Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se opozita e bashkuar ka përgatitur një platformë ekonomike për të zgjidhur krizën ekonomike në të cilën kjo qeveri e ka zhytur vendin dhe për t’i dhënë fund, grabitjes së pasurive të Shqipërisë dhe varfërimit të qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha: “Sot, në takimin me opozitën e bashkuar, kemi biseduar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe ofrojmë shqiptarëve.
Në këtë kuadër kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet më të mëdha, fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë e demokracisë, luftës kundër krimit e drogës, ia ka dalë t’i vërsulet Shqipërisë , buxhetit, pasurive, ta vjedhë dhe ta grabisë qytetarin e thjeshtë dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë për gati dy dekada.
Ndaj bashkarisht kemi diskutuar platformën tonë ekonomike për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë e do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila përmes jo vetëm studimeve të opinionit publik dhe referendumit të 30 qershorit, është konfirmuar si mazhoranca e re politike. “