Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e ka përforcuar deklaratën e saj kundër zgjedhjeve të 30 qershorit.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ajo tha se do të mbrojë me çdo mjet ligjor objektet e Bashkisë që ajo drejton dhe që në asnjë rast nuk do lejojë që ato të përdoren për të votuar.
“Bashkia e Shkodrës, kryetarja e Bashkisë do të zbatojë dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Këtu besoj se nuk ka asnjë diskutim dhe nuk mund të bëjmë dot ndryshe, është detyrim ligjor.
Kam komunikuar dy javët e fundit me të gjitha institucionet dhe i kam njoftuar, KQZ, Prefektin, Drejtorin e Policisë, Ministrin e Brendshëm. Nuk vendosim në dispozicion asgjë nga infrastruktura lokale.
Kodi Zgjedhor njeh angazhimin e detyrueshëm të pushtetit lokal, por ne nuk i bëjmë dot dhe në këtë kohë nuk realizohen zgjedhjet. Infrastruktura nuk është e përshtatshme. Nëse KZAZ-të nuk janë mbledhur, nuk janë të qarta për publikun sikundër ishin më parë. Imagjinoni se çfarë katrahure do të kenë këto zgjedhje.
Nuk bëhet fjalë për uzurpim apo për ndërhyrje, apo përballje. Bashkia e Shkodrës ka mbyllur të gjitha objektet dhe askush nuk më detyron mua të jap objekte të tjera”, deklaroi Voltana Ademi.