Banorët e “Astirit” kanë dale që në orët e para të mëngjesit në protestë, pasi janë informuar se sot mund të nisë prishja e banesave në këtë zonë. Një banor i revoltuar është shprehur se kjo histori do të përfundojë me viktima.
“Te Unaza e Re nuk keni asnjë lloj shansi t’i prishni. Ne jemi për shtëpitë tona. O të na vrasin ata, o do i vrasim ne, kështu do të përfundojë. Ne do të bëjmë kufoma në pragun e shtëpisë tonë. Duam drejtësinë tonë”, – u shpreh një banor.
Në këtë zonë ka një prani mjaft të madhe të punonjësve të policisë Bashkiake dhe asaj të rendit, pasi priten që të prishen disa banesa pa leje. Gazeta Mapo u interesua pranë Policisë së Tiranës, të cilët thanë se banesat që priten të prishen sot nuk kanë lidhje me projektin e “Unazës së Madhe”, por me rikualifikimin e një rruge që lidh zonën e “Astirit” me Kasharin.