BallinaEkonomi"Biznesit iu dha liri e qëllimshme, që vota të anonte nga qeveria,...

“Biznesit iu dha liri e qëllimshme, që vota të anonte nga qeveria, tani po masakrohet…”

spot_img
spot_img

Flet Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël

Aksioni i ri antiinformalitet, i nisur nga qeveria, i kujton biznesit praktikën e vitit 2015, kur klima u bë e padurueshme duke shkaktuar terror te një pjesë e mirë e tyre. Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, shprehet se së pari masat duhet të merren ndaj përgjegjësve në administratë që kanë lënë “lulëzimin” e informalitetit në nivelet 50% dhe më pas të kalohet te biznesi. Ai nënvizon se aksionet, një herë në katër vjet, janë thikë me dy presa me efekte të shkurtra dhe pa ndonjë ndikim në konkurrencën e ndershme dhe ekonominë reale.

Ai shton se reforma më antibiznes ishte sistemi i TVSH-së tek biznesi i vogël që është përgatitur në zyrat e monopoleve dhe është bërë qëllimisht kundër biznesit të vogël

Z.Nasto, pak ditë më parë u nënvizua nisja e një tjetër aksioni antiinformalitet nga qeveria duke përçuar mesazhin se ka një rritje të tij, edhe prej situatës së tensionuar politike të muajve të fundit. Ju si e shihni këtë nismë?

Unë nuk besoj se ka një mosbindje civile sikurse është munduar të justifikohet kjo fushatë. Biznesi nuk u bindet forcave politike dhe as thirrjeve të tyre, por vetëm ligjit dhe organeve tatimore. Situata politike mund të jetë kaotike, por s’ka lidhje me situatën tjetër skandaloze të moslëshimit të kuponit tatimor, të gjobave dhe një informaliteti që ne e shohim në kufijtë 50% ashtu si në vitin 2015. Pamë kryeministrin që u shpreh se janë 15 mijë kasa që nuk punojnë dhe nuk presin kupon tatimor. Mbi 50% e biznesit nuk pret kupon.

Këtë situatë nuk mund t’ia veshësh biznesit, pasi rojtari në fakt është ligji. Nuk ka pasur kontrolle dhe as dalje periodike të inspektorëve. Biznesi është lënë i lirë deri në këtë pikë, nga vetë shteti. Para fushatave elektorale gjithmonë administrata tatimore nuk merret me punën e saj por ngarkohet me detyra politike. Kjo e fundit nuk duhet të përfshihet fare në këtë pjesë. Kjo duket si një liri e qëllimshme, në mënyrë që vota të anonte nga qeveria. Ndaj arritëm deri këtu. Pse Kryeministri doli për këtë pikërisht pas zgjedhjeve? Pse doli pas katër viteve. Që nga 2015 kur nisi beteja e parë kanë kaluar katër vite. Nëse administrata tatimore do të bënte punën e vet çdo ditë, s’do të kishim këtë situatë. S’ka nevojë që të dalim me aksione, por të jetë një punë e vazhdueshme.

A mendoni se do të ketë ndikim te klima e përgjithshme e biznesit në vend ky aksion i deklaruar?

Ky aksion, mendoj se do të ketë ndikim të madh dhe kryesisht negativ, sepse i lë dorë keqinterpretimit dhe hendekut për korrupsion. Biznesi do të ndihet i frikësuar, i kërcënuar dhe i pambrojtur. Thuhet që ka 15 mijë kasa që nuk kanë prerë kupon prej dy vitesh. Qeveria duhet ta nisë nga vetja. A kanë shkuar përgjegjësit për këtë situatë para drejtësisë. Si kompensohet biznesi i drejtë për humbjet që i janë shkaktuar nga bizneset informale. Sot, ai që ka prerë kuponë ka falimentuar, ai që nuk ka prerë dhe nëse kjo ka ndodhur për dy vite apo më shumë, do të thotë që është favorizuar qëllimisht nga qeveria. Këto raste dekurajojnë biznesin e ndershëm që ndihet i pafuqishëm nga politikat e selektimit partiak, pra që favorizohen ata që mbështesin qeverinë, nga politikat e korrupsionit

Aksioni do të jetë thikë me dy presa. Do të tkurrë biznesin nga njëra anë dhe do të shtojë frikën, sepse jemi në një situatë kur biznesi i vogël është më i godituri. Edhe vetë kryeministri, në fjalën e tij, doli e foli për kuponin, që e lëshon kryesisht biznesi i vogël. Më shumë sesa një aksion ngjan me një strategji që po ndjek kryeministri për të favorizuar monopolet dhe të mëdhenjtë. 18 300 biznese kanë falimentuar në vitin 2018 dhe në 6 muaj të këtij viti gati 9 mijë biznese.

A e ka pyetur ndokush veten pse ka ardhur kjo? A ka bërë njëri ndonjë hulumtim për arsyet? Pse nuk bëhet një analizëku të jepen arsyet, por zgjidhja është gjithmonë një aksion që në fund tremb, korrupton apo detyron biznesin për të votuar atë qëështë në qeveri. Këto nisma janë të paefektshme dhe nuk kanë efekt afatgjatë në rregullimin e ekonomisë. Aksioni ka efekt vetëm ditët që zgjat, është afatshkurtër dhe situata kthehet aty ku ishte. Ky aksion është i papranueshëm, i gabuar dhe mendoj se metoda dhe modele të tilla duhet të ndalohen nga ana e qeverisë.

Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar situatën e përgjithshme në këtë aspekt, sipas jush, si biznes i vogël?

Fillimisht duhet të gjenden përgjegjësit për situatën, pra të niset me administratën dhe pastaj të shkohet te biznesi. Numërohen me gishtat e dorës inspektorët që kanë abuzuar në shuma të mëdha dhe sot janë dënuar për atë që kanë bërë. Duhet parë nëse administrata tatimore i ka kapacitetet njerëzore për të kontrolluar periodikisht biznesin. Nuk mund të kalohet direkt te biznesi, të masakrohet sërish ai dhe të shkojë pas hekurave, po ai siç ndodhi në 2015,ndërkohë që monopolet vazhdojnë siç ishin.

Të niset nga fatura e biznesit të madh, jo nga kuponi i biznesit të vogël. A e vendosi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar kjo qeveri dhe ja ku jemi sot. Gjendja tregon që evazioni është më i lartë dhe biznesi i vogël mbylli qepenat. Duhet të largohen të paprekshmit, sepse po asfiksojnë ekonominë e këtij vendi dhe duhet të shihen mirë politikat fiskale dhe të ulen taksat. A e dini që pushteti lokal ka rritur taksat nga 2-7 herë në raport me vitin 2015. Ndërkohë gjithë kuadri ligjor për taksat është ndryshuar 76 herë në kaq vite. Biznesi nuk po arrin të mbajë dot ritmin me ndryshimet që bëhet. Reforma më antibiznes ishte sistemi i TVSH-së tek biznesi i vogël që është përgatitur në zyrat e monopoleve dhe është bërë qëllimisht kundër biznesit të vogël. Politika e majtë dhe e djathtë vetëm po e dëmton biznesin dhe ekonominë, ne duam më shumë vepra sesa fjalë. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular