Partia Demokratike zbuloi dy ditë më parë se Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kishte takuar në rrugë informale gardistin që shoqëron Lulzim Bashën.
Gjatë këtij takimi, Lleshaj e kishte informuar shoqëruesin e Bashës se kishte informacione të tërthorta, por të sigurta se kreut të opozitës i rrezikohej jeta.
Ndërkohë që dje, Ministri i Brendshëm i pyetur për këtë takim e ka pranuar se ka takuar shoqëruesin e Lulzim Bashës, por duke e quajtur atë si një zhvillim normal dhe rutinë e punës së tij.
“Patjetër që unë takoj shumë njerëz. Puna ime është të takoj oficerët e Gardës, oficerët e Policisë, me këtë punë merrem gjithë ditën, takoj oficerë të Gardës edhe të Policisë sepse këtë punë kam”, ka thënë Lleshaj.
Por i pyetur për letrën e opozitës, ministri ka thënë se ajo është e publikuar në gazeta, por nuk e ka lexuar ende.
Pyetja që lind është se çfarë pune ka një ministër i Brendshëm që të takojë informalisht shoqëruesin e liderit të opozitës.
Sipas hierarkisë institucionale, ministri mund të flasë me drejtuesin e Gardës së Republikës apo me drejtuesit e policisë së shtetit dhe jo me efektiv të thjeshtë, ky i fundit më pas komunikon me efektivin gardës që është në varësinë e tij.
Komunikimi i ministrit me efektivët e Gardës nuk parashikohet në asnjë nen të ligjit apo të rregullores së brendshme të institucioneve.
Në kompetencat e ministrisë theksohet qartë se detyra e Ministrisë së Brendshme është të kujdeset për politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e punëve të brendshme.
“Neni3, Ministri i Brendshem
1. Ministri i Brendshem eshte titullari i lnstitucionit te Ministrise se Brendshme. Ai drejton dhe mbikeqyr politiken shteterore brenda fushës se veprimtarise se ministrise.
Ministri mund t’ ua delegoje kompetencat e tij funksionareve politike te ministrisë dhe Sekretarit te Pergjithshem per plotesimin e detyrave funksionale”, thekson rregullorja e brendshme e Ministrisë.
FUSHAT E PËRGJEGJËSISË
Kompetencat e ministrit të Brendshëm janë të miratuara me vendim qeveria. Në një këtë vendim të miratuar nga kryeministri Edi Rama thuhet se: “Ministria e Brendshme ka për mision hartimin, zbatimin dhe zbërthimin e strategjive dhe politikave të punëve të brendshme, në përputhje me programin politik të Qeverisë.
Ministria është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e punëve të brendshme. Ministria ushtron veprimtarinë e saj sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi”.
Ndërkohë që po në këtë VKM ku përcaktohet fusha e kompetencave shtjellohet më tej se:
VENDOSI:
“1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
Ministria e Brendshme është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së punëve të brendshme në Republikën e Shqipërisë, është aparati organizativ dhe profesional, që i shërben interesit publik me paanësi, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, duke kryer shërbimet publike dhe duke hartuar e zbatuar politikat e përgjithshme shtetërore në çështjet e punëve të brendshme.
Ministria e Brendshme ushtron veprimtarinë e saj, në përputhje me legjislacionin përkatës, kryesisht, por jo vetëm, në fushat e përgjegjësisë shtetërore të poshtëshënuara, si dhe në çdo fushë tjetër përgjegjësie që i ngarkohet me ligj ose akte të Këshillit të Ministrave:
a) rendit dhe sigurisë publike;
b) veprimtarisë së prefektit të qarkut;
c) bashkërendimit me njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;
ç) shërbimeve të gjendjes civile;
d) hartimit të politikave, koordinimit dhe mbikëqyrjes së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri;
dh) ruajtjes dhe sigurisë së territorit dhe ndërtimeve;
e) veprimtarisë së organit qendror blerës, me autorizim të Këshillit të Ministrave.
Ministria e Brendshme përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi”, thekson VKM e miratuar.
Garda dhe Policia
Në ligjin e Gardës së Republikës specifikohet se ministri mund të thërrasë për raportin çdo tre muaj Komandatin e Gardës së Republikës, i cili emërohet nga Kryeministri. Por në asnjë rresht nuk thuhet që ministri mund t’i kërkojë llogari apo takim efektivëve të gardës.
Ndërsa në ligjin për funksionimin e policisë së shtetit theksohet se ministri harton dhe mbikëqyr zbatimin e politikave. Ndërkohë që i ndalohet që të marrë informacion për vendimet hetimore.
Pra, ministri sipas legjislacionit është autoriteti politik, për zhvillimin e politikave të PS, për sigurinë dhe rendin publik, paska si detyre funksionale të panjohur, takimin e truprojave të gardës?
Po komandanti i Gardës dhe drejtuesit e tjerë ushtarake atje, çfarë detyre kanë? Për çfarë flet Lleshaj me gardistët që shoqërojnë Bashën?! /Panorama/