Gjykata e Durrësit ka refuzuar të certifikojë mandatin e kryebashkiakes së zgjedhur të Durrësit, të dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Gjykatësja Mimoza Margjeka e ka quajtur mandatin e kandidates socialiste të marrë në mënyrë të parregullt, për shkak të pjesëmarrjes së paligjshme në zgjedhje të Partisë Bindja Demokratike (BD). Sipas ligjit nëse regjistrimi i garuesve është i paligjshëm, i bën zgjedhjet të paligjshme.
Vendimi pritet të apelohet në Gjykatën e Durrësit dhe do të rihapë edhe një herë diskutimet mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit. Nëse ky vendim do të konfirmohet nga Gjykata e Apelit e Durrësit, ai do të rrëzojë praktikisht zgjedhjet në 22 bashki, përfshi edhe atë të Tiranës, ku kanë kandiduar përfaqësuesit e BD-së për kryebashkiakë.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit ka nxjerrë në pah një nga skandalet kryesore të zgjedhjeve të 30 qershorit—regjistrimin në shkelje të hapur të ligjit të Partisë Bindja Demokratike.
BD u pranua të regjistrohej pas datës së fundit të lejuar për regjistrimin e partive politike që ishte data 23 prill 2019.
Exit.al e ka ngritur këtë problem që në atë kohë në nje artikull te detajuar. Bindja Demokratike paraqiti kërkesën për regjistrim në Gjykatën e Tiranës më datën 23 prill 2019—data e fundit e lejuar për regjistrimin e partive politike në zgjedhje.
Në kërkesën e saj BD nuk ka paraqitur, sikurse kërkon ligji, vërtetimin e regjistrimit të BD-së në regjistrin e partive politike.
Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin e shkallës së parë për regjistrimin e BD-së, dy ditë pas këtij afati, më 27 prill 2019. Por edhe ky vendi nuk është i formës së prerë, pasi ai është apeluar në Gjykatën e Apelit të Tiranës nga pesë qytetarë, të cilët akuzuan se firmat e tyre në kërkesën e regjistrimit të BD-së ishin të fallsifikuara.
Gjykata e Apelit vendosi regjistrimin përfundimtar të Bindjes Demokratike më datën 10 maj 2019, edhe pse vendimi i saj nuk është bërë publik dhe nuk dihet si i trajtoi ajo çështjen e firmave te fallsifikuara.
Gjithsesi, fakti është se BD u regjistrua me vendim të formës së prerë si parti politike 17 ditë pas mbarimit të afatit për regjistrimin e partive për zgjedhjet e 30 qershorit.
Kodi Zgjedhor kërkon që partitë politike të jenë të regjistruara me vendim të formës së prerë brenda afatit të caktuar për regjistrim në zgjedhje për të marrë pjesë në to.
Nuk ka asnjë dyshim se regjistrimi i BD-së është bërë në mënyrë të paligjshme nga KQZ. Madje sikurse kemi sqaruar më herët, vendimi i KQZ bie ndesh me vendimet e mëparshme të saj kur ajo ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen në zgjedhje të partive që nuk kanë qenë të regjistruara në gjykatë para mbarimit të afatit të fundit të regjistrimit zgjedhor.
Çështja e regjistrimit të paligjshëm të Bindjes Demorkatike u ankimua në Kolegjin Zgjedhor në fillim të majit nga Partia Bashkimi Demokrat.
Më datën 9 maj 2019, mediat raportuan se Kolegji Zgjedhor e kishte hedhur poshtë kërkesën e Bashkimit Demokrat, por nuk është bërë asnjëherë publik as ndonjë vendim i tillë i Kolegjit dhe aq më pak përmbajtja e këtij vendimi të supozuar.
Sidoqoftë, nuk ka dyshim se KQZ ka shkelur edhe gërmën dhe frymën e ligjit në regjistrimin e një partie që nuk ekzistonte fare si parti në ditën e mbarimit të afatit për regjsitrim.
Këtë shkelje e konstatoi edhe misioni monitorues i OSBE-ODIHR-it, i cili në raportin paraprak u shpreh:
KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore.
Ajo çfarë e bën edhe me të rëndë regjistrimin antiligjor të Bindjes Demokratike është natyra tërësisht politike e vendimit, çfarë dëshmon se KQZ ka qenë nën kontrollin e qeverisë.
Partia Socialiste kërkoi me çdo kusht që t’i krijonte nje fasade pluraliste e zgjedhjeve të 30 qershorit, pas bojkotit të opozitës. Pas dështimit për të siguruar kandidatë të pavarur apo kandidatë nga forca të tjera politike, asaj i erdhi në ndihmë ish-nënkryetari i PD-së Astrit Patozi, i cili vendosi që të krijonte me urgjencë një parti politike për t’u futur në zgjedhje.
Ishte pikërisht regjistrimi i Bindjes Demokratike që siguroi një fasadë gare në 22 bashki, ku kandiduan nga dy kandidatë, një i PS-së dhe një i BD-së. Në 31 bashki të tjera kandidatët e PS-së morën pjesë të vetëm në zgjedhje. Ky numër do të ishte 53 nga 61 bashki në total, sikur të mos ishte lejuar regjistrimi i BD-së. Exit.al
Mesohet se i njejti vendim eshte marre edhe per kandidatin e Bashkise Vore.