BallinaOP EDMjegullnajë në skenën politike të Shkupit

Mjegullnajë në skenën politike të Shkupit

spot_img
spot_img

Ismail ARSLLANI

 Një kohë e shumë vite më parë, kur u përhap lajmi se në Vjenë kishte vdekur Franz Jozefi, disa KUNDËRSHTARË të tij u grumbulluan para pallatit dhe filluan të qanin. Mareshali i oborrit mbretëror doli në ballkon dhe filloi t’i ngushëllonte: “Nuk duhet të qani, se çdo gjë në perandorinë tonë do të mbetet si më parë!” Ata që vajtonin ia kthyen: “Po pikërisht për këtë po qajmë dhe ne!”. Nga ky këndvështrim, paksa vlen kjo anekdotë në digresion me situatën e tashme të përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, sidomos me vajtjen e “gruevizmit” nga skena politike, kur, pjesa dërmuese që ushqente shpresa për një kthesë dhe jetë më të mirë në këtë vend të Ballkanit të trazuar, nuk vajtoi, përkundrazi, u gëzua. Edhe më pesimistët, pas ikjes së Gruevskit, nuk besonin se s’do të ketë ndryshime pozitive në vend. Mjerisht, gëzimi u fashit nga fytyrat e njerëzve që prisnin të ndodhë mrekullia. Madje, pikërisht të shtyrë nga këto shpresa, shqiptarët kishin dhënë “peshqesh” mbi 70 mijë vota në konto të huaj për këtë qeveri, por, për fat të keq, “depozitimi” i këtillë i forcës së votës u shkri në kolltukët e butë, makinat luksoze dhe tenderët joshës. Meqë s’ndryshoi gjë gjatë këtyre viteve të kaluara nga rrënimi i një regjimi të egër, ata që shpresuan panë gabimin…

Ata panë se këtu nuk po rrjedhin gjërat në kahen e duhur, por se dështimet vishen me petkun e spekulimeve, inskenimeve, konstruksioneve dhe maskimeve kozmetike të dukurive shoqërore-politike dhe qeverisëse. Kulmi ishte kur kyeministri maqedonas, Zoran Zaev, i quajtur reformator, së fundmi vetë u kap në vorbullën e politikës premtuese, kur bëri gabim me “lojën” e marrjes së datës për negociata me BE-në, që kishte edhe “primesa” marketingu para zgjedhjeve presidenciale në muajin prill, por që iu kthye si bumerang në kokën e tij, ndërkohë që justifikoi ilaçin për ta shëruar këtë dhembje me një riformatim gati se formal të përbërjes qeverisëse.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e zyrave të vendosjes politike në Bruksel, Berlin dhe Paris nuk janë fare sentimentalë dhe të ndjeshëm ndaj vajtimeve apo “kërcënimeve” të liderëve politikë ballkanas. Ata janë shumë pragmatikë në vendosje dhe kërkojnë rezultate konkrete e praktike dhe nuk çajnë fort kokën për problemet tona, nëse ne nuk jemi të gatshëm dhe të aftë t’i zgjidhim ato njëherë e përgjithmonë, pas detektimit nga ana e ambasadorëve të tyre, si dorë e zgjatur e shkëmbimit të informatave dhe raporteve mbi zhvillimet e gjithëmbarshme, në rastin konkret në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, që në paketë presin datën e fillimit të negociatave me BE-në.

Atuja kryesore e kryeministrit Zaev – Marrëveshja e Prespës, me të cilën ky vend hoqi dorë nga emri i vet, në funksion të integrimeve euroatlantike, ishte shumë efemere dhe u shua si flluskë sapuni, përkundër shpresave të mëdha që vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë qeveri deri në tetor të këtij viti (sërish një përqendrim me datë që mund të lëviz dhe të sjellë defetizëm dhe dridhje tektonike politike), për të marrë “shpërblimin e merituar” nga BE-ja. Por dihet mirëfilli se në vendet e civilizuara perëndimore, në maje të piramidës është funksionimi i shtetit të së drejtës dhe luftës së pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, gjë që këtu është ende në fazën fillestare edhe atë në formën më të keqe të mundshme – veprim me gjyqësi “të kapur” dhe ende jo të profilizuar sipas kritereve evropiane, që rezultojnë me procese selektive gjyqësore, ku shihet qartë qasja formale ndaj këtij atributi të rëndësishëm demokratik dhe për këtë shkak nuk mund të merret notë kaluese nga arbitrit politikë ndërkombëtarë.

Këtu kemi të bëjmë me një skenë politike paradoksale, që është e shthurur, e dezorientuar, joreale, me paragjykime, nacionaliste, antishtetërore e kokëforte, ku secili prej aktorëve politikë shikon interesat e veta të ngushta partiake mbi ato shtetërore. Në këtë rrafsh prinë sidomos opozita maqedonase, në radhë të parë ajo e VMRO-DPMNE-së, e cila ende nuk është liruar nga prangat e gruevizmit, kur në ato pak qendra politike evropiane të partive simotra, merr guximin të prezantojë zi e më keq pushtetin aktual me Zaevin kryeministër, mbi të gjitha, duke bërë një veprim absurd kur gëzohet për mosmarrjen e datës për negociata me BE-në, në qershor të këtij viti.

Në këtë kontekst kundërthëniesh politike, kanë hise edhe subjektet politike shqiptare, para së gjithash ato në pushtet, të cilat pozicionohen me njëfarë diskrapance të pakuptueshme mes premtimeve dhe kërkesave të elektoratit të dëshpëruar shqiptar në këtë vend, që u bë “trampolinë” për shpërngulje masive jo vetëm për motive ekonomike, por edhe për humbje të perspektivës, respektit, drejtësisë, vlerave të njëmendta, përballë favorizimit të librezave partiake, manipulimeve, gënjeshtrave dhe jo konsekuencave të tjera. Imponohet nevoja e patjetërsueshme që “korpusi” qeverisës shqiptar në qeverinë e riformatuar të Zaevit, në të ardhmen mos të shtiret si i shurdhër, por së paku me një vesh të dëgjojë zërin e votuesve të vet dhe t’i artikulojë kërkesat e tyre në qarqet vendimmarrëse, nëse nuk dëshiron të marrë goditjen përfundimtare jo më larg se në dhjetor të vitit 2020, kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular