka nxjerrë, por pse nuk janë hetuar. Edi Rama dhe ekipi i tij po e tërheq vendim drejt humnerës, ku shqiptarët nuk ua kanë borxh. Presidenti është kreu i Sigurisë Kombëtare, me këtë cilësi është e drejta e tij ta kërkojë një informacion të tillë. Gjuha prodhon aksion dhe veprim , unë do të preferoja që liderët e opozitës të përdornin një gjuhë më pajtuese, por kjo kërkon pajtim nga të dyja palët. Kur ata kanë përballë një kryeministër tërësisht agresiv. Acarimi i gjuhës tregon se tension po shkon në rritje. Unë besoj se komunitetin ndërkombëtar ka distancën e duhur ndaj një vendi anëtar të NATO-s”- shtoi ai.
Veprimin për heqjen e pasaportës diplomatike për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Mutafaj e cilësoi si një “hakmarrje të ulet”.
“Para 3 ditësh iu hoq pasaporta diplomatike Bashës. Heqja e pasaportës diplomatike të Bashës është hakmarrje e ulët bizantine”-theksoi ai.