Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të enjten raportin mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019.
Në pjesën për Shqipërinë, thuhet se investitorët e huaj përmendin si problemet e tyre më të vazhdueshme korrupsionin në gjykata dhe administratë, mungesën e transparencës në prokurimet publik dhe zbatimin e dobët të kontratave.
Raportet për korrupsion në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme, thuhet në raportin e DASH. Përdorimi në rritje i 200 kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë mes investitorëve vendas dhe të huaj.
Studiuesi i njohur i ekonomisë, Dr. Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës, thotë se Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit thekson më fort vështirësitë e mëdha, që hasin përditë bizneset shqiptare.
Korrupsioni i përhapur, paqartësitë mbi pronat dhe mos-zbatimi i ligjit po dëmtojnë rëndë prej vitesh ekonominë, por asnjë nga këto nuk po ndryshon, dhe klima e biznesit në Shqipëri, mbetet e acarruar, tha ai.
Me zotin Xhepa bisedoi korrespondenti ynë në Ilirian Agolli.
Zëri i Amerikës: Zoti Xhepa! Cili është komenti juaj mbi Raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në botë, pjesa për Shqipërinë?
Selami Xhepa: Ky është raporti i parë kaq kritik, kaq i drejtëpërdrejtë dhe mesazhet që përcjell janë kaq shumë serioze për ekonominë. Në fakt, nuk është më shumë se sa një seri raportesh të botuara edhe më parë si nga donatorët edhe nga organizata biznesi. Për këto probleme është reaguar edhe nga gjithë komuniteti i studiuesve të brendshëm. Ky raport nga DASH përcjell me të njëjtën forcë dhe në mënyrë më serioze ato shqetësime që ne i kemi evidentuar prej kohësh, dhe që fatkeqësisht po manifestohen edhe në gjendjen edhe në zhvillimin e ekonomisë në tërësi.
Zëri i Amerikës:Cilat janë sipas jush, disa nga problemet kryesore të ekonomsë shqiptare dhe si mund të kapërcehen ato?
Selami Xhepa:Problemet që vazhdojnë të mbeten gangrena të sistemit janë çështjet pazgjidhura të pronësisë, korrupsioni i përhapur gjerësisht në gjykata dhe në gjithë segmentet e administratës publike. Por më shqetësuese këtë radhë janë prokurimet publike, praktikat e të cilave janë përkeqësuar gjithnjë e më shumë nga pikëpamja e standarteve të transparencës dhe nga rregullat e barabarta të lojës, që u duhen garantuar për gjithë subjektet. Kjo e fundit e ka bërë raportin e DASH-it të jetë kritik dhe të duket shumë më i ndryshëm na periudhat e kaluara.
Kemi një mori kontratash të partneritetit publik privat, që janë gjerësisht të kontestuara nga aktorët vendas, nga studiuesit dhe nga media, sepse janë provuar se janë kryer me praktika korrustive, me çmime të larta dhe parregullsi të tjera , që nuk kanë garantuar rregulla të barabarta të lojës dhe konkurrim të hapur për gjithë aktorët. Mendoj se kjo përbën një shqetësim serioz, sepse kjo dëshmon që klima e konkurrencës së ndershme është larg standarteve normale, që kërkon ekonomia e tregut.
Zëri i Amerikës: Profesor, si ka mundësi që edhe pas një serie kritikash nga FMN, Banka Botërore dhe nga shumë studiues të tjerë, që përsëriten për ekonominë shqiptare, por ato nuk zgjidhen ose nuk ka korigjime të tyre?
Selami Xhepa: Një vend normal me standarte demokratike kërkon nga qeveria e vet të jetë e përgjegjshme për taksat e qytetarëve. Bëhet fjalë për paratë e qytetarëve, që qeveria ua merr nga xhepi dhe nuk ua kthen me shërbime dhe produkte cilësore, por në fakt po abuzon me to. Pse ndodh ky mosreagim është krejt e pashpjegueshme, por një gjë është shqetësuese vërtet që, nëse gjërat nuk ndryshojnë, kjo mund të ketë një efekt shumë negativ dhe shumë afatgjatë në ekonomi. Është fakt që për shkak të këtyre faktorëve Shqipëria ka qenë shumë e dis-avantazhuar në raport me vendet e rajonit sa u takon investimeve të huaja. Prej kohësh Shqipërisë po u mungojnë investime të rëndësishme cilësore, në ato sektorë që e modernizojnë ekonominë e vendit. Nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu pa reagim nga ana e qeverisë, unë them që kostot që do të prodhojë kjo lloj keq-qeverisje, apo këto politika të këqija, do të jenë serioze për fatet e ekonomisë kombëtare.