Para disa ditësh qeveria e shkarkoi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Enton Duro për shkak se, ai nuk i kishte përmirësuar rezultatin e grumbullimit te të ardhurave buxhetore në raport me programin. Mirëpo nga të dhënat që ministria e Financave publikoi një ditë më parë shihet se gropa e krijuar në buxhet për shkak të mosrealizimit të planit është krijuar nga doganat dhe jo nga tatimet.
Sipas të dhënave shihet se gjatë gjashtëmujorit të ardhurat tatimore ishin 6.1 për qind më të larta se njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa ishin -1.3% më të ulta se plani i periudhës.
Ndërsa të ardhurat nga doganat u rriten gjatë gjashtëmujorit me vetëm 0.6 % , teksa shënuan një mosrealizim në raport me planin rreth 4.4%.
Për rrjedhojë doganat nuk mblodhën rreth 3.5 miliardë lekë në raport me planin ose 28 milionë euro, ndërsa tatimet nuk e realizuan planin për periudhën me 937 milionë lekë ose 7.4 milionë euro.
Ne tërësi te ardhurat që janë mbledhur nga tatimet, doganat, sigurimet shoqërore e të tjera në 6 muajt e parë të vitit ishin 225.5 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto të ardhura janë rritur me 3.9% (+8.4 miliardë lekë), të ndihmuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, taksat vendore, kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërsa TVSh është zëri me rendimentin më negative në buxhet në gjysmën e parë të këtij viti.
Në raport me planin, të ardhurat janë 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak, që mungojnë nga planifikimi fillestar i buxhetit. Pikërisht mosrealizimi i planit u citua nga kryeministri Rama si arsyeja kryesore për shkarkimin e drejtorit të tatimeve Enton Duro, që drejtori këtë institucion për tre muaj dhe zëvendësimin e tij me Delina Ibrahimin. Rama njoftoi dhe nisjen e një aksioni të rreptë antiinformalitet. “Prej thuajse një viti jemi përpjekur me qasjen sensibilizuese, informuese, këshilluese të biznesit në raport me detyrimet tatimore, duke minimizuar qasjen ndëshkimore. Tani boll me konkurrencën e paligjshme dhe me hilerat në kurriz të konsumatorit!, ka pohuar kryeministri.