Nga Ilir Nikolla
Sjellja politike e Edi Ramës pas braktisjes masive që pësoi në zgjedhjet e tij private të 30 qershorit, paralel me krizën e rëndë politike dhe institucionale që ka paralizuar vendin, meriton një vëmendje të posaçme. Por media jonë, veçanërisht disa analistë të politikës, njësoj si në ato eksperimentet psikologjike, po lëvizin sipas sinjaleve që u vijnë nga tjetërkund dhe tashmë publiku ka marrë vesh se ata po luajnë lojën e vjetër “kriza e opozitës, opozita është në hall, lëvizja që do të ndërmarrë opozita…”, etj.
Kjo është lëvizja e parë e ndërmarrë në të nxehtë nga Edi Rama, pas vaterlosë që pësoi me 30 qershor. Është një lëvizje e stilit të vjetër, por që ende mendohet se mund ta pilotojë debatin publik në ditët e nxehta të verës.
Lëvizja tjetër ndjek sërish patologjinë e vjetër të gjetjes së armiqve të brendshëm dhe pritet të pajiset me emra gjatë verës, në atë që “timonieri” e ka quajtur “debat i brendshëm”. Qysh tani, gazetarët pranë kryeministrit kanë nisur të përvijojnë identikitet e armiqve të brendshëm dhe kandidatët e parë për t’u linçuar janë shpallur Ditmir Bushati e Fatmir Xhafaj. Sektarët ekstremistë mësohet se kanë kërkuar që edhe Pandeli Majkos t’i jepet një paralajmërim për qasjen e tij të brishtë ndaj armiqve politikë dhe thirrjet e tij të herëpas’hershme për të gjetur një zgjidhje kompromisi.
Pilotimi i debatit tek opozita është një shenjë dëshpërimi, pasi jehona e bojkotit masiv të votimeve s’mund të zhurmohet e as të devijohet. Në agjendën e ndërkombëtarëve ka hyrë vrullshëm kriza e Shqipërisë dhe është e pamundur që ajo të mos asociohet me kryeministrin Rama si përgjegjësi i madh i saj.
“Kriza e opozitës” është një version i propagandës së vjetër 6-vjeçare “Fajin e ka Saliu”, por më i prapambetur dhe më i pabesueshëm. Ai s’shërben as sa për objektivin minimal, për të mbajtur krizën në një gjendje të ngrirë. Daljet aposteriori të Edi Ramës si një burrë shteti që qeveris me forcat speciale, forcat e policisë dhe “deep state”-in janë lëvizje transparente në drejtim të vendosje së regjimit dhe një pranim i sfidës, një pranim që s’vjen nga kthjelltësia, por nga dëshpërimi.
Në këtë klimë turbulluese do të luhet edhe loja me armiqtë e brendshëm në PS. Në këtë hartë, ende mbetet i paqartë roli i Erion Veliajt, i cili nuk doli aq i fortë sa mendohej, por është aktualisht faktori më ekstremist kundër çfarëdo marrëveshjeje për restaurimin e zgjedhjeve vendore në vend. Peshorja mes lali Erit dhe normalizimit të klimës politike në vend është një matje e pamundur për Edi Ramën. Normalizimi sjell detyrimisht edhe largimin e tij nga pushteti, prandaj mes realpolitikës dhe shantazhit brendapartiak, hëpërhë, spektakli i verës do të përqendrohet tek armiqtë e brendshëm.
Kalendari veror i ka dhënë mesazhet e para dhe përzgjedhja e Ramës për devijimin e debatit dhe për t’u shfaqur në vetë të parë si kryetari i “deep state”-it është tregues se jemi në fazën finale. Kot bëjmë propozime për zgjidhje politike në vjeshtë. Rama e ka vendosur ta bëjë provën e forcës në verë, prandaj edhe raundin final është mirë ta zhvillojmë në këtë stinë.