ODIHR u tha shqiptarëve se ata nuk patën mundësi për të zgjedhur dhe se kandidatët e qeverisë nuk kishin rivalë.
• Mungesa e zgjedhjes i ka bërë zgjedhjet e 30 qershorit nul.
• Opozita do të vazhdojë të provojë çdo shkelje që është konstatuar në procesin e votimit të datës 30 qershor
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, OERD BYLYKBASHI
Mosrespektimi i standardeve për zgjedhje demokratike ka detyruar opozitën që të marrë një vendim shumë të fortë, për të mos u futur në zgjedhjet e dekretuara të 30 qershorit dhe më pas të anulluara nga presidenti i republikës.
“Zgjedhjet, më shumë se për këdo tjetër, kanë interes dhe rëndësi për zgjedhësit”. Këtë deklaroi sot ODIHR dhe pikërisht këtë ka deklaruar dhe ka mbështetur fuqimisht edhe Partia Demokratike, gjatë gjithë kësaj periudhe, kur jemi përpjekur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. ODIHR u tha shqiptarëve se me 30 qershor nuk pati zgjedhje, ku zgjedhësit shqiptarë të kishin mundësi për të bërë zgjedhje të lira, të ndershme dhe me plot mundësi për ata që t’i përfaqësojnë. Mungesa e zgjedhjes i ka bërë këto zgjedhje nul.
ODIHR u tha shqiptarëve se ata nuk patën mundësi për të zgjedhur dhe se kandidatët e qeverisë nuk kishin rivalë. Pavarësisht kësaj, qeveria vendosi të ecte përpara, duke organizuar një farsë me 30 qershor, pa marrë në konsideratë interesin bazë dhe themelor të zgjedhësve, që është e drejta e tyre për të zgjedhur.
ODIHR deklaroi pa asnjë ekuivok se e vetmja gjykatë për të shqyrtuar dekretet e presidentit të republikës për datën e zgjedhjeve është Gjykata Kushtetuese.
Kapja e plotë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjitha komisioneve zgjedhore nga Partia Socialiste si dhe refuzimi i të drejtës së partive opozitare për të patur anëtarët e tyre në komisione, sipas ODIHR-it dhunoi Kodin Zgjedhor dhe qëllimin e tij për të siguruar balancimin politik të komisioneve zgjedhore, me qëllim garantimin e të drejtave bazë të zgjedhësve.
Kjo është deklarata paraprake më e fortë dhe më e ashpër që ka bërë ndonjëherë në 20 vitet e fundit OSBE/ODIHR-i, duke kritikuar rëndë rolin e qeverisë në shkatërrimin e zgjedhjeve, pasi u pamundësoi zgjedhësve shqiptarë të vendosnin ata vetë për ata që do t’i përfaqësojnë.
Kjo deklaratë e sotme bëri nul të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për organizimin e farsës zgjedhore të 30 qershorit. Opozita do të vazhdojë të provojë çdo shkelje që është konstatuar në procesin e votimit të datës 30 qershor dhe do të bëjë të mundur që shqiptarët të kenë mundësi për të zgjedhur në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.