BallinaKryesoreVjeshta e "nxehtë" politike për Maqedoninë e Veriut

Vjeshta e “nxehtë” politike për Maqedoninë e Veriut

spot_img
spot_img

Nga Ismail ARSLLANI

Në momentin e tashëm politik dhe gjeostrategjik të Ballkanit perëndimor, kur BE-ja, e cila tashmë kaloi procesin e zgjedhjeve të reja, po hamendet ende për zhvillimin e dinamikës së zgjerimit me disa shtete të ish-Jugosllavisë, në radhët të parë të Maqedonisë së Veriut, e cila shkon në “paketë” me Shqipërinë në aspiratat eurintegruese me marrjen e datës për fillimin e negociatave, për shkak të politikave rigide dhe pragmatike të Francës dhe të Holandës ndaj kësaj pjese periferike evropiane, me kamuflimin e vendimmarrjes edhe nga Gjermania, po shkojnë “viktimë” e reformave të paralajmëruara të BE-së vetëm si pretekst, sidomos flijohet fati i mëtejmë i Shqipërisë, për shkak të jostabilitetit brenda shtetëror dhe aferave korruptive, për dallim nga Maqedonia e Veriut, e cila vuan po këto sëmundje tashmë të detektuara, por që gëzon një simpati të matur nga Brukseli pas Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, lidhur me kontestin për emrin e shtetit.

Marrëveshja e Prespës nuk u prit mirë nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare. Kjo e para, për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit, nocion ky që me letrën e ndjenjave nacionaliste mbajti në pushtet partinë VMRO-DPMNE më se dhjetë vjet. Ndërsa e dyta, për shkak të mospërfilljes së kërkesave të saj për inkorporim në ndryshimet kushtetuese të disa çështjeve të mbetura pezull nga premtimet që ishin dhënë. Në fakt, kjo marrëveshje i solli disa favore Maqedonisë së Veriut, e cila u debllokua nga Greqia dhe hapi rrugën e sigurt për anëtarësim të plotë në NATO, që pritet të bëhet në fillim të dhjetorit të këtij viti në Samitin e saj të rregullt në Londër, gjë që do ta bënte këtë vend më të sigurt politikisht dhe ekonomikisht.

Në anën tjetër, premtimi “bombë” i kryeministrit aktual maqedonas, Zoran Zaev, vitin e kaluar, pas marrëveshjes me Greqinë, se nga mesi i vitit 2019 Maqedonia e Veriut do të marrë datë për negociata, u shua si flluskë sapuni dhe kjo gjendje e re e papritur do të ketë dëm të madh kolateral politik, si brenda shtetit, ashtu edhe jashtë, ndonëse premtimet e Brukselit ende nuk janë shuar se ky vend do të marrë datën më së voni në tetor të këtij viti, për çka është zotuar se do të angazhohet personalisht kancelarja Merkel, sipas Zaevit në takimin kokë më kokë, për ta bindë presidentin francez, Makron, i cili kundërshton hapur fillimin e negociatave.

Megjithatë, pas një viti paksa politikisht stabil, jo më larg se vjeshta që vjen, pritet që këtë vend të brishtë në çdo segment, pas një regjimi të egër prej një dekade, sërish të përfshijë një situatë e nderë, me shumë pasiguri, protesta (që janë paralajmëruar nga opozita maqedonase), shtim të euroskepticizmit, burgosje elitare, dorëheqje nga disa funksionarë shtetërorë, që mund të përfundojë me ndërmjetësim të ambasadorëve të akredituar në Shkup dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat opozita maqedonase i kërkon menjëherë, por që mund të mbahen në pranverën e ardhshme, në vend se në fund të vitit 2020. Ky do të ishte një skenar i mundshëm, pavarësisht nëse jepet data për negociata në tetor, sepse, pas zgjedhjeve në Greqi, nomenklatura e re qeverisëse e këtij vendi, me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, megjithëqë prononcohet se nuk do ta prek Marrëveshjen e Prespës, ka paralajmëruar obstruksione, madje edhe bllokadë për Shkupin në rrugën eurointegruese.

Këto zhvillime do të dekurajojnë pushtetmbajtësit e këtushëm në rrugën e reformave me kodin evropian, që do të reflektohen në luftën e filluar kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe gjyqësisë së kapur, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër do të inkurajohen agjenturat e huaja, në radhë të parë ato ruse, për të vepruar në këtë terren, jo vetëm në stilin e “komediantëve” dhe telefonatave të rreme me Zaevin, por edhe me veprime destabilizuese për ta penguar këtë vend që të shqepet nga kthetrat e bllokut lindor. Këto supozime hipotetike për këtë vend që me siguri se në vitin 2020 do të jetë anëtare fuqiplote e NATO-s, mund edhe të mos ndodhin, por nëse do të ndodhin, atëherë, kësaj radhe, sinqerisht thënë, do të jenë edhe me fajin e BE-së, e cila nuk u mor me seriozitet për pasojat e mundshme dhe nuk e ndihmoi këtë vend deri në fund, edhe pse kryeministri Zaev kreu disa “detyra shtëpie” që i kishte marrë si obligim nga qendrat e vendosjes politike evropiane.

Gjithë kjo situatë që mund të shkallëzohet nga muajt në vijim, gjithsesi i shkon për shtat opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, e cila dëshiron sa më parë të kthehet në pushtet dhe ta zhbëjë Marrëveshjen e Prespës, duke e kthyer emrin e vjetër të Maqedonisë, por mbi të gjitha që t’i amnistojë të gjithë të implikuarit e kësaj partie që po enden korridoreve të gjyqeve për veprat e kryera kriminale, si dhe ta kthejë nga Budapesti liderin e saj, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga vendi si në filma kriminalistikë, kur duhej të ballafaqohej me burgun. Edhe partitë shqiptare opozitare, ASH, Besa dhe PDSH presin shansin e tyre për ta detronizuar BDI-në në pushtet, e cila është akomoduar që nga viti 2002. Diçka më shumë do të dihet pas takimit të liderëve të premten (19 korrik) në Shkup, që thërritet nga kryeministri Zaev, i cili, sipas disa prononcimeve, mund t’i injorojë disa subjekte politike shqiptare në opozitë, ndonëse mund të vihet në tryezë edhe çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Për opozitën shqiptare, sa më parë që të ndodhin këto zgjedhje parlamentare, aq më mirë do jetë, konsiderojnë shtabet e saj. Ambiciet janë të mëdha nga të gjithë taborët, por fjalën e fundit do ta japë populli.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular