Politologu Afrim Krasniqi i ftuar në emisionin “Tempora” e quan skandaloze situatën që po shkon drejt një konflikti të pashmangshëm me një kosto shumë të madhe. Pavarësisht se e quan akt politik dekretin e kreut të shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Krasniqi tha se ishte një shans për dialog politik, dhe ky nuk është vetëm arsyetim i një pjese publiku në Tiranë por është dhe arsyetim i një nga kancelarive kryesore ndërkombëtare, por që palët nuk e përdorën.
Afrim Krasniqi: Nuk është juridike kjo që po ndodh. E trishtueshme është se shqiptarët po shohin përmes ekranit të televizorit se Shqipëria po shkon drejt një situate skandaloze, drejt një konflikti të pashmangshëm me një kosto shumë të madhe, duke humbur të gjithë shanset dhe miqtë e Shqipërisë në botë. Ne që punojmë me të huajt e shohim cdo ditë e më shumë. Ka një skepticizëm në bllok ndaj gjërave si po ecën Shqipëria dhe prespektiva e saj. Dhe është e frikshme, e dhimshme dhe e papranueshme sesi kjo skemë ndodhë dhe nuk bëhet asgjë për ta ndaluar. Të gjithë këta aktorë, presidenti, kryetar opozite, maxhorance janë pjesë e fajit kush më shumë e kush më pak dhe të gjithë këta artifica teknike nuk janë as zgjidhje, as thelbi i problemit dhe as arsyeja pse ndodhim në krizë
Sonila Meço: Koha që dha presidenti mund të ishte një zgjidhje?
Afrim Krasniqi: Që kur ka dalë dekreti i presidentit unë e kam gjykuar si akt politik. Përsa kohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese askush tjetër nuk ka autoritetin për ti thënë presidentit e ka mirë apo gabim, pavarësisht se kam bindjen personale që nuk është kompetencë e presidentit për të nxjerrë një dekret të tillë. Megjithatë ishte shans për të bërë dialog politik. Dhe arsyetimi i tij, që mund të përdorej si shans për dialog politik, nuk është vetëm arsyetim i një pjese publiku në Tiranë por është dhe arsyetim i një nga kancelarive kryesore ndërkombëtare. Palët nuk e përdorën dhe sot kemi shkuar aty ku nuk kemi vetëm një president në presidencë, por dhe president në KQZ, një në kryeministri dhe një në opozitë. Secili e lexon Kushtetutën dhe ligjin siç e dëshiron.