Kryeminisri i Kosovës në dorëheqje, Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi janë marrë në pyetje nga autoritetet e Gjykatës Speciale në Hagë. Haradinaj dhe Krasniqi nuk u prononcuan ndaj akuzave.
Kryeministri i Kosovës në dorëheqje Ramush Haradinaj ka vendosur të heshtë ndaj fajësimeve të autoriteteve të Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Haradinaj pas marrjes në pyetje nga prokurorët dhe hetuesit e Gjykatës Speciale të mërkurn (24.07) tha, se ai nuk është përgjigjur ndaj pretendimeve të tyre për krime, por është interesuar të kuptojë se cilat kanë qenë akuzat dhe fajësimet e Gjykatës Speciale.
Pas përfundimit të intervistimit, që përfundoi në fakt vetëm me leximin e pretendimeve të prokurorisë dhe heshtjen e Haradinajt, kryeministri i Kosovës në dorëheqje tha, se ai është ftuar në Hagë „si i dyshuar për krime lufte”, por nuk deshi të japë detaje për pyetjet që janë shtruar gjatë intervistimit të sotëm. Ai tha se nuk ka „çfarë të flasë më konkretisht” sepse ka vendosur që të heshtë ndaj këtyre akuzave.
„E kam kryer obligimin…”
Ramush Haradinaj theksoi, se në Hagë ka ardhur për „të kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Por kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem për çka jam pyetur. Këto janë procedura ligjore, jo për të fshehur diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon”, theksoi Haradinaj. Kreyministri në dorëheqje u shpreh se ende nuk e di saktë se çfarë do të ndodhë. Ai nuk pret ngritjen e ndonjë aktakuzë të re, pasi dy herë është përgjigjur në Hagë për krime lufte dhe është shpallur i pafajshëm”, por duhen pritur zhvillimet në vazhdim.
„Nuk kam dashur ta nxjerrë kryeministrin para hetuesisë”
Ramush Haradinaj theksoi, se dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit, ka të bëjë me „nocionin e sovranitetit të shtetit”. „Nuk kam dashur ta sjell kryetarin e qeverisë këtu. Por këtu ka ardhur sot Ramush Haradinaj, si individ”, tha ai. I pyetur nëse pas intervistimit të sotëm ekzistojnë kushtet për vazhdimin e angazhimit në skenën politike, Haradinaj u përgjigj: „Meqenëse, shteti ka mbetur shtet dhe meqenëse nuk kam obligime, do të kthehem si të gjithë kolegët e tjerë në politikë, t’u ofrohem qytetarëve.”
Kryeministri në dorëheqje nuk ishte në gjendje të përgjigjet nëse do të ketë edhe ftesa të personaliteteve të tjera nga Gjykata Speciale. Por ai mendon se „ka dhënë një shembull të respektimit të ligjit. Unë nuk po i jap askujt leksione, e kam bërë detyrën time”, theksoi Haradinaj. Ramush Haradinaj është përgjigjur dy herë në Tribunalin e Hagës dhe dy herë është shpallur i pafajëshëm. Në pyetjen e DW, nëseka dëgjuar sot ndonjë informacion të ri nga prokurorët, që nuk është prezantuar më parë, ai tha se nuk ka asgjë të re. Por mbetet të shihet në ditët dhe muajt në vijim se cilat janë akuzat konkrete dhe nëse do të ketë ndonjë aktakuzë.
Edhe Krasniqi mbrohet në heshtje
Ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi po ashtu është mbrojtur në heshtje. As ai nuk ka pranuar, sikur edhe një ditë më parë i dyshuari Shukri Buja, që të përgjigjet ndaj pyetjeve të prokurorëve dhe hetuesve të Gjykatës Speciale. Edhe Krasniqi tha se e ka kryer obligimin e tij, por nuk deshi të prononcohet më shumë për detajet e intervistimit. DW