Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, e cilësoi politike kërkesën për shkarkim nga një grup deputetësh socialistë. Malaj thotë se pas shkarkimit nga Presidenti turk Erdogan të Guvernatorit të Bankës së Turqisë, “ky mund të jetë rasti i dytë që maxhorancat e gjithëpushtetshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore”.
“Fakti që pas shkarkimit nga Erdogan të Guvernatorit të Bankës së Turqisë, ky mund të jetë rast i dytë që maxhorancat e gjithëpushtetshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore”, thuhet në një reagim të Malajt në “Facebook”.
Shqetësimi është i protokolluar në mbledhjen e Bordit të BSH”, shprehet Malaj. Sipas tij, veprimi i deputetëve socialistë është politik, sepse Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë vërejtje për shkelje etike.
“Vetëm profesionalisht më trishton. Veprimi i tyre është i pastër politik, sepse shkeljet etike materializohen me cenim të reputacionit apo evidencës të Bankës së Shqipërisë, gjë që sipas vlerësimeve edhe të institucioneve ndërkombëtare, por edhe në mbledhjen e Bordit pas mandatit të ri, (mandati i parë ishte zëvendësues rreth dy vite) nuk ka asnjë shqetësim të shprehur ndaj meje për shkelje etike.
Mbledhja e fundit ishte në 3 Korrik 2019”, shprehet Malaj. Ai shprehet se ka punuar dhe vepruar me integritet dhe profesionalizëm të lartë. “E para dhe thelbësorja – vendit tim i kam shërbyer në çdo kohë me integritet të lartë, profesionalizëm të thellë dhe dashuri të madhe. Të tria këto vërtetohen gjatë përvojës 32-vjeçare në çdo angazhim akademik, shoqëror dhe politik. Ju kam paralajmëruar që u bënë përpjekje maksimale për të mos më rizgjedhur. Për interesat dhe emrat konkretë do të flas fillimisht në procesin e ballafaqimit parlamentar”, shprehet Malaj.
Ai sqaron se ka ngritur në probleme diskutimi të gjitha sfidat e Bankës së Shqipërisë. Malaj shprehet se do ta ndjekë në rrugë ligjore procedurën e shkarkimit të tij nga Kuvendi. “Sfidën e integritetit dhe profesionalizmit e kam përherë të fituar, edhe gjyqin partizan e kam të fituar moralisht, do ta fitoj edhe në rrugë gjyqësore. Po pagat dhe penalitetet 7-vjeçare, kush do t’i paguajë 28 deputetët, apo taksapaguesit shqiptarë?! Ky është thelbi i shqetësimit profesional.
Padia do të jetë individuale për çdo abuzues me statusin e deputetit, i këshilloj të kërkojnë asistencë juridike përpara se të shpifin. E fundit, por më e rëndësishme, kolegët në PS e dinë shumë mirë që midis lirisë dhe karrigeve kam zgjedhur dhe do të zgjedh lirinë, sepse pa të nuk i shërbej dot vendit tim”, shkruan Malaj.