Zgjedhjet e 30 Qershorit në Bashkinë Vau Dejës janë modeli i një procesi të dështuar dhe të manipuluar”. Kjo ka qenë deklarata e avokatit të njohur për çështjet zgjedhore, Jordan Daci i cili po merret pikërisht me këtë çështje në Bashkinë Vau Dejës.
Daci ka vënë theksin tek fletët e votimit ndërkohë që ka argumentuar se dokumenti doganor i siguruar tashmë dhe i bërë public, është një provë e fortë e cila hedh dyshime të arsyeshme se procesi i zgjedhjeve të 30 Qershorit është i manipuluar.
Nga ana tjetër, ai rëndit edhe një sërë shkeljesh të tjera të procesit siç është edhe rasti i anëtares së KZAZ 6 e cila sipas tij, përveç se e punësuar në kompaninë e kandidatit të PS-së, është edhe kandidate në listën e këshilltarëve të Partisë Socialiste .
Daci u shpreh se ka prova të mjaftueshme që procesi të bëhet nul. Ai tha ndër të tjera se do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore për të hedhur poshtë procesin dhe zgjedhjet të ribëhen në Bashkinë Vau Dejës .