Ajo që artistët i trembeshin prej më shumë se një viti po ndodh mëngjesin e sotëm. Forca të shumta policie kanë rrethuar Teatrin Kombëtar dhe po nisin aksionin për prishjen e tij. Pavarësisht pranisë së dhjetra qytetarëve, duket se policia e rendit dhe ajo bashkiake janë të vendosura për të zbatuar urdhërat e dhëna nga lart.
Mes artistëve dhe policisë ka pasur dhe përplasje civile, ndërsa regjisori Edmond Budina është tërhequr zvarrë në mënyrë që të mos futet në ambientet e brendshme të Teatrit
Në një prononcim për Fax Neës, Budina u shpreh se i ka të regjistruara të gjitha fytyrat që e tërhoqën zvarrë.
“Kriminelët më morrën zvarrë, si të isha një leckë, kjo është një gjë e ndyrë. Ne po mbrojmë kulturën dhe qytetarinë shqiptare, të vijë një polici që ska pikën e dinjitetit, nuk e di se çfarë mund të themi.
Sa të jetë jeta nuk do ta harroj, Edi Rama mbaje mend këtë që më ke bërë, ti dhe këlyshët e tu, asnjëherë nuk të kam sulmuar direkt, po këtë që ndodhi sot nuk mund ta fal.
Nuk e kam bërë as regjisorin dhe as aktorin, i mbështetur te politika, e kemi bërë gjithçka me djersë dhe me gjak”, u shpreh Budina.
Artistët apelojnë për një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve , që të mund të përballen me forcat e shumta të policisë që kanë rrethuar zonën.