Akademia e Shkencave do i drejtohet me një kërkesë zyrtare Presidentit të Republikës, për të rishqyrtuar edhe një herë dekretin që refuzon emrin e Skënder Gjinushit, në postin e Akademisë së Shkencave.
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Akademisë së Shkencave tha se në kohën kur Gjinushi u zgjidh kryetar nuk ka qenë në papajtueshmëri.
Por lidhur me situatën në Akademinë e Shkencave reagon edhe ish deputeti i PD, Luçiano Boçi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Boçi pyet akademikët se, pse nuk patën asnjë reagim kur presidenti zhdekretoi 30 qershorin.
“Apo fati i Gjinushit është më i rëndësishëm se fati i votës së lirë dhe i qytetarëve?!”, pyet ish deputeti akademikët.
Reagimi i plotë i Luçiano Boçit:
PYETJE “AKADEMIKE” PËR AKADEMIKËT
Akademikët na i paskan kërkuar Presidentit të rishikojë dekretin e tij për Gjinushin.
Thënë qartë, i kërkojnë “shkencërisht” që ai të zhdekretojë dekretin e rrëzimit të emërimit të tij në krye të Akademisë.
Pra ata mendojnë si elitë pretenduese se Presidenti ka fuqi zhdekretuese mbi dekretet e tij!
Po ku ishin këta akademikë përsëri si elitë, ditën kur Presidenti zhdekretoi 30 Qershorin?!
Pse nuk thanë një fjalë të vetme kompetentente për drejtësinë e vendimit të Presidentit?!
Apo fati i Gjinushit është më i rëndësishëm se fati i votës së lirë dhe i qytetarëve?!!