Gazetari i njohur Gjergj Erebara i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24 ka folur për ligjin antishpifje, projektligji ky i miratuar disa ditë më parë nga qeveria Rama. Ai tha se kjo nismë e re nuk ka qëllim tjetër, por synon censurimin e mjedisit mediatik. Sipas gazetarit, kjo paketë ka disa shkelje kushtetuese.
Gjithashtu gazetari thotë se gjuha e përdorur në këtë ligj është shumë fluide dhe lë mundësinë që ky institucion të gjobisë median, sipas dëshirës së saj. Ai ka besimin se ky ligj nuk do të ecë përpara.
“Është një përpjekje e hapur për censurë, në shkelje të Kushtetutës dhe lirive themelore të njeriut që janë të mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në variantin e parë kishte një numër shkeljesh të të drejtave të njeriut, 5-6 ose 7 shkelje. Ndërsa në drafin e fundit, numri i shkeljeve është reduktuar në 2-3, por gjithsesi mbeten shkelje kushtetuese dhe si të tilla nuk duhet të miratohen. Ligji krijon një institucion që zëvendëson sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, që është Këshilli i Ankesave pranë një institucioni politik, që është Autoriteti i Medias Audiovizive, i cili zgjidhet nga parlamenti dhe parlamenti zgjedh këtë këshillin e ankesave. Pa kurrëfare procedure dhe procesi të njohur, ky institucion merr përsipër të gjobisë një media, nëse gjykon, që kjo media ka shpifur ose ka cënuar nderin dhe dinjitetin.
Gjuha e përdorur në këtë ligj është shumë fluide dhe lë mundësinë që ky institucion të gjobisë median për çfarë t’i dojë qejfi. Që të ketë një procedurë administrative është një gjë, por që të ketë një procedurë administrative të pa apelueshme, është një gjë tjetër. Kjo është shkelja e dytë.
Shkelja e parë është parimi i sigurisë juridike, që do të thotë, unë duhet të kem siguri që do të trajtohem në mënyrë të drejtë nga një institucion dhe ky institucion duhet të plotësojë disa kritere. Fjala vjen, ne shkojmë në gjykatë por gjykatësit duhet të jenë më shkollë magjistrature, që të më gjykojnë. Ndërsa në këshillin e etikës, do jenë disa burokratë të nivelit të ulët, pa kurrëfarë kriteri ligjor, pa kurrëfarë arsimi juridik, që do të gjykojnë mbi median. E dyta është e drejta për të apeluar. Sipas ligjit, këto gjoba të AMA-s, të cilat variojnë nga njëqind mijë lek deri në një milionë lek të reja, janë të zbatueshme menjëherë pavarësisht nëse media merr përsipër të shkojë në gjykatë apo jo.
Shkelja e tretë, është se merr përsipër të zbatojë një kod etike pa kaluar në rrugë gjyqësore. Merr nën kontroll median. Ka një nen aty që thotë se në rast se Gjergj Erebara gjykohet se ka shpifur ndaj një zyrtari të lartë, atëherë AMA i vendos një dritare pop-up, siç janë dritaret e reklamave, që të thotë se ky portal ka shpifur. Kjo do të thotë të imponohesh tek portali yt. Të gjitha këto janë përpara se të shkosh në gjykatë. Në ndryshim nga ligji më përpara që të mbyllte, në këtë rast ai nuk i ka dhënë të drejtë vetes ta mbyllë portalin, por duke vendosur gjobë njëqind mijë deri në një milionë lek, kjo do të thotë të mbyllet.
Gjobat janë disproporcionale me synimin. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ka shqyrtuar gjerësisht çështjen e gjobave për shpifje. Edhe kur shpifja ekziston me të vërtet, liria e shprehjes është me e rëndësishme se sa liria e dinjitetit të një personi dhe liria e shprehjes do të thotë se gjoba nuk mund të jetë penalizuese dhe nuk mund ta vendosë subjektin shpifës në gjendje falimenti.
Kjo është një çështje që do të shqyrtohet në vijimësi. Unë nuk jam shumë i frikësuar nga kjo, nuk mendoj se do të ndodhë kjo. Në botën e internetit është shumë e vështirë të censurohet sot. Në vende si Kina, harxhojnë miliarda për të mundur të censurojnë, edhe ata e kanë shumë të vështirë. Në Shqipëri, qeveria shqiptare ka zero shanse ta bëjë këtë punë”-tha ai.